Vuçiç lavdëron veten para Putinit: Jemi të vetmit në Evropë pa sanksione ndaj Rusisë

2 Shtator 2025, 17:10Rajoni TEMA
Vuçiç lavdëron veten para Putinit: Jemi të vetmit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se Rusia mban një qëndrim të palëkundur për integritetin territorial të Serbisë dhe mbështet Beogradin në çështjen e Kosovës. Këto komente ai i bëri pas takimit me presidentin rus, Vladimir Putin, të zhvilluar të martën, më 2 shtator, në Pekin.

Vuçiç tha për mediat se bisedimet me Putinin ishin “shumë të hapura, të sinqerta dhe të rëndësishme”, duke theksuar se u trajtuan të gjitha temat me interes të ndërsjellë.

Një nga çështjet kryesore ishte energjia. Presidenti serb theksoi se Serbia ka nevojë gjithnjë e më të madhe për furnizime me gaz, ku pjesa më e madhe vjen nga Rusia dhe sasi më të vogla nga Azerbajxhani.

Ai kujtoi se Serbia dhe Rusia po punojnë për zgjerimin e kapaciteteve të ruajtjes në Banatski Dvor dhe se një pjesë e gazit do të ruhet në Hungari për këtë dimër, për të garantuar prodhimin e energjisë elektrike në ditët më të ftohta.

Gjithashtu Vuçiç ka ripërsëritur se që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, shteti serb ka qenë në një situatë “shumë të vështirë dhe nën presion të madh” por ka ruajtur “qëndrimin parimor dhe politikën e neutralitetit” duke mos i vendosur sanksione Rusisë.

“E përsërita se Serbia, që nga fillimi i krizës ukrainase, ka qenë në një situatë shumë të vështirë dhe nën presion të madh, por që, pavarësisht gjithçkaje, ne kemi ruajtur qëndrimin parimor dhe pavarësinë e politikës sonë.

Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse dhe ne do ta ruajmë neutralitetin tonë në të ardhmen”, ka shkruar ai krahas publikimit të disa fotografive në rrjetet sociale. 

1 Komente

  1. R
    Rama Vučić

    Të ka mbrojtë me këmbëngulje dhe publikisht Edi Rama për mosvendosje të sanksioneve ndaj Rusisë!

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje