Foshnjat e para të 2026-ës përfitojnë “Bonusin e Bebes”

1 Janar 2026, 15:33Sociale TEMA
Foshnjat e para të 2026-ës përfitojnë “Bonusin e

Foshnjat e lindura në minutat e para të vitit 2026 kanë përfituar mbështetjen financiare të qeverisë përmes programit “Bonusi i bebes”.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Eugena Tomini, vizitoi këtë të enjte maternitetet kryesore të Tiranës, ku u takua me nënat dhe të porsalindurit.


Vizitat u zhvilluan në SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”, ku lindi Adea, si dhe në SUOGJ “Koço Gliozheni”, ku erdhi në jetë Sibel.

Gjatë takimeve, zv.ministrja përcolli urimet për familjet dhe dorëzoi çekun e “Bonusit të bebes”, mbështetja direkte financiare që përfiton çdo fëmijë i porsalindur në Shqipëri.

Sipas një njoftimi nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale, programi universal “Bonusi i Bebes” mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë në mbështetje të familjeve, duke garantuar përfitim financiar për çdo lindje, pavarësisht kushteve sociale apo ekonomike, si dhe duke synuar nxitjen e rritjes së natalitetit në vend. Që nga viti 2019, më shumë se 245 mijë foshnja kanë përfituar nga kjo skemë.

Shuma e bonusit varion nga 40 mijë deri në 120 mijë lekë, në varësi të rendit të lindjes. Për lindjet e shumëfishta, përfitimi është 80 mijë lekë për secilën foshnjë në rastin e binjakëve dhe 120 mijë lekë për secilën foshnjë për trinjakët ose më shumë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bën me dije se do të vijojë forcimin e politikave sociale në mbështetje të familjeve, me qëllim garantimin e një fillimi të sigurt dhe dinjitoz për çdo fëmijë që vjen në jetë.

Lini një Përgjigje