Shqiptarët nuk u besojnë lajmeve online

30 Dhjetor 2025, 21:40Sociale TEMA
Shqiptarët nuk u besojnë lajmeve online

Besimi i qytetarëve të Ballkanit Perëndimor te platformat online të lajmeve mbetet i brishtë dhe i fragmentuar, sipas të dhënave të fundit të Balkan Public Barometer 2025, publikuar nga Regional Cooperation Council (RCC).

Edhe pse interneti është kthyer në burimin kryesor të informacionit për një pjesë të madhe të popullsisë, perceptimi për besueshmërinë e lajmeve online vazhdon të jetë problematik.

Të dhënat e vitit 2025, të bazuara në një shkallë vlerësimi nga “nuk besoj aspak” deri në “besoj plotësisht”, tregojnë se në nivel rajonal, pjesa dërrmuese e qytetarëve pozicionohet në nivelet e ulëta dhe të mesme të besimit, ndërsa vetëm 1 për qind shprehet se u beson plotësisht platformave online të lajmeve.

Në Shqipëri, 25 për qind e të anketuarve deklarojnë se nuk u besojnë aspak lajmeve online, një nivel më i lartë se mesatarja rajonale prej 16 për qind.

Vetëm 1 për qind e qytetarëve shprehin besim të plotë, ndërsa shumica mbeten në zona të ndërmjetme të skepticizmit.

Ky rezultat e pozicionon Shqipërinë mes vendeve më skeptike ndaj mediave online, së bashku me Serbinë, ku 23 për qind e qytetarëve deklarojnë mungesë totale besimi.

Në kontrast, Kosova dhe Maqedonia e Veriut shfaqin nivele relativisht më të balancuara, me një shpërndarje më të madhe të qytetarëve në nivelet mesatare të besimit, çka sugjeron një marrëdhënie më pak armiqësore me median online.

1 Komente

  1. R
    Respekt Qytetarëve

    Sakte, mjafton te lexosh cfare postponed ketu, e sidomos komentet më së shumti ofenduese që lejohen pa filtër.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje