Themeluesi i Wikileaks-it, Julian Assange, është arrestuar dje në Londër, pas lëshimit të një urdhër arresti nga autoritetet suedeze.
Australiani 39-vjeçar akuzohet nga Suedia për një krim seksual, të cilin ai kundërshton ta ketë kryer. “Ai akuzohet nga autoritetet suedeze për detyrim të paligjshëm, për ngacmim seksual dhe për përdhunim, të cilat mendohet të kenë ndodhur të gjitha në gusht të vitit 2010,” tha policia në Londër, nëpërmjet një deklarate.
Meqenëse nuk dihej deri tani se ku ndodhej, urdhëri i arrestit ndaj Assangeu ishte lëshuar në mungesë. Në rast arrestimi, ishte thënë se Assange do t’u dorëzohej autoriteteve suedeze. Julian Assange e përdori Suedinë si bazë për Wikileaks, sepse aty ka rregulla mjaft të forta për mbrojtjen e lirisë së shtypit. Assange shkoi në Stokholm me ftesë të Partisë së Piratëve, e cila i kishte premtuar se në të ardhmen do t’i merrte në mbrojtje serverat e Wikileaks.
Më 14 korrik 2010, ai u njoh në Stokholm me dy femra, që e denoncuan rreth një javë më pas në polici për përdhunim. Më 18 gusht Assange kërkoi leje qëndrimi dhe pune në Suedi. Dy ditë më pas, prokurorja Maria Jellstrand lëshoi në bazë të denoncimit të dy femrave, urdhër arrestin në mungesë.
Një ditë më pas prokurorja Ewa Finne e anuloi këtë urdhër. Disa ditë më vonë Assange u mor në pyetje nga policia dhe prokurorja Marianne Ny lëshoi sërish urdhër arrestin. Në protokollin e marrjes në pyetje nga policia, Assange kishte thënë se atë natë kishte bërë disa herë seks me njërën prej femrave në fjalë. Ai theksoi se kishte përdorur prezervativë. Njëra prej grave thotë se nuk kishte përdorur prezervativë. Ajo thotë se i kishte refuzuar ndonjëherë përpjekjet e Assanges për t’iu afruar seksualisht, por në një mënyrë të tillë që nuk kishte qenë tepër e qartë.
Në një intervistë ai pati thënë se nuk e ka të qartë, nëse kemi të bëjmë me një larje hesapesh për arsye personale apo politike, por se sapo të mbledhë dëshmi dhe materiale për këtë, do të dalë sërish në publik.
Assange kundërshton ekstradimin në suedi
Themeluesi i uebsajtit Wikileaks, Julian Assange, ka deklaruar para gjykatës së do të kundërshtojë ekstradimin në Suedi.
Themeluesi i Wikileaks mohon akuzat për ngacmime seksuale dhe përdhunim, akuza të ngritura nga dy gra ne Suedi.
Ndërsa gjykata refuzoi kërkesën e Assange për lirim me kusht. 39-vjeçari nga Australia do të mbahet në paraburgim, teksa javën e ardhshme iu caktua një seancë dëgjimi.
Assange deklaroi para Gjykatës së Magjistraturës në qytetin e Westminsternit se, ai do ta kundërshtojë me të gjitha mënyrat ekstradimin e tij në Suedi.
Nëse gjykata e Qarkut konfirmon se mandat arresti është i ligjshëm, Assange mund të ekstradohet në Suedi. Por, procesi mund të zgjasë me muaj, veçanërisht tani që Assange ka paralajmëruar se do të kundërshtojë ekstradimin.
Gjatë dëgjimit të plotë, i cili do të zgjasë disa javë, Assange do të ketë mundësinë të japë argumentet e tij kundër ekstradimit.
Arrestimi nuk ndikon në publikimin e dosjeve
Një zëdhënësi i WikiLeaks-it tha se arrestimi i Assange ishte sulm mbi lirinë e mediave, por kjo nuk do ta ndalë publikimin e më shumë dokumenteve sekrete.
Porositë e fundit diplomatike të publikuara nga WikiLeaks-i, tregojnë se lufta e Rusisë me Gjeorgjinë në vitin 2008, kishte ndikuar që NATO-ja t’i forcojë planet e saj për mbrojtjen e shteteve balltike dhe Polonisë.
Dokumentet tregojnë për planin sekret të quajtur “Shqiponja Mbrojtëse”, i cili ishte përgatitur për mbrojtjen e Estonisë, Letonisë, Lituanisë dhe Polonisë, kundër kërcënimeve nga forcat ruse.
Gjatë raportimit për dokumentet e publikuara, e përditshmja britanike “Guardian” thekson se kjo është hera e parë, që prej përfundimit të Luftës së Ftohtë, që dihet se aleatët perëndimorë kishin përgatitur plane speciale ushtarake për mbrojtjen e pjesëve të Evropës Lindore nga kërcënimi potencial rus.
Sipas gazetës, nëntë divizione ushtarake të NATO-s, amerikane, britanike, gjermane dhe polake, ishin të parapara për operacione luftarake, në rast të ndonjë agresioni të armatosur nga Rusia.
Më tutje theksohet se për Poloninë, Shtetet e Bashkuara kishin ofruar vendosjen e forcave speciale detare në portet e Balltikut dhe vendosjen e aeroplanëve luftarakë F-16 në territorin e Polonisë.
Sipas dokumenteve të publikuara nga WikiLeaks-i, planet ushtarake nuk do të duhej të diskutoheshin publikisht, pasi ato mund të çonin në një “rritje jo të domosdoshme” të tensioneve ndërmjet NATO-s e Rusisë.
Sipas burimeve të informuara nga e përditshmja “Guardian”, liderët e NATO-s e kishin mbështetur planin në heshtje në samitin e fundit në Lisbonë të Portugalisë, muajin e kaluar.