Jusufi, një tjetër 16-vjeçar për Shqipërinë

14 Prill 2011, 13:40Sport TEMA

Akoma nuk i ka mbushur 17 vjeç, por të dhënat e tij janë vërtet premtuese. Edhe pse ka lindur në Bernë të Zvicrës, ai ndihet shqiptar dhe i tillë është, madje atë e thotë jo pa mburrje mes moshatarëve të tij. Mentor Jusufi, ashtu si shumë e shumë të rinj në mbarë botën, ka dëshirë të arrijë majat e futbollit shqiptar.

Për këtë talenti nuk i mungon dhe ka përkrahjen e familjes së tij në maksimum. Familja e tij është nga Gostivari i Maqedonisë, një qytet i banuar mbi 90% me shqiptarë dhe për këtë ka fituar jo pak simpatizantë edhe në Maqedoni.

Dikush e krahason me Kristiano Ronaldon, por për të është shpejt të bëhen krahasime. Do vetëm të luajë futboll dhe të ngjitë shkallët e karrierës ngadalë, duke shpresuar që dëmtimet mos i prishin karrierën. Ka filluar të luajë futboll që në moshën 6 vjeçare.

Kalon të gjitha nivelet me grup-moshat me ekipin e
Munchenbuchsee, teksa luan aty 6 sezone. Ne moshën 12 vjeçare kalon te F.C Bern, ku edhe akutalisht është duke luajtur. Jusufi është një lider i vërtetë, organizon, jep asiste dhe shënon gola. Këto aftësi e kanë bërë të jetë gjithmonë në sytë e trajnerëve.

Duke pasur këto veti, ai ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit me të dy ekipet që ka luajtur. Por Jusufi, pavarësisht gjithë këtyre arritjeve, mban mend një ditë të shënuar. Në janar të këtij viti atij i vjen një ftesë për t’u provuar për ekipin kuqezi shqiptar.

Ai tregon emocionet që ka provuar në atë grumbullim dhe aty për herë të parë ka ndierë përgjegjësinë për veshjen e kësaj fanelle. Tani e ka një ëndërr, fillimisht të grumbullohet me kombëtaret e moshave dhe një ditë të veshë fanellën e ekipit të parë.

Ai po pret grumbullimin e radhës me kombëtaren U 17, pasi është seleksionuar në “zborin” e muajit janar. Endrra ka nisur tashmë për Mentor Jusufin.

Emri: Mentor
Mbiemri: Jusufi
Datëlindja: 28.7.1994
Vendlindja: Bern, Zvicër
Gjatësia: 1.78 m
Pesha: 77 kg
Pozicioni: Mesfushor i avancuar
Skuadra: FC Bern
Sezoni 2010: 9 ndeshje, 680 minuta, 13 gola, 6 asiste

Lini një Përgjigje