Këtë verë mësuam se Donald Trumpi fitoi të paktën 2,2 miliardë dollarë gjatë vitit të parë pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë. Kjo është një shumë marramendëse. Asnjë president tjetër amerikan apo udhëheqës i një demokracie liberale nuk i është afruar pasurimit në përmasa të tilla gjatë kohës që ka qenë në detyrë.
Ky pasurim shoqërohet me një numër të paprecedentë konfliktesh të mundshme interesi, jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij, në shtete me një traditë shumë më problematike të mirëqeverisjes sesa Shtetet e Bashkuara.
Formulari vjetor i deklarimit personal financiar të presidentit Trump u dha shumë material kolegëve të mi që shqyrtojnë me imtësi financat e tij.
Bisedova me Erik Liptonin, i cili mbulon veprimtaritë e biznesit të familjes Trump. Hidhni një shikim të rastësishëm në hartë, sugjeroi ai, dhe ka shumë gjasa që shikimi të bjerë në një vend ku presidenti amerikan ose familja e tij kanë interesa biznesi. Siç ka dokumentuar Eriku, kompania holding e Trumpit mblodhi vitin e kaluar të paktën 125 milionë dollarë në pagesa të drejtpërdrejta nga burime të huaja në vende si Britania, India, Indonezia, Irlanda, Omani, Filipinet, Katari, Rumania, Arabia Saudite, Koreja e Jugut, Turqia, Vietnami dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Vitin e kaluar, një firmë investimesh e lidhur me Emiratet bleu pothuajse gjysmën e kompanisë kryesore të kriptomonedhave të familjes Trump, World Liberty Financial. Katër muaj më vonë, administrata Trump pranoi t’u jepte Emirateve qasje në mikroçipa të sofistikuar që fuqizojnë inteligjencën artificiale.
Jo shumë kohë më pas, Trumpi zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e Kazakistanit për të ndihmuar një kompani minerare amerikane pak të njohur që të siguronte qasje në një nga rezervat më të mëdha të pashfrytëzuara të tungstenit në botë, një metal me rëndësi kritike. Pak kohë më vonë, dy djemtë më të mëdhenj të Trumpit, Donald Trump Jr. dhe Eric Trump, u bënë investitorë në një kompani që tani zotëron një pjesë të aksioneve të asaj kompanie minerare.
Lista vazhdon. Zyrtarët qeveritarë në Vietnam përshpejtuan procedurat për një projekt golfi të Trumpit, pikërisht në kohën kur përpiqeshin të shmangnin tarifat e larta amerikane. Një kompani koreanojugore, e cila kishte ushtruar lobim pranë Shteteve të Bashkuara që të mos vendoseshin masa ndëshkuese ndaj eksporteve të saj të aluminit, i pagoi 2 milionë dollarë kompanisë holding të Trumpit për një projekt fushe golfi. Një prodhues dronësh, i mbështetur nga dy djemtë më të mëdhenj të Trumpit, po zhvillon negociata me vendet e Gjirit, të cilat duhet të mbrohen për shkak të një lufte të nisur nga babai i tyre.
Shumë autorë kanë shkruar për pasojat e mundshme të këtyre marrëveshjeve brenda vetë Shteteve të Bashkuara: ndikimin e tyre mbi shtetin e së drejtës, mbi besimin e publikut te qeveria dhe mbi aftësinë e Trumpit për t’u përqendruar te interesat e popullit amerikan dhe jo tek interesat e veta.
Ajo që mund të mos jetë vlerësuar sa duhet është se këto marrëveshje ka të ngjarë të shkaktojnë pasoja zinxhir edhe në mbarë botën.
Nga zbatues i rregullave, në lehtësues i shkeljeve
Për një kohë të gjatë, Shtetet e Bashkuara luajtën një rol krejt tjetër: ishin vendi që zbatonte rregullat kundër korrupsionit.
Në vitin 1977, pas një vargu skandalesh, në të cilat kompanitë amerikane u kishin paguar fshehurazi qindra milionë dollarë ryshfet zyrtarëve të huaj, Shtetet e Bashkuara miratuan Ligjin për Praktikat Korruptive Jashtë Vendit. Ky ligj parashikon gjoba dhe madje dënime me burg për drejtuesit e kompanive që u paguajnë zyrtarëve jashtë vendit për të fituar ose për të ruajtur marrëveshje biznesi.
Më pas, Shtetet e Bashkuara shkuan edhe më tej, duke ushtruar trysni që standardi i tyre kundër ryshfetit të miratohej nga më shumë se 30 vende. Rregullatorët amerikanë nisën ta zbatonin me rigorozitet ligjin jo vetëm ndaj kompanive amerikane, por edhe ndaj çdo korporate të huaj që përdorte sistemin financiar ose tregjet amerikane.
Përpjekjet për zbatimin e tij “ishin aq intensive dhe masat ndëshkuese aq të rënda, saqë korporatat ndërkombëtare u shqetësuan seriozisht dhe i përshtatën praktikat e tyre”, më tha Eriku.
Sipas tij, nën drejtimin e Trumpit kanë ndryshuar dy gjëra. Në aspektin e politikave, një nga veprimet e para që Trumpi ndërmori pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë ishte pezullimi në masë të madhe i zbatimit të Ligjit për Praktikat Korruptive Jashtë Vendit. Në emër të sigurisë ekonomike dhe kombëtare, administrata në praktikë mbylli njërin sy ndaj ryshfeteve të dhëna nga kompanitë amerikane, duke argumentuar se mënyra si zbatohej ligji ua vështirësonte kompanive amerikane sigurimin e aseteve me rëndësi kritike, si mineralet dhe portet e ujërave të thella.
Pastaj janë edhe konfliktet e mundshme të interesit të vetë Trumpit. Të marra së bashku, këto dy dukuri rrezikojnë të interpretohen si një dritë jeshile për skemat e tipit “paguaj për të përfituar” në mbarë botën.
(Shtëpia e Bardhë thotë se nuk ka konflikte interesi, sepse veprimtaritë e biznesit të familjes drejtohen nga djemtë e Trumpit.)
Është e pamundur të thuhet se në çfarë mase kjo e ka shtuar korrupsionin në nivel global. Skema të tilla, për vetë natyrën e tyre, priren të zhvillohen në fshehtësi, çka e bën të vështirë matjen e tyre.
Por “Shtetet e Bashkuara, polici ndëkomëtar, është tërhequr”, tha Eriku. Mund të mos e dimë shkallën në të cilën kjo ka ndikuar te korrupsioni në mbarë botën, por mund ta hamendësojmë me mjaft siguri drejtimin e këtij ndikimi.
Marrëdhënie transaksionale, por me një ndryshim
Liz David-Barrett nga Universiteti i Sussex-it, e cila studion korrupsionin ndërkombëtar, më tha se marrëdhënia e Amerikës me pjesën tjetër të botës ka ndryshuar. Sot, sipas saj, ajo po ngjan gjithnjë e më shumë me marrëdhënien që Rusia ose Kina kanë me botën.
Rusia dhe Kina kanë një histori të gjatë investimesh në vende me qeverisje të dobët.
Rusia, për shembull, ka shfrytëzuar qeveritë e korruptuara në Serbi dhe Hungari për të siguruar marrëveshje investimi në monopolet shtetërore të energjisë dhe në projekte kyçe infrastrukturore. Kina ka lidhur marrëveshje me qeveri shtypëse në mbarë botën për të siguruar burime me rëndësi kritike, përfshirë naftën nga Venezuela dhe litiumin nga Zimbabveja.
Ky është një model transaksional (në të cilin nuk bëhen pyetje), i parapëlqyer nga vende me rregulla të dobëta për punën dhe mjedisin dhe me udhëheqës të hapur ndaj korrupsionit. Shumica e ekspertëve pajtohen se ky model ka ndihmuar në mbajtjen në këmbë të regjimeve të korruptuara dhe autoritare, përfshirë regjimin e Bashar al-Assadit në Siri dhe atë të Viktor Orbánit në Hungari.
Tani, sipas këtyre ekspertëve, Trumpi po vepron në një mënyrë që ngjan pak a shumë me këtë model, por me një ndryshim: ai e mjegullon hapur kufirin ndërmjet interesit të vendit të tij dhe interesit të vet personal. Kjo rrezikon të krijojë probleme për Amerikën. Por mund të krijojë probleme edhe për pjesën tjetër të botës./ The New York Times
Lini një Përgjigje