Edhe dy vjet në geto

14 Tetor 2011, 11:21Rajoni TEMA

Qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të presin të paktën edhe dy vjet për të udhëtuar pa viza në ndonjë nga vendet e Bashkimit Evropian, që janë pjesë e zonës Shengen.

Pavarësisht se Kosova tashmë ka marrë premtimin nga Komisioni Evropian se shumë shpejt ky institucion do ta nisë dialogun për liberalizimin e vizave, njohësit e integrimeve evropiane paralajmërojnë se ky është vetëm fillimi, dhe se për të arritur deri në “cak” nevojitet ende shumë punë.

Eksperti i integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi, thotë se paralajmërimi se shumë shpejt do nisë dialogu për liberalizim është shenjë që Kosova ka punuar në përmbushjen e disa kritereve, por ai thekson se ky është vetëm fillimi i një procesi.

“Bashkimi Evropian vendos të nisë dialogimin, ia mundëson Kosovës të përparojë, t’i përmbushë di sa kritere dhe eventualisht kur t’i përmbushë ato të hyjë në listën e bardhë të Shengenit, pra të ketë liri të lëvizjes”, thotë Muharremi, duke sqaruar se pak kohë pasi të nisë dialogu, Kosova do ta marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, i cili parasheh kriteret që duhet t’i arrijë vendi për të përfituar liberalizimin e vizave.

Sipas tij, edhe pse fillon dialogu, Kosova nuk mund të përfitojë liberalizimin derisa nuk arrin t’i përmbushë kriteret e përcaktuara, për të cilat vendet e rajonit kanë shpenzuar prej tetëmbëdhjetë deri në njëzetekatër muaj.

Edhe anëtarët e partive opozitare thonë se paralajmërimi se shumë shpejt do të nisë dialogu, nuk nënkupton se kosovarët së shpejti do të shëtisin lirshëm në Evropë.

Deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Alma Lama, thotë se procesi në fjalë nuk është aq i lehtë sa është duke u paraqitur nga qeveria, e cila sipas saj, qëllimisht po merret vetëm me këtë fakt, për të zhvendosur vëmendjen nga të gjeturat e Raportit të progresit.

“Tashmë vetëm sa ka filluar procesi dhe do të duhen të paktën tetëmbëdhjetë muaj, siç ka ndodhur edhe me vendet e tjera, derisa përfundimisht qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza. Tani Qeveria e Kosovës po përpiqet ta shesë këtë proces si sukses të jashtëzakonshëm, por në fakt jemi vendi më i vonuar në rajon”, thotë Lama.

Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, thotë se sikur të bëhej ajo që ka premtuar kryeministri Thaçi, Kosova brenda tre muajve do të ishte e barabartë me vendet e rajonit, pra qytetarët e saj do të lëviznin pa viza.

“Sipas premtimeve publike të kryeministrit Thaçi, ne edhe tre muaj do të duhej të lëviznim pa viza, sepse, ai në shtator të vitit të kaluar ka thënë se brenda pesëmbëdhjetë muajve do të lëvizim pa viza, e tash janë bërë dymbëdhjetë muaj”, shprehet ai.

Ramadani thekson se është e pamundur që Kosova të përfitojë liberalizimin, derisa në qeveri ka persona që janë të zhytur në krim dhe korrupsion.

“Jam i bindur se vizat nuk do të hiqen për kosovarët derisa ta kemi Hashim Thaçin kryeministër. Përfshirjet në korrupsion dhe në krim të organizuar nuk janë vetëm të nivelit të ulët qeverisës, por janë të nivelit të lartë, prandaj BE-ja nuk besoj se do ta tolerojë këtë”, shprehet ai.

Rreth paralajmërimit nga Komisioni Evropian se shumë shpejt ky institucion do ta nisë dialogun me Kosovën për liberalizimin e vizave, të enjten është prononcuar edhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, i cili të gjitha meritat për këtë ia ka adresuar punës së ekzekutivit.

“Ky është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, është një sukses i shtetit të ri të Kosovës dhe është konkretisht fillimi i perspektivës evropiane në hapa konkretë dhe është meritë e shtetit të Kosovës, institucioneve të Kosovës, vizionit tonë evropian për ndërtimin e Kosovës së re, demokratike dhe evropiane. Kështu që ju uroj dhe përgëzoj të gjithëve për kontributin tuaj”, ka thënë ai.

Ai ka premtuar se ekzekutivi i vendit do të punojë shumë, në mënyrë që t’i përmbushë të gjitha obligimet që sa më parë Kosova të përfitojë liberalizimin e vizave. Për të arritur këtë, kryeministri ka premtuar se do të themelohet Këshilli Kombëtar për Integrime Evropiane.

Fitou: Liberalizimi, interes i dyanshëm

Rreth hapjes së dialogut, të enjten është deklaruar edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Jean-François Fitou, i cili ka thënë se procesi për liberalizimin e vizave është një dhuratë për Kosovën, dhe si i tillë ai është edhe në interes të vendeve anëtare të BE-së.

“Ne po e hapim dialogun, do të punojmë seriozisht si partnerë të fuqishëm dhe sa më seriozisht që do të punojmë aq më shpejt do të përfundojë ky proces”, është shprehur ai./zeri/

4 komente në “Edhe dy vjet në geto”

  1. enofieraku says:

    ska problem se i shqiptarizon luli me berishen , kemi zgjedhje vitin qe vjen .

  2. Luan Morina says:

    Mbi 500.000 shqiptarë kanë ikur fshehurazi që nga ndarja e Kosovës nga federata Jugosllave. Sa më shumë që zgjat izolimi aq më shumë do të përfitojnë bandat kriminele nga Ballkani.

    Nuk e kuptoj se si nuk po turpërohet BE për këtë padrejtësi dhe shkelje të lirisë njerëzore të banorëve shqiptarë. Vetëm këta janë të izoluar në Evropë sot. Banorët serbë të Kosovës kanë pasaporta serbe. Shqiptarët haptas po diskriminohen.

  3. sule sula says:

    20 vjet demokraci dhe prap shqiperia ngeli e izoluar nga europa jo eshte merite e politianeve vampira qe su ngopen duke shkaterruar vendin dhe popullin se femijet e tyre i kane derguar ne vendet me te zhvilluara per studime dhe bejne sikur zihen me njeri tjetrin dhe prapa skene ulen bashke neper tavolina u vjen keq per popullin gjoja me mire ta drejtoj nje i huaj shqiperin sesa keta kelysh te erresires

  4. Ramani says:

    Se pari ju uroj shqiptarve ksaj here me mendu ma mir se kujt pja japni voten edhe pse kosova duhet se pari me u mirr thellsisht me kriminel tanaj me jek prej posteve zyrtare edhe konfiskim te pasuris se tyre tanaj,gjat tyreve me pas media gjat konfiskimit mej pah shoqeria kosovare se ne mjegull jan let ta merr vesh krej bota,te kemi nje shoqeri te shnosh edhe nje rrog ma te mir per policin e kosoves nje ligj te fort per njerzit e futur ne korropsion,masi ti kemi(gjygjin e barabart per te gjith njerzit,nje polici te fort,nje ushtri te fort)ne mundemi me than qe tash kemi nje jete ma te mir.Sa per viza von tash eshte.Pershendetje prej Canade

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje