Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Australisë dhe kryetar i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Gareth Evans, konsideron se “historia është plotësisht në anën e Kosovës së pavarur, e cila e ka vendin e vet në bashkësinë ndërkombëtare”.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (në serbisht) ai ka theksuar se edhe Kosova edhe Serbia duhet të gjejnë të “ardhmen e përbashkët” në BE, duke thënë se me kohë “çështja e kufijve do të bëhet më pak emocionale dhe e rëndësishme”, transmeton QIK-u. Por, sipas tij, edhe më tutje janë në skenë “sentimente emocionale, dinjiteti, ndjenja e diskrinimit…”.
Ai theksoi se të gjitha opsionet alternative janë shumë të këqija. “Ndarja eventuale nuk është opsion i mirë për serbët që do të mbesin në enklava në jug të Ibrit”, thotë Evans, duke shtuar se disa po luajnë me këtë ide, por, sipas tij, “nuk ka zgjidhje të drejtë me ndryshimin e kufijve, por me ndryshimin e sjelljeve dhe me respektimin e realitetit”.
Në konstatimin se në disa qarqe evropiane dëgjohet ideja gjoja për një lloj autononie për veriun e Kosovës, Evans tha se nivele të caktuara të autonmisë gjithmonë janë opsion potencial. Por ai konsideron se këto çështje janë shkoqitur mjaft mirë në Planin e Ahtisarit. Sipas tij, kompromiset janë të mundshme. “Por të lirohemi nga mënyra e tillë e të menduarit – se diçka është në interesin e Serbisë apo të shqiptarëve të Kosovës”, thotë Evans, duke shtuar se “është e domosdoshme qasja se ç’është në interesin e Kosovës si tërësi dhe e tërë rajonit, e kjo është krijimi i ambientit në të cilin secili mund të jetojë mirë pranë tjetrit”.