INTERVISTA/ Rama: S’votojmë më 6 gusht. ‘Treni’ i koalicionit, shumë i gjatë. Imami na përgjoi gjatë negociatave për presidentin

27 Korrik 2012, 21:43Politika TEMA

Edi Rama hap dyert për Aleancën KuqeZi dhe FRD-në. Ai deklaron se nuk e ka humbur PDK-në e Ndokës, madje shton se PS ka futur në program çështjen çame. Rama thotë se Imami i ka përgjuar edhe kur diskutonin për presidentin.

Bisedoi: Alfred Peza

Vizion Plus

Zoti Rama, kjo javë pati një zhvillim, një ngjarje politike e cila kurrë nuk mund të anashkalohet, siç ishte inaugurimi i Presidentit të ri të Republikës dhe ndryshimi, si dhe dorëzimi i stafetës nga zoti Topi. Si do ta përkufizonit me një fjali pikërisht këtë inaugurim?

Nëse më pyesni për ceremoninë ku isha i pranishëm, do të thosha koncert në vitin 1936. Për të rinjtë që mbase nuk e kanë parë atë film mit të kohës së shkuar, një ceremoni e cila ishte triumf i mediokritetit dhe banalitetit.

 

Ju gjithsesi ishit në këtë ceremoni…

Sigurisht, sepse u zgjodh një President i Republikës pa pëlqimin tonë, por u zgjodh në fund të fundit në rrugë kushtetuese dhe ne i njohim institucionet jo vetëm kur kemi afrimitet me fytyrat e drejtuesve të tyre, por edhe kur drejtohen nga njerëz që nuk e kanë pëlqimin tonë. Pra, respektojmë institucionin dhe shprehje e këtij respekti për institucionin ishte dhe prania ime aty si përfaqësues i opozitës.

 

Megjithëse kishte shumë njerëz në radhë për t’i dhënë dorën Presidentit të ri dhe zonjës së parë, ju me durim nga fundi arritët në transmetim live, njerëzit e kanë parë besoj, që i shtrëngonit dorë dhe diçka i pëshpëritët. Çfarë i thatë në ato pak sekonda?

Asgjë të veçantë. Pata mundësi t’iu them diçka më shumë fëmijëve të Presidentit, që më bënë përshtypje me një ndrojtje shumë të sjellshme dhe sinqerisht do të uroja që kur të marrë vendimet që do i duhet të marrë Presidenti, të merakoset më shumë për emrin që do u lërë atyre dy fëmijëve, vajzës dhe djalit, se sa për shijen që vendimet e tij do t’i lënë Saliut apo partisë nga ai doli.

 

Dikush erdhi, një tjetër iku. Po presidentit në ikje çfarë i thatë?

Në fakt, i çova një mesazh dhe i thashë një të vërtetë shumë të thjeshtë nga ceremonia. Ishte i vetmi moment kur duartrokita, natyrshëm më erdhi, teksa Bamir Topi po zbriste shkallët me zonjën dhe i urova sukses për jetën e dytë politike.

 

Jeni i sigurt se ai tashmë do ta ketë një jetë të dytë politike?

Ashtu e ka bërë me dije.

 

Meqë jemi këtu dhe meqë kaluan 5 vjet gjithsesi, duhet të keni një vlerësim për këtë mandat…?

E kam dhe besoj që nuk duartrokita me sinqeritet për atë çfarë ka bërë, por për të gjitha atë çfarë nuk ka bërë duke refuzuar të përdoret për interesat e partisë që e zgjodhi President. Besoj se në kontekstin në të cilin jetojmë, ky nuk është një kontribut i vogël, por përkundrazi, është një kontribut për t’u çmuar veçanërisht nga pozitat e opozitës.

 

Keni diçka për të korrigjuar nga një deklaratë që keni bërë në momentin që u zgjodh Bamir Topi, që i thatë: T’i vijë turp. Duke pasur parasysh dhe ato që ai nuk bëri apo nuk bëri gjatë këtyre pesë vitesh?

Unë e dhashë vlerësimin tim. Por, e kam thënë dhe në raste të tjera për të tjera konteste dhe për të tjerë njerëz që deklaratat politike kanë vlerën e momentit në të cilin bëhen dhe sot unë nuk kam asnjë arsye për t’u ndjerë keq për asnjë deklaratë që kam bërë për sa kohë jam në krye të Partisë Socialiste, as për Bamir Topin.

 

Përveç të tjerash ju njiheni për një sqimë, apo merak gati prej maniaku në lidhje me gjuhën shqipe, me fjalët, por dihet tashmë, pasioni dhe talenti juaj i vërtetë për publicistikën. Nisur nga këto dhe nga ajo çfarë ju vetë reflektoni në fjalimet e tuaja, besoj se e keni ndjekur dhe me këtë sy fjalimet e inaugurimit të Presidentit Nishani. Ka pasur dy fjalime. Një në parlament dhe një atje ku ishit ju i pranishëm. Si i vlerësoni?

Do të kisha dashur të ma kursenit këtë pyetje. Por, jam i detyruar t’ju përgjigjem. Fjalimi në parlament ishte nën mesataren e fjalimeve parlamentare. Fjalimi në Presidencë ishte nën mesataren e fjalimeve presidenciale. Por, nga ana tjetër besoj se nga Presidenti Nishani nuk kemi arsye të presim fjalime të mira dhe nuk besoj se ai do të mbetet në histori për fjalimet.

 

Meqë jemi tek ndryshimet kushtetuese, janë në proces, janë në diskutim ndryshime të freskëta, të reja, që ende nuk kanë ndodhur, një prej të cilëve lidhet me çështjen e heqjes së imunitetit. A do ta hiqni më në fund imunitetin apo jo?

Ju falënderoj për këtë pyetje sepse është një mundësi për t’u shpjeguar ndoshta pak më gjerë me publikun. Por tanimë që flasim për ne çështja e nenit që ka të bëjë me kufizimin e imunitetit është e mbyllur. Është bërë një punë e lavdërueshme nga ana e Komisionit tonë të Ligjeve dhe nga relatori Pandeli Majko. Është arritur në një pozicion të përbashkët mbi variantin e ofruar nga ne dhe është miratuar në parim dhe nen për nen i gjithë ndryshimi që ka të bëjë me imunitetin. Kjo është çështje e mbyllur.

 

Do ta votoni më 6 gusht apo jo?

Më 6 gusht ne nuk do të votojmë. Kjo nuk ka të bëjë me ndryshim qëndrimi lidhur me ndryshimin tanimë të realizuar për sa i përket imunitetit, por ka të bëjë me një qëndrim të qartë, publik dhe besoj koherent në raport me Kushtetutën dhe me qytetarët për domosdoshmërinë që ndryshimet kushtetuese të bëhen si një proces, i cili mbyllet vetëm kur janë diskutuar të gjitha propozimet. Kemi pasur dy propozime për imunitetin, një propozim i PS dhe një propozim i PD. Kemi rënë dakord më në fund për propozimin e PS, që prej vitesh ka qenë i qartë: Duhet bërë ndryshim kushtetues dhe duhet bërë në këtë formë. Më në fund erdhën në pozicionin tonë. Tani kemi edhe një sërë propozimesh të tjera që presin të kalojnë në sitën e një diskutimi të hapur, transparent dhe me të gjithë ata që kanë diçka për të thënë drejtpërdrejt lidhur me Kushtetutën, ekspertizë vendase, ekspertizë ndërkombëtare, institucione të drejtësisë dhe pastaj do të vijmë tek votimi i të gjithë këtyre propozimeve të marra së bashku.

 

Nga propozimet tuaja, përveç imunitetit, veçohen ato që lidhen me mënyrën e zgjedhjes së Prokurorit të ri të Përgjithshëm, propozohet me 84 vota. Propozohen anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese, sërish me 84 vota. A çon kjo në krizë? Po të kemi parasysh se me 84 vota tani zgjidhet vetëm Avokati i Popullit dhe u deshën dy vjet që të zgjidhej.

Nejse, ajo nuk kishte lidhje me krizë. Ajo kishte lidhje me krizën politike dhe institucionale që e kishte mbërthyer vendin për arsye që dihen dhe të mos i kthehemi. Dhe praktikisht, në momentin kur u çlirua parlamenti dhe vendi nga ajo krizë për shkak të atyre ndryshimeve që ndodhin, zgjedhja e Avokatit të Popullit u bë në një kohë shumë të arsyeshme dhe mishërim i një vizioni që ne e përfaqësojmë dhe e mbrojmë për mënyrën se si duhet të zgjidhen drejtuesit e institucioneve kushtetuese. Për sa i përket këtyre ndryshimeve të tjera, iu jemi referuar me po atë zell shtetndërtues dhe me po atë pasion politik atyre Kushtetutave që iu referuam edhe kur bëmë ndryshimin për zgjedhjen e Presidentit. Pikërisht se pranuam që Presidenti të mund të zgjidhet dhe me një shumicë të thjeshtë në fund të procesit për të shmangur një krizë që çon në zgjedhje dhe pastaj prapë në zgjedhje. Nuk kemi pse të mos pranojmë që atë çka e garantonte deri dje Presidenti i zgjedhur me 3/5 duhet tani ta garantojnë 3/5 e parlamentit për të votuar propozimet e Presidentit. Besoj që kjo do të ishte një reformë strukturale e qenësishme e cila pa asnjë dyshim do të na vendoste në një dritë shumë pozitive në vigjiljen e provimit të vjeshtës në Bruksel.

 

Pra, ju po thoni se jeni dakord që Presidenti, pavarësisht rezervave që keni pasur kohët e fundit deri në zgjedhjen e Presidentit të ri që e kërkuat konsensual të vazhdojë të zgjidhet me 71 vota. Por, kompensimin e kësaj të bëhet për procese që…

Duke iu referuar kushtetutave të një numri vendesh, të cilat iu jemi referuar edhe për ndryshimet kushtetuese që kemi bërë, pasi nuk i kemi shpikur.

 

Që ta kuptojnë dhe shikuesit. Ato kompetenca që kishte Presidenti i zgjedhur me 3/5, tani meqë ky President nuk zgjidhet me 3/5, t’i kalojë parlamentit si një lloj garancie. Kjo është?

Ekzakt.

 

Shumë thonë se vitin tjetër dhe keni deklaruar që do të vini në pushtet. A nuk do të ishte mirë edhe për ju që t’i zgjidhni ju anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Prokurorin e Përgjithshëm?

Këtu ndryshojmë ne nga pala tjetër. Ne nuk duam të vijmë në qeveri për të kapur shtetin. Ne duam të qeverisim Shqipërinë për të ndërtuar një shtet të të gjithë shqiptarëve dhe për të ndërtuar një shtet ku pushtet kushtetuese të jenë ndarë jo vetëm në letër, por të funksionojnë si të tilla dhe ku institucionet të mos jenë nën kontrollin e partisë apo koalicionit të partive që qeverisin në atë periudhë kohe.

 

Ju thatë që i gjithë meraku juaj është që në vjeshtë të kapim kohën për çështjen e marrjes së statusit të vendit kandidat nga ana e Shqipërisë. A nuk do të ishte në ndihmë të këtij procesi votimi në 6 gusht i ndryshimeve të arritura deri tani dhe mos pengimi në shtator pastaj?

Absolutisht 6 gushti nuk përbën asgjë tjetër përveçse një datë të vendosur në mënyrë arbitrare nga njëra palë.

 

Edhe ju keni qenë në Konferencën e Kryetarëve…

Kemi qenë kundër datës 6 gusht.

 

Në datën 6 gusht, grupi juaj parlamentar do të jetë në seancë?

Ne, pa asnjë diskutim nuk do të lëmë asnjë rast pa vazhduar të ndaj me publikun vizionin dhe pikëpamjet tona për këtë proces ndryshimesh Kushtetuese, i cili duhet të jetë një proces me një fillim dhe me një fund. Fillimi është diskutimi tanimë i përfunduar për imunitetin dhe fundi është kryerja e të gjithë procesit të diskutimit për të gjitha ndryshimet e propozuara. Dhe pastaj, procesi përmbyllet me një votim për secilin prej ndryshimeve të propozuara.

 

Dhe kjo nuk do të ndodhë në 6 gusht, dhe ju do të jeni në sallë?

Ne do të jemi për të diskutuar në rast se ashtu siç e kërkon edhe logjika më e thjeshtë, 6 gushti mbetet në fuqi si një seancë që normalisht nuk ka pse të zhvillohet në kushtet kur nga njëra anë çështja e imunitetit është mbyllur dhe nga ana tjetër opozita ka thënë se nuk do të votojë më 6 gusht.

 

Në këtë proces, në këto diskutime midis partisë suaj dhe Partisë Demokratike në parlament papritur ka dalë një protagonist politik, jo se është i panjohur, përkundrazi, Pandeli Majko. Ka një afrim të ri midis jush sepse po shikoj një Pandeli Majko si në kohët e tij më të mira këto ditë?

Nuk ka asnjë afrim të ri sepse s’ka pasur asnjë largim të vjetër. Por, duke qenë se Pandeliu ka qenë protagonist në shkrimin e Kushtetutës për  shkak të pozicionit të tij atëherë. Duke qenë se është anëtar i kahershëm i Komisionit të Ligjeve dhe duke qenë se ai vetë dëshiroi që të merrte përsipër mbrojtjen e kësaj çështjeje si relator gjendet në vijën e parë për të ekspozuar dhe argumentet tona për këtë proces të ndryshimeve Kushtetuese.

 

Duke qenë në këtë vijë të parë ai bëri një deklaratë duke thënë se basti i Edi Ramës është largimi i Sali Berishës nga politika. Është në fakt basti juaj?

Në fakt ky është një titull i një gazete në Kosovë. Por, siç ndodh rëndom, titujt e nxjerrë nga intervistat e njerëzve të politikës janë një kompromis midis asaj çfarë thuhet dhe asaj që botuesit bëjnë për të tërhequr më shumë lexuesit.

 

E vërteta ku është në raport me ju të paktën?

Unë nuk vë baste si parim. Në rastin konkret do të thosha që simbolikisht në rast se mund ta marrim bastin si metaforë, ky është një bast i një gjenerate të re për të realizuar më në fund ndarjen nga politika e vjetër e cila mishërohet e tëra në qenien dhe mënyrën e qeverisjes së kryeministrit.

 

Dhe ju nuk do të largoheni nga politika e fituar këtë bast?

Tani, nuk kemi pse hymë në përbetime të tilla. Unë besoj që ne jemi shumë pranë fitores dhe në vitin 2013, në zgjedhjet e ardhshme do të realizojmë atë ç’ka nuk arritëm dot të realizojmë plotësisht në zgjedhjet e shkuara, ku megjithëse fituam votat nuk arritëm dot të zgjidhemi për shkak të gjithë atyre që ndodhën dhe jam i bindur se do të hapim me votën e qytetarëve një faqe të re në historinë e këtij vendi.

 

Ju thatë që ndryshimet në Kodin Zgjedhor tashmë ua japin këtë mundësi. Mbas zgjedhjeve të 2013 me këto ndryshime në kod, ka më të thuhet se na i vodhën, na i grabitën, fitorja është në kuti?

Zgjedhjet nuk i fiton kodi, zgjedhjet nuk i vjedh kodi, zgjedhjet nuk i garanton deri në fund kodi. Kodi është një platformë rregullash të cilat duhet të respektohen nga palët dhe pa asnjë dyshim që barra kryesore për zbatimin e kodit, i takon qeverisë. Ne besojmë që me ndryshimet e bëra kemi rritur disa garanci në letër për një proces zgjedhor më të lirë, më të ndershëm dhe më transparent. Dhe jemi të bindur se pavarësisht që pala tjetër dhe Saliu do të bëjnë gjithçka janë përpjekur gjithmonë për të ndryshuar fatin e zgjedhjeve, në 2013 fatin e zgjedhjeve do ta vendosë vota e popullit shqiptar.

 

Nuk do të ketë më alibi?

Unë nuk besoj që në të shkuarën ka pasur alibi. Unë besoj që kemi mbrojtur një të vërtetë e cila tanimë është një e vërtetë e pranuar nga të gjithë, që në Shqipëri deri më sot nuk ka pasur zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe që rezultati i zgjedhjeve nuk i është përgjigjur domosdoshmërish vullnetit të qytetarëve që kanë marrë pjesë në zgjedhje.

 

Përtej kodit, keni lexuar besoj mirë gabimet tuaja dhe kjo është pjesë e kësaj garancie që jepni këtë radhë?

Quajeni si të doni, por besoj se nga ana tjetër vlen sigurisht eksperienca e betejës e vitit 2009 dhe ashtu siç vlen edhe eksperienca e vitit 2011 në Tiranë për të përmirësuar të gjitha aspektet e makinerisë sonë organizative dhe për t’ia dalë që mbështetur mbi masat e reja që kemi marrë të frenojmë hordhinë e manipulatorëve dhe të nxjerrim nga kutitë rezultatin e vendosur nga populli me votë.

 

Që të mbyllim këtë pjesë, por edhe pjesën e zotit Majko. Në fakt ju thatë se nuk ka ndonjë afrim të ri, por fakti është që ju e keni propozuar në takimin e dytë me Berishën, në tryezë, për President. Si është e vërteta e këtij momenti?

E vërteta e këtij momenti është që kur kemi folur për kandidatura që duhet të ishin politike ose jo unë e kam sjellë në vëmendjen e të pranishmëve emrin e Pandeli Majkos duke avokuar që po të jetë se flasim për kandidatura politike të cilat nuk janë anatemuar nga pala tjetër deri në pikën që të bëhen të papranueshëm për të, sikundër pretendohej për Bujar Nishanin nga ana e kryeministrit dhe i kam kundërofruar që në vend që të na kërkonin ne që të pranoni Bujar Nishanin, ata të pranonin Pandeli Majkon. Por ky është një detaj i një bashkëbisedimi të gjatë që pak a shumë dihet nga publiku se si është zhvilluar.

 

Nëse ndryshimet kushtetuese nuk bihet dakord që të ndodhin, ju do ta votoni heqjen e imunitetit?

Ne do ta votojmë për çdo ndryshim që ne do të kemi bindjen se duhet votuar pro. Ne kemi bindjen që të gjitha ndryshimet e propozuara prej nesh nga imuniteti deri tek ndryshimi i fundit duhen votuar pro. Këtu nuk do të vendosim një barrikadë për të thënë “O të gjitha, o asnjë”, por do të votojmë pro për secilën nga ndryshimet që ne kemi propozuar.

 

Pra, do të votoni pro edhe për heqjen e imunitetit pavarësisht nëse bëhen ose jo ndryshimet Kushtetuese?

Për heqjen e imunitetit do të votojmë sepse është varianti ynë që është pranuar. Urojmë që pala tjetër të pranojë edhe propozimet e tjera. Por, ndërkohë, publiku duhet të ndjekë këtë debat për të parë se në fakt këtu kemi një ballafaqim dy vizionesh krejt të ndryshme për shtetin dhe krejt të ndryshme për të nesërmen e këtij vendi. Kemi nga njëra anë vizionin tanimë të mishëruar në një shtet i cili jo vetëm po merr të gjitha konturet e një partie, por po shfaq dhe simptomat e një shteti policor me përgjimin e opozitës, madje edhe të diplomatëve të huaj, në një njësi ilegale përgjimi në Ministrinë e Mbrojtjes…

 

A i keni provat për këtë, se kjo është “Watërgate”?

… Dhe kemi nga ana tjetër një vizion krejt të ndryshëm diametralisht të kundërt të një force politike që është e angazhuar për një rilindje shqiptare e cila thotë se edhe pse sot një vit ne do të qeverisim Shqipërinë, ju propozojmë disa ndryshime në Kushtetutë për të forcuar dhe rritur pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe për t’i dhënë parlamentit një mundësi të plotë që të vendosë me më shumë se sa shumicën e thjeshtë për dekretet e Presidentit të Republikës.
Përgjimet janë të vërteta të gjitha? Keni prova?

Ne jemi absolutisht të mirinformuar dhe thjesht e vetëm fakti që Ministri i Mbrojtjes dhe qeveria refuzojnë të kontrollohen në rrugën Kushtetuese dhe ligjore nga parlamenti i Shqipërisë, nga deputetët e opozitës dhe nuk provojnë dot ndërkohë të kundërtën, mjafton për të vërtetuar se kjo është e vërteta dhe vetëm e vërteta. Përgjohet opozita që prej shkurtit të vitit 2011 nga një njësi përgjimi të ngritur ilegalisht në Ministrinë e Mbrojtjes me një aparaturë të blerë në mënyrë korruptive. Madje se edhe kur bëjnë diçka të fshehtë edhe atyre duan që përveçse të bëjnë të pabërën si në rastin konkret, por edhe të fitojnë lekë. Janë përgjuar edhe diplomatë të huaj të nivelit të lartë. Ka pasur përgjime edhe në periudhën kur negociohej për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

 

Ju me siguri jeni një nga të përgjuarit kryesor…

Nuk kam as më të voglin dyshim për këtë dhe nuk kam as më të voglin kokëçarje që dëgjojmë në rrugë ilegale atë që në fakt unë e kam të hapur dhe e them edhe publikisht. Por, nga ana tjetër, ky element është elementi i shtetit policor, jo i një shteti demokratik. Dhe arsyeja pse ne i kërkojmë që ky proces të zhvillohet deri në fund i hapur dhe në sytë e veshët e të gjithëve është që shqiptarët të kenë mundësi t’i shohin dy vizione krejt të ndryshme për dy të ardhshme krejt të ndryshme për ta.

 

Nga ato që janë përgjuar bëni ndonjë verifikim midis deklaratave publike dhe bisedave ku i riktheheni në kohë. Ku janë përkimet pas 21-janarit dhe gjatë periudhës së zgjedhjes President?

Nejse, ne kemi shumë informacion edhe nga brenda Ministrisë së Mbrojtjes. Por, duhet të kryejmë të gjitha kontrollet e nevojshme për të mundur të dalim në konkluzione më konkrete. Besojmë ndërkohë se edhe vonesa e stërzgjatur në hapjen e dyerve të ministrisë për kontrollin, lidhet me përpjekjen për të fshirë gjurmët dhe për të pastruar territorin përpara se sa aty të hynë deputetët dhe ekspertët që ne kemi ndërkohë identifikuar për të na ndihmuar për të bërë kontrollin.

 

Ju thatë që janë përgjuar dhe ambasadorë shumë të lartë…

Diplomatë të huaj të nivelit të lartë, por preferoj ta mbyllim këtë kapitull sepse nuk është se kemi mundësinë të ekspozojnë këtu më shumë informacion.

 

Po hymë në një sezon të ri politik, i cili është sezon elektoral në fakt. PS ka probleme brenda, do të hyje më e çarë, më e fraksionuar, si do të jetë?

Unë besoj që PS është e bashkuar. Nga PS nuk duhet pritur asnjëherë ajo që shihet në anën tjetër, një rresht të gjatë ku identiteti i vetëm është kryeministri i pari i rreshtit dhe nga ana tjetër besoj që procesi i të shkuarjes përpara drejt fitores së vitit 2013 është dhe një proces i konsolidimit të gjithë organizimit të PS në funksion të fitores.

 

Fitoren në fushë e përcakton dhe fanella, që do të thotë fryma. Ka filluar kjo frymë?

Unë besoj që sot shqiptarët janë plotësisht të vetëdijshëm që nuk vazhdohet më kështu. Besoj që sot nuk ka qytetar të arsyeshëm që i ha dokrrat e Saliut mëngjes, drekë dhe darkë. Besoj që sot nuk ka shqiptar që dëgjon me veshët e tij dhe që gjykon me sytë dhe vëmendjen e tij që të mund të hajë këtë dokrrën e fundit se një klub miliarderësh në PS dashka të mbajë imunitetin dhe se kryeministri nuk qenka në gjendje të hapi vende pune, nuk qenka në gjendje të rrisë më shumë rrogat e pensionet, nuk qenka më shumë në gjendje të japë më shumë ndihmëm ekonomike se e pengoka opozita. Sot kryeministri thotë: Çfarë të bëj unë i shkreti, unë një copë kryeministër jam se të gjitha këto i ka në dorë opozita. Sot shqiptarët e kanë të qartë se problemi nuk janë sipërmarrësit të cilët kanë hapur vende pune dhe kanë paguar taksa, dhe pastaj kanë hyrë dhe në politikë nëpërmjet radhëve të opozitës. Por janë kryeministri dhe ministrat që janë bërë sipërmarrës. Është qeveria e kthyer në një kompani fitimprurëse që po grabit përditë nëntokën dhe mbitokën e vendit, dhe që nuk është në gjendje më t’i përgjigjet interesave kombëtare dhe publike, dhe interesave të qytetarëve. Ky është problemi, për këtë ka vetëdije. Jam i bindur që ka vetëdije të madhe. Duhet të ndërtojmë tani vetëdijen se ne nuk jemi ana tjetër e medaljes, se me fitoren tonë nuk do të fitojë e keqja më e vogël, por do të fitojë një alternativë e re, por do të fitojë një skuadër dhe një program, dhe një lider, që në rastin korrekt unë si kryetar i PS-së kur të jem kryeministër i vendit në mënyrën më absolute do të imponoj në emër të programit dhe të vlerave dhe parimeve të kësaj force që do të jetë lokomotiva e koalicionit, një qeverisje radikalisht ndryshe në sjellje dhe veprim.

 

Po si do t’u përgjigjeni atyre zërave që bashkëpunoni me Milon, bashkëpunimi me Ngjelën, bashkëpunoni apo uluni në tryezë dhe me Berishën, por nuk bashkëpunoni dot me Nanon?

Bashkëpunimi me Milon, Ngjelën, Gjinushin, Petro Kocin, me Kurt Kolën dhe të gjithë të tjerët me radhë është bashkëpunim me aleat opozitarë të cilët përfaqësojnë segmente të opozitës politike sot në Shqipëri. Ndërkohë që në Partinë Socialiste as nuk ka vend dhe as nuk do të lihet vend për asnjëlloj lëvizje me çfarëdolloj justifikimi që cenon milimetrikisht kohezionin dhe rrugën tonë të përbashkët e cila është një rrugë e qartë kur të gjithë janë të ftuar të japin kontributin e tyre, po kur askush s’mund të lejohet dhe s’do të lejohet që të pengojë shkuarjen përpara të të gjithë forcës politike kompakte drejt fitores së zgjedhjeve të ardhshme në bashkëpunim me të gjitha partitë dhe të gjitha lëvizjet që janë krijuar dhe që mund të krijohen, dhe që janë të mirëpritura në një koalicion të madh opozitar.

 

A jeni penduar zoti Rama për darkën e Gjirit të Lalzit, që jo vetëm që nuk prodhoi president konsensual, jo vetëm që nuk çoi në rrëzimin e qeverisë, por çoi me sa duket në rifreskimin e marrëveshjes midis PD – LSI me futjen e 3 ministrave të rinj në qeveri dhe zgjedhjen e Bujar Nishanit, një drejtues të lartë të PD-së si President.

Unë as nuk jam penduar dhe as nuk kam arsye të pendohem për asgjë që kam bërë dhe bëj në shërbim të aspiratave të mia dhe të aspiratave të forcës politike që unë kam nderin e madh të udhëheq, që përputhen me aspiratën e madhe të vendit. Përpjekja ime ishte një përpjekje e bërë me zemër dhe mendje të kthjellët për të ndërtuar një proces dialogu me të gjithë kundërshtarët. Për sa i përket kryetarit të LSI-së, historia e përbashkët me dritë dhe me hije e bënte të mundur edhe një takim informal jo në një mjedis publik. E shfrytëzova këtë mundësi për t’i dhënë gjithçka mundesha dhe mundeshim procesit që synonim të ndërtonim dhe që shpresonim të realizohej për të mirën e vendit dhe jo për interes të Partisë Socialiste. PS s’kishte asnjë kandidat të vetin për t’iu imponuar askujt, por ishte vënë në dispozicion të procesit. Dihet botërisht dhe jemi shumë krenar për gjithë sa përpjekje bëmë dhe nuk kemi asnjë arsye që të ndihemi në vështirësi as për rezultatin sepse ne nuk i kishim numrat për të zgjedhur Presidentin. Por t’i kishim numrat do të kishim ndërtuar me patjetër konsensusin me palën tjetër dhe shpresojmë që shumë që të ketë ende shpresë për të marrë një përgjigje pozitive në tetor nga Komisioni Europian.

 

Kush është gjykimi juaj sot për Ilir Metën dhe a do të vazhdoni të joshni LSI-në për një koalicion parazgjedhor për 2013?

Gjykimi im për të në raport me procesin është se e nisi mirë, e mbaroi si mos më keq. Aq mundi, aq deshi apo çfarë, kjo është një çështje që nuk më takon fare mua të humbas kohë për ta analizuar. Por, për sa i përket LSI-së qëndrimi ynë është i qartë dhe transparent prej kohësh. LSI është pjesë e koalicionit qeverisës dhe për sa kohë do të jetë nën koalicionin qeverisës do të jemi përballë dhe do ta mundim bashkë me koalicionin qeverisës përmes një koalicioni që do ta ndërtojmë me të gjithë forcat dhe që individët që janë në opozitë dhe që kërkojnë një ndryshim rrënjësor duke filluar nga rrëzimi me votë popullore i këtij koalicioni të kthyer në regjim.

 

Nëse LSI-ja në 2013 do të zgjedhë të jetë me PD-në në koalicion zgjedhor. Pas zgjedhjeve nëse matematika do të kërkojë…

Nuk do të kemi nevojë për asgjë të kësaj natyre. Zgjedhjet do t’i fitojmë me koalicionin që do të ndërtojmë me qendër graviteti Partinë Socialiste të Shqipërisë.

 

Kur pashë në tryezën e dytë të ulur Sali Berishën me Ilir Metën, Shpëtim Idrizin dhe Edi Ramën, pra 3 të majtë për të negociuar një President konsensual 3 me 1 dhe nuk u arrit. Fillova të mendoja se si është e mundur që PS e ka në program çështjen çame, por kur s’ka arritur ta fusë dot Partinë për Drejtësi Integrim dhe Unitet në fokusin e interesave të veta politike. Nga ana tjetër më prishej deri diku filmi kur kam parasysh që kurrë nuk e keni sulmuar Shpëtim Idrizin.

Është e vërtetë që PS me kurajë dhe ndershmëri e ka përfshirë çështjen çame në programin e saj. Por për pyetjen që bëni besoj se duhet të pyesni Shpëtim Idrizin a e ka çështjen çame në program. Pyetini dhe kërkojini që t’ju thotë se çfarë ka bërë përderisa është pjesë e qeverisë për atë çfarë ka shpallur në program.

 

Janë të mbyllura përfundimisht dyert për të?

Unë besoj që në raport me këtë çështje dhe në raport me të gjithë këtë komunitet i cili prej kohësh kërkon një adresim të kësaj çështjeje PS është kryelartë si një forcë e madhe shqiptare që sigurisht ka nga njëra anë kurajën që të mos fshihet prapa gishtit për diçka që është aty dhe nga ana tjetër guximin që të thotë: “Po, kjo është një çështje që duhet adresuar”. Mekanizmat e adresimit të saj duhen gjetur dhe nuk mund të jetë as një çështje që mbyllim të gjithë sytë dhe bëjmë sikur s’ekziston dhe as një çështje me të cilën të bëhet spekulim për interesa të ngushta politike dhe të hidhet një valle nacionaliste e cila sjell si rezultat vetëm përfitime për ata që hedhin valle, por nuk sjell asnjë rezultat për çështjen vetë.

 

Por, çështja çame që të jemi realist ka dy pamje, ka dhe PBDNJ të Vangjel Dule. Jeni ftohur me të kohët e fundit siç thonë zërat?

Unë e vlerësoj shumë Vangjel Dulen. Ky nuk është një vlerësim që buron nga konjuktura e sotme. Është një vlerësim i kahershëm. Kemi kohë që njihemi dhe kemi pasur rastin t’ia vlerësoj inteligjencën dhe kurajën e madhe politike. Dhe pa asnjë dyshim, jo vetëm unë, por edhe Partia Socialiste e çmon PBDNJ-në dhe lidershipit e saj përmes Vangjel Dules si një vlerë shumë të qenësishme të koalicionit që kemi dhe të koalicionit që duam të ndërtojmë. Besoj se jo vetëm kjo çështje, por asnjë çështje në rast se vendoset në tavolinë dhe trajtohet me kurajo, por edhe me mençuri dhe maturi, nuk mund të jetë problem për forca progresive dhe për njerëz të ndriçuar të cilët shohin nga e ardhmja dhe nuk janë të kapur me fijet e së shkuarës. Vangjel Dulja është i tillë.
Meqë po flasim për koalicionet dhe meqë folëm pak më përpara për zotin Majko. Zoti Majko është shprehur për një bashkëpunim të mundshëm midis PS dhe FRD të Bamir Topit dhe Aleancës KuqeZi të Kreshnik Spahiu. Ju në fakt i keni quajtur dy PD të reja. A do i ftoni dhe këto dy parti në koalicion?

Është e vërtetë që Pandi ka bërë një ftesë publike duke logjikuar se opozitat duhet të bëhen front në kushtet kur realisht kur kemi konturimin e një shteti parti me simptomat e një shteti policor dhe me një qasje të qartë për të kontrolluar çdo qelizë të shtetit në funksionon të pushtetit. Dhe me këtë logjikë ka apeluar ndaj AK-së dhe FRD-së. Ne jemi të hapur. Por, unë mbetëm i mendimit që ato janë parti të djathta, apelojnë drejt një elektorati të djathtë dhe nga ana tjetër dua ta bëj të qartë se koalicioni ynë ka gravitet programin tonë. Sigurisht që ne kemi bërë ndryshime shumë të qenësishme në program dhe kemi adresuar në mënyrën më të hapur, por dhe me mekanizmat më konkret edhe çështje deri dje tabu të të majtës dhe monopol të së djathtës, pronat, ish të përndjekurit politik dhe në këtë kuptim jam i bindur që është një gravitet ku nuk ka arsye pse të mos përfshihen parti të djathta. Madje kemi forca të djathta të zëshme që janë pjesë e koalicionit dhe që përfaqësohen nga të përndjekur politik si Spartak Ngjela apo Kurt Kola. Por nga ana tjetër koha do të tregojë se si do të zhvillohen dinamikat në tërësi.

 

PDK-në dhe Nard Ndokën e keni humbur përfundimisht si aleat?

Nuk e kam këtë informacion. Unë e kam një bindje që të qenit në opozitë nuk është funksion i asnjë llogarie pragmatike sepse nuk jemi në një Shqipëri normale, nuk jemi në një vend normal. Nuk kemi nga një anë një koalicion demokratik dhe nga ana tjetër një koalicion demokratik të majtë, jemi në kushtet e një regjimi. Nuk mund të ketë asnjë arsye më të madhe se sa arsyet morale që i kanë vendosur në opozitë të gjitha forcat politike, e cila t’i çojë drejt flirtit me pushtetin aktual. Unë dua të shpresoj se ka hapësirë për t’u kuptuar dhe për të vazhduar koalicionin dhe me partinë e Nardit dhe jemi plotësisht të hapur që diskutojmë me të siç kemi filluar të diskutojmë me të gjitha forcat aleate.

 

Pra mbi bazë formulash korrekte bashkëpunimi?

Jemi të hapur.

 

Ju thatë që treni opozitar këtë radhë do të jetë më i madh se 2009…

-Është e vërtetë.

 

Ka surpriza?

Unë besoj që po. Por koha është indikatori më i mirë.

 

Po flisnim për një tren. Për njerëz në kuptimin figurativ, për shumë vagonë mundësisht, për njerëz që hyjnë dhe zbresin nëpër vagonët përkatës, por që edhe të tjerë, një pjesë e madhe, siç thatë ju, do ta vazhdojë këtë votim. Timonieri, trenisti, ku do të kandidojë? Do të kandidojë këtë radhë dhe a do të jetë i pari i listës diku?

Nuk kam asnjë arsye që të mendoj për vendin në listë, jo se jam kryetari i partisë, por se nuk mendoj që numrat në listë janë renditje sipas vlerës. Për më tepër po të shikoni eksperiencat e vendeve që kanë procese zgjedhjesh me lista rajonale vendosin në fillim edhe njerëz krejt të ri për arsye të ndryshme. Por, sigurisht që do të jem një nga kandidatët patjetër si të gjithë të tjerët.

 

Ju i keni thënë kryeministrit Berisha në tryezën e dytë të diskutimit për Presidentin që do të jeni ju kryeministri i 2013-ës. A mund të na thoni në këtë logjikë 3 gjëra të rëndësishme që ju do t’i keni ndryshe nga kryeministri Berisha?

Së pari, nuk do t’i tregoj njerëzve përralla, por do të kërkoj që të ndajmë sëbahsku sfidën e modernizmit dhe të rritjes së mirëqenies së këtij vendi. Së dyti, do të merrem me qeverisjen e punëve të vendit dhe nuk do të merrem me opozitën dhe nuk do t’u them njerëzve s’kam çfarë të bëj unë i shkreti, unë një copë kryeministër jam se opozita e ka fajin për çdo gjë që këtu nuk funksionon. Dhe së treti, do të lë në punën e tyre pushtet që nuk varen nga kryeministër dhe do të bëj çmos që të mbështes forcimin e institucioneve të pavarura për aq sa ka detyrë qeveria të bëjë në fonde, infrastrukturë e kështu me radhë, duke bërë çmos njëkohësisht që të ndërtojmë një administratë publike që të mos jetë një shëmbëlltyrë e kapjes së shtetit dhe e ngjashme me një pushtim të një partie, por të jetë sa më shumë shëmbëlltyrë e Shqipërisë që është Shqipëria e gjeneratës së re që meriton një shtet serioz dhe një shtet që u shërben të gjithëve.

 

Ju jeni shprehur kohët e fundit, por jo vetëm, në lidhje me disa kontrata të qeverisë siç është çështja e lotarisë kombëtare, siç kanë qenë çështjet e privatizimit të objekteve ushtarake apo mënyrës së dhënies së pronave shtetërore apo kombëtare privatit, se do t’i shikoni me themel ligjet apo kontratat për ato që kanë shkelje dhe abuzime. Në fakt një premtim të tillë e kishte bërë dhe zoti Berisha në vitin 2005, kujtoj këtu çështjen e Telekomit, kujtoj këtu çështjen e kazinosë, kujtoj këtu çështjen e energjisë me serbët dhe kështu me radhë. Kush është garancia që nuk do t’i harroni këto premtime që i keni bërë sot?

Së pari, opozita fjalën ka dhe garanci për fjalën është ajo çka njerëzit mund të gjykojnë në profilin e premtuesit, në rrugëtimin e tij deriatyshëm. Por në fund të fundit është prova e të vërtetës. Unë besoj se në demokraci nuk është paragjykimi se edhe këta mund të bëjnë njësoj që duhet të lënë në pushtet ata që tanimë e kanë provuar që nuk e bëjnë. Nuk është paragjykimi se edhe këta nuk do ta mbajnë fjalën për këtë gjë, ndërkohë që ata që janë në pushtet nuk e kanë mbajtur dhe s’kanë shans ta mbajnë fjalën për atë gjë. Nuk është paragjykimi se edhe këta nuk do i bëjnë gjërat ndryshe përderisa ata që janë pushtet e kanë dhënë provën përfundimisht se gjërat do t’i bëjnë vetëm keq e më keq. Por, është vota që thotë se ju që shkelët çdo pikë të kontratës me ne duhet të largoheni, shkoni në opozitë, riorganizoheni dhe hajdeni me mend të tjera. Ju të tjerët që prej kaq vitesh jeni në opozitë dhe keni kaq kohë që na thoni se ju do ta bëni ndryshe urdhëroni mundësinë për ta bërë ndryshe. Dhe në rast se nuk e bëni, demokracia këtë fuqi ka dhe populli sovran këtë forcë madhore ka që thotë që jo: Vazhdojmë ndryshimin.

 

Në 2013 mund të ndodhë rotacioni, mund të ndërrohen kuajt e karrocës, siç njihet në gjuhën e politologjisë, mund të shkoni ju tek karrigia e kryeministrit. Por shumë kush thotë që një gjë nuk do të ndryshojë ndoshta, paradhoma. Do të jenë po ata që janë sot në paradhomën e Berishës edhe në paradhomën tuaj…

Unë besoj që kam plot gojën për të thënë se e gjitha do të ndryshojë në mënyrë radikale. Sigurisht që ndryshimi nuk mund të ndodhë as brenda natës dhe as brenda katër viteve si një tonalitet ku gjithçka kthehet përmbys. Por ama për sa më takon personalisht si një kryeministër i Shqipërisë nuk kam as më të voglin dyshim kur u them shqiptarëve se qysh ditën e parë qasja e kryeministrit të vendit ndaj publikut ndaj sipërmarrjes, ndaj medias, ndaj institucioneve të drejtësisë, ndaj gjithë institucioneve të tjera kushtetuese do të jetë radikalisht e ndryshme. Kjo është një gjë që është në tagrin tim personal dhe si individ unë këtë mund ta premtoj pa as më të voglin gajle.

 

Dhe një pyetje të fundit në lidhje me këtë. Të gjithë ata që analizojnë një ardhje të mundshme në pushtet dhe bërjen tuaj kryeministër në 2013 pas zgjedhjeve bëjnë një analogji me profilin dhe tipologjinë politike të Sali Berishës në 2005, përpara se të rikthehej në pushtet. Dhe thonë që Sali Berisha mbaroi të gjithë betejat që kishte brenda partisë së vet dhe kishte luksin madje që të rikthente dhe ata që i kishte mundur në këto beteja dhe t’i fuste si të ardhur në kabinet, i kishte mbaruar të gjitha betejat dhe kishte të gjithë fuqinë absolute dhe personalitetin e padiskutueshëm më nga kushdo tjetër për ta sulmuar si lider alternativ. Pra, ishte një lider i gjithëpranuar nga të gjithë tashmë dhe kjo brenda partisë së vet. Dhe e dyta. Vetë Sali Berisha në parlament përpara disa ditësh kur u votuan ndryshimet e Kodit Zgjedhor tha që “unë ndryshe nga Edi Rama, jam një njeri që i mbaj aleatët e mi dhe jap garanci për këtë”. Keni ju një qasje të tillë që të garantoni edhe brenda të gjithë edhe aleatët gjithashtu kur të vini në pushtet si një garanci?

-E para punës njëherë, unë s’kam fare këtë pamje kaq heroike të Sali Berishës, jo se nuk jam në gjendje që t’i njoh meritat që ka kundërshtari, por sepse nuk ia shoh meritën e të qenit ky burrë i madh që shembi malet sepse praktikisht arriti të kalojë vetëm përmes një mali që u ça, që ishte mali i votës së majtë. Përmes një mali që u ça dhe që fatkeqësisht nuk arriti dot të ngjitej në 2009 sepse në të dyja rastet Sali Berisha do të kishte thyer hundën tek ai mal. Ky është fakt. Megjithatë le të mos qëndrojmë këtu. Ajo që unë dua t’i garantoj shqiptarëve është e kundërta, që unë qeverinë e Shqipërisë nuk e shoh si një bajrak ku i them këtë parcelën këtu merre ti aleati im dhe bjeri, nxirrja fundin, këtë parcelën këtu merre ti tjetri aleati im dhe nxirrja fundin. Këto parcela nuk janë parcela dheu’ ku aleatët iu bie bretku për të mbjellë dhe për të korrur, por këto parcela janë sistemi arsimor shqiptar, sistemi i fshatit shqiptar, – e ku di unë – , sistemi i çështjeve sociale në Shqipëri, sistemi i mjedisit dhe i peshkimit në Shqipëri. Këto janë copa Shqipërie që iu hidhen në emër të besnikërisë aleatëve dhe që në fund fare i del tabani Shqipërisë. Për çfarë duhet të ndryshojë atëherë kjo qeveri që të vijë një qeveri tjetër me fytyra të tjera, me një ngjyrë tjetër të flamurit apo me koleksion tjetër flamujsh dhe të bëjnë të njëjtën gjë, që në fund të fund fare të mos ngelet asgjë nga Shqipëria? Unë mendoj që këtu duhet të ndryshojë radikalisht qasja dhe për këtë duhet të ndryshojë radikalisht patjetër dhe kultura e koalicioneve dhe kultura e bashkëpunimit, dhe marrëdhëniet midis aleatëve dhe funksioni i koalicionit, e të gjitha këto me radhë. Ky është një proces i dhimbshëm sepse këtu bëhet fjalë për të shembur një traditë të tërë të mbrapshtë. Por unë jam i bindur që po vijmë dalëngadalë në këtë pikë. Jam i bindur që me aleatët tanë do të gjejmë gjuhën sepse kemi edhe një avantazh që jemi në një rrugëtim ku jemi ndeshur me të keqen dhe kemi kaluar momente shumë të vështira sëbashku, të cilat padyshim kanë farkëtuar edhe një ndërgjegje demokratike bazuar dhe në një eksperiencë. Ne nuk vijmë për të përsëritur gabimet e vjetra, gabime patjetër që do të bëjmë. Mua më pëlqen gjithmonë të kujtoj shprehjen e një Presidenti amerikan që tha se nuk do t’i krenohemi amerikanëve se s’do të bëjmë gabime, por i krenohemi se s’do të bëjmë gabimet e bëra.

 

Zoti Rama folëm për problematikën e brendshme dhe të parlamentit, por edhe të gjithë sezonit politik. Ka një qasje tjetër, ka një element tjetër, ka një dimension tjetër që nuk e kemi prekur, ai të raportit të PS dhe tuajin me ndërkombëtarët. Më 21 janar dhe deri më 28 janar gjithkush thoshte se Edi Rama është një njeri që nuk i dëgjon ndërkombëtarët. Madje filluat dhe të merrnit kritika për këtë. Pas kësaj duket sikur gjërat kanë ndryshuar, ju po i dëgjoni të gjithë, natyrisht edhe zotin Arvizu…

Besoj se nuk është e vërtetë që thuhej përpara se unë isha i padëgjueshëm për gjithçka thuaj dhe nuk është e vërtetë që thuhet tani që dëgjoj gjithçka që më thuhet. Sigurisht i kam dëgjuar dhe i dëgjoj me shumë respekt miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë. Padyshim miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë nuk është aspak sekret, dihet botërisht që ambasadori i SHBA-ve është ai që ka dhe kreun e vendit sepse ky është edhe pozicioni i Shqipërisë në raport me SHBA-të që në Shqipëri kanë kreun e vendit dhe me plot të drejtë.

 

Si janë në fakt marrëdhëniet tuaja me zotin Arvizu?

Besoj që janë marrëdhënie shumë të mira dhe besoj që janë marrëdhënie të një luajaliteti reciprok.

 

Në fakt, nga të gjithë ambasadorët janë profile të ndryshme, vijnë shumë të spikatur, shumë të rëndësishëm. Por, besoj se do të mbahet mend gjatë në Shqipëri ambasadori i një vendi të vogël si Danimarka, ambasadori Jansen. Si e shpjegoni ju këtë? Ai ka mbajtur qëndrime të troçta, ka thënë të vërteta që ndoshta mund të mos jenë dakord me të gjitha, por i ka thënë dhe ato kanë mbetur, janë komentuar, ka krijuar debat dhe shpeshherë polemika.

Unë kam një respekt të jashtëzakonshëm për ambasadorin e Danimarkës dhe sigurisht këtë respekt ma bën të jashtëzakonshëm dhe qëndrimet e tij dhe drejtpërdrejtësia me të cilën ka folur. Besoj që i ndihmuar nga fakti se ishte ambasadori i një vendi të vogël, ambasadori i një vend të madh në momentin kur vjen dita për të folur aq drejtpërdrejt…

 

Duhet të jetë në pension…

Jo, jo. Do të thotë që ka probleme shumë serioze midis vendit të madh dhe vendit ku flitet. Por, ndërkohë nga ana tjetër unë besoj që edhe vendi më i madhe, dhe aleati ynë më i madh SHBA-të kanë folur shumë troç, madje në një mënyrë rrëqethëse me raportin e Departamentit të Shtetit për gjendjen e lirive dhe të drejtave në Shqipëri, dhe për gjendjen e përgjithshme të funksionimit të shtetit në Shqipëri.

 

Një dimension i rëndësishëm i një kryeministri, post të cilin ju e synoni dhe për këtë do të hyni edhe në zgjedhje vitin tjetër është ai i raportit me të huajt, me ndërkombëtarët. Çfarë duhet të presin të huajt, ndërkombëtarët nga Edi Rama kryeministër dhe çfarë ju duhet të bëni ndryshe nga Sali Berisha kryeministër kur të jeni në postin e tij?

Unë besoj që pa asnjë dyshim nuk do të shpenzoj asnjë qindarkë të popullit shqiptar për të lobuar kudoqoftë në funksion të fshehjes së deformimeve të qeverisjes apo më keq akoma të demokracisë në Shqipëri. Kjo është e sigurt. Asnjë qindarkë e popullit shqiptar.

 

Ju përmendët Amerikën si një vend që ka dhe një rol të posaçëm, sigurisht si një aleat strategjik. Por, nuk duhet të fshehim edhe një të vërtetë, që edhe zoti Berisha është një proamerikan. Ku duhet të ndryshoni në këtë pikë?

-Saliu është një proamerikan i gatshëm për të çuar trupa kudo e kërkon angazhimi ynë krah për krah SHBA-ve dhe në këtë pikë nuk ndryshojmë në asnjë milimetër. Aty ku ndryshojmë është një pikë tjetër që Saliu nuk është proamerikan kur është puna për të respektuar vlerat dhe parimet e demokracisë amerikane në jetën e përditshme demokratike shqiptare. Në atë pikë anon nga një taleban se sa një proamerikan. Unë besoj që jam proamerikan edhe në këtë pikë. Dhe atë adhurim që shqiptarët kanë dhe që unë e kam në pjesën time për SHBA-të dhe që lidhet me gjithçka kanë dhënë për vizionin e një bote të lirë dhe demokratike, jam i bindur që si kryeministër do ta kem pjesë të vetëdijes sime në qeverijsne e këtij vendi. Në këtë pikë ndryshimi është i thellë dhe realisht botët janë të ndara plotësisht midis meje dhe kryeministrit të sotëm.

20 komente në “INTERVISTA/ Rama: S’votojmë më 6 gusht. ‘Treni’ i koalicionit, shumë i gjatë. Imami na përgjoi gjatë negociatave për presidentin”

    1. getozoari says:

      Ishte nje paraqitje mjaft e kthjellet e Rames, nuk e humbi toruan e as u inatos, po foli shtruar si njeriu i cili do te drejtoje kete vend qe nga 2013. Me e mira ishte qe foli me fytyren e popullit, per problemet reale te vendit, dhe i denoi haptas pallavrat e kryedemokratit Sali, i cili eshte nje makth per vendin e tij.

    2. gavrili says:

      Ky eshte tamam kryeminister per kete vend. Di se cthote jo si ai tjetri qe te gjtihe pyesin veten :”cfare pi ky njeri” sa here hap gojen. Edi Rama do votohet masivisht ne 2013, per te hequr njehere e mire mamuthin Sali ng apolitika.

    3. umbro says:

      Me sa duket ketej nga ne – cdo gje eshte e qarte fare – Shqiperia eshte ne piken e vlimit dhe vetem nje ndryshim ne shtet mund ta qetesojhe situaten te ti krijoje pak shprese popullit shqiptar. PS do fitoje ndersa PD do shkoj te fshihet nga ligji.

    4. demos says:

      Forca Opozita Bashkuar. Poshte Regjimi!

  1. fatmiri says:

    e keqa e shqiperis nuk eshte imuniti po eshte maskarai pisi zagari talibanezi putini mafiozi debili klyshi qe mashtron nji popull idjot ne emer te demokracis.z SALI po ky ska lidhje nga demokracia Votoj me fis me gjak me burra me gra me qen e me mace per EDI RAMEN

    1. mitico says:

      shume per te qeshur, eh koke moj koke, s’paske ditur qe ka dhe te tille njerez ne kete bote. Deri kur do te mesosh injorancen e njerezve?????????

  2. E.H says:

    TE LUTEM hiqi keta shtazet e skraparit dhe tropojes qe po na zhysin.
    SINQERISHT NJE SKRAPALI!

  3. biolog says:

    nuk thuhet “trn i madh” po “tren i gjate”. Rama paska nis me kopju fjale per fjale editorialet e Meros. Ti kopjoj mir t pakten

    1. coku says:

      fort rama.shtrengoji fort se nuk kane ku te shkojne.

  4. Nik says:

    Si janë në fakt marrëdhëniet tuaja me zotin Arvizu?

    Besoj që janë marrëdhënie shumë të mira dhe besoj që janë marrëdhënie të një luajaliteti reciprok.

    Ha ha ha.Maredheniet tuaja me Arvizun jane:Ti je “YES MAN” i Arvizut.Ti do te besh ate qe te ka urdheruar Arvizu te besh, qe ne fund te fundit eshte ajo qe deshiron Sala. Nuk thua kund a do te vihet drejtesia ne vend kur flitet per krimet e Saliut,Shkelzenit apo Metes. Eshte fatkeqesi qe je ne krye te opozites ne momentin kur vendit i duhet nje lider. Cdo dite qe kalon merr me shume tipare te karakterit te Nanos dhe funderrinave te tij ne PS:Blushi,Malaj,Islami.

  5. loni says:

    edhe sikur te marrin statusin per ne europe mos kujtoni o shqiptare se do te ndryshoje ndonje gje,,mos kujtoni se do behet deti kos dhe do hame tere jeten kos qyl,,europa nuk po i jep ndihme shteteve qe rindertoje po vete qe jane edhe krishtere,,sic eshte spanja,italia,potugalia,irlanda,se grekun e ncorren fare me duket nga lista,,dhe do na japin neve,,asgje nuk do ndryshoje,,perseri nje vize pune 2 vjecare per ne amerike do jete po 16 mij dollare,,hyrem ne nato cfare pame,asgje,,u liberalizuan vizat cfare ndryshoi,perseri asgje,,edhe me statusin asgje nuk do ndryshoje,,vete ne si popull mund ti bejme ndryshimet,,askush tjeter,,sic eshte ajo shprehja e vjeter qe thote,,nuk mbahet gruaja me bolet e tjetrit,se ke mbaruar pune ti si burri i asaj,,prandaj edhe ne nuk do na mbajne te tjeret po moren statusin,,ne duhet ta mbajme vete veten tone,,nuk na pelqen saliu pershembull ta heqim me vote,,te gjithe ne si popull ta votojme kundra,,po jo ti cojme rival me votat,,ps 70 deputete,,edhe pd 70 deputete,,llogjike eshte qe nje deputet apo dy deputete saliu apo edi do ti vjedhi po qe ne qeveri,,se po ti cojme 100 deputete ps prsh,,dhe 40 pd,,saliu olldashi apo me i bukri nuk mund te vjedhi 30 apo 40 deputete,,sic beme me votat e bashkise,,per 10 vota diference,,dihesh qe do ti vidhnin,,se po te ishte diferenca 10000 mij vota nuk kishte se cfare te bente as saliu por as arvizjo,,prandaj pyesni bythen mire kur te vijne votimet,,europa nuk ndryshon gje se kemi 20 vjet qe nuk po i shohim hajrin,,me pak fjale na duan keshtu qe te jemi uzmiqaret e europes kurve…

  6. homeri says:

    —-Politikan me vizion krejt ndryshe nga te tjeret , i drejte perdrejte ne komunikim dhe me vullnet dhe pasion tashme te vertetuar per ti realizuar . Gjera qe i ka thene dhe me pare po mire ben qe i perserit per ta bindur kete popull te votoi ndryshimn e domosdoshem
    —-P o deshiroj ti kujtoj HAJRIUT se vetem me qeverisjen socialiste ceshtja CAME do te jete ne agjenden qeverisese dhe parlamentare , Ne se duan verte te behet dicka per ceshtjen came te largohen si paterice e Berishes , ne te kundert ashtu si shprehet EDI ata jane ne qeveri per interesa te tjera , pra per para –apo jo HAJRI–

  7. kel ukaj says:

    Nuk jam socialist por jam absolutisht per te mbeshtetur Z. Edi Ramen. Ta mbeshtesim me te gjitha mjetet per ta çliruar shqiperine nga rrumpalla. Ne shpresojme qe Z. Edi Rama nuk do te na tradhtoje siç beri Sali Vuçidoli.
    Sa per pergjimet nuk kane asnje vlere eshte injoranca e ketij pushteti pusht qe si diktaturat islamike-komuniste don te dije punet e huaja e jo me punet e veta.
    Sa per aleancat une mendoj qe filozofia Marksiste ka vdekur edhe teoria e ndarjes se shoqerise ne klasa ose siç thuhet Majtas, Djathtas. Majtas jane komunistet e klasa punetore e djathtas jane mbretrit aristokracia pronaret e tokes etj, sipas meje nuk funksinon. Jam qe Z. Edi Rama te organizoje te gjithe ata qe jane kunder Gerdecit e 21 Janarit, te gjithe ata qe e duan shqiperine ne Europe, te gjithe ata qe jane per nje shtet dinjitoz e modern per nje administrate ne sherbim te popullit pavaresisht nga ngjyra, te gjithe ata qe duan institucione demokratike e te ekujlibruara, te gjithe ata qe jane kunder “luftes se ftohte” e “politikes se tensionit” te aplikuara me sukses nga Sali Krimineli.
    Z. Rama ne kerkojme vetem nje gje ndershmeri e trasparence e mjaft. Ne nuk pranojme dhe nje dite do te denohen te gjitha ata qe mund te bejne marreveshja jashte rrugeve legale per te shpetuar kriminele. Me direkt asnje marreveshje me Kriminelin Sali per ti shpetuar gjykimit. Do te afrohet kjo marreveshje (jam i sigurte) ne kembim te zgjedhjeve te lira, do te afrojne edhe para per te komprementuar. Asnje marreveshje vetem respekt per ligjet e institucionet. Se nuk do te pranosh marreveshjen e para mund edhe te kercenojne me vdekje, ndoshta edhe te kane kercenuar. Per kete duhet ti besh menjehere publike. Z. Rama duhet te bene kujdes per jeten nga keta persona mund te pritet gjitheshka.

  8. Per radiozbuluesin says:

    Radiozbulues,

    Ti je i kohes se rrotaxhileve te Farkes. Tani kane ndryshuar punet dhe objekti.

  9. elida says:

    Uroj o edi te fitosh kësaj rradhe e mos ta marrë sala bukën nga dora prap.inshallaa. Por kur te vish në pozitë fillo me diskretitimin e aferave korruptive e vrasjeve te saliut me shokë e me serbët e rusët që ka nga pas ky taleban që po ja rrjep shqipërisë edhe rrashtat e trupit.Po se bone këtë dije se arkën e shtetit e ke bosh e do thysh kokën kështuqë mos i lini avionat me lek si në 97 te dalin nga shqiperia siç me tha kushërira ime që ishte ekonomiste e që jepte thjesht faturat te gjallica(ku humbi dhe shtëpinë e vet)qe natën fundit paratë ishin ne një magazinë gati sa një stadium e madhe e cila ishte e mbushur tumllas sa kur i binin thasët e fundit me lekët e popullit tim të mjerë deri në orën 22 nuk I zinte vendi ene I shtyjshin me gjithë forcën me këmbët e veta e dilshin shpejt nga magazinë se i merrej fryma .Ikën në shtëpi te lodhur e te sfilitur nga rradhët e njerëzve që sillnin lekët me yxhym të madh,e kur erdhën te nesërmen ne mëngjes nuk gjetën asnjë monedhë 10 qindarkëshe e shokuan nga gjendja që gjetën sa asaj desh i iku truri e u mek e nuk fliste dot nga tronditja qe pësoi.Medet njerzit e shkrete besuan qeveritarte e tyre për tu bo të pasur se kështu u shpreh dhe saliu:paratë e popullit janë te pastra nëpër firmat piramidale.por saliu me shokë djersën e pastër te këtij populli te fituar me gjak e perdhosi,e peshtyu,e syrgjynosi nëpër bankat e botës e mbushi xhepat e vet bashkë me fatos nanon bixhozxhi qe luajti si në bixhoz me jetën demokratike te këtij vendi,e ilir metë që vodhi shufrat me flori te thesarit tonë e sa vetë kanë vrarë e përdhosur këto palavosë e sa po vjedhin si të babzitur e po e kthejnë këtë popull e këtë vend si një prostitutë që gjithkush ne pushtet e vjedh e përdhunon dhe e permjerr

  10. e ardhmja says:

    O RAM HIQ DORE NGA ELOKUECA PERDOR ZHARGONIN E POPULLIT,BEJE ME TE THJESHTA KOMENTET QE TE KUPTOJE POPULLI NESE E DO ME VETE.PERSE NUK I AKTIVIZON ATO 63 TRANGUJT QE KE NE PARLAMENT,PSE FLASIN VETEM KATER PESE VETE E TE TJERET VEGJETOJNE.jEPU URDHER TE PAKTEN TE MBROJNE FAMILJET E GRATE E TYRE KUR JA U SHAJNE ME LIBER SHTEPIE NJERZIT DHE TE ZGJEDHURIT E OPOZITES.BEN MIRE TE SHOHESH RENDIMENTIN E TYRE POLITIK.JANE KTHYER NE VEGJETUES TE RENDOMTE,E MEZI PRESIN RASTIN TE TA DREDHIN.

  11. CIU-CIU-CRRRRRRR says:

    NUK VOTOJME ME 6GUSHT;BOJKOTON DY VITE PARLAMENTIN,proteston,GREVE URIE KUNDER LIBERALIZIMIT TE VIZAVE,PROTESTA KUNDER ANTARSIMIT NE NATO,KUNDERSHTON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT ,TE GJITHA TE MIRAT VIEN NGA KOKEDERRI RAMA DHE NGA DISA IDHTAR SLLAVORTODOKS TE JUGUT.

  12. ELENA GJIKA says:

    ASHTU ESHTE EDI DUHEN TE MBROHEN MILJARDERET E TU TE KORUPTUAR PRA IMUNITETI NUK DUHET VOTUAR

  13. lori says:

    I nderuar Ed rrumpalla(pasi po e merr zoterote kete nofke tani):Pergjimin nuk ta ka bere Imami,por Saliu!Edhe ky i fundit ka marr urdher nga “mavriu”,nga ai qe te hoqi nga kryebashkiak,nga ai qe ne vodhi votat duke futur flete votimi te pavlefshme naten e te jepte garancira diten,nga ai qe te nxorri nga greva e urise nga ai qe te tha hesht per 4 te renet nga ai qe sot hajduterve,krimineleve u vendos medalje e te ndershmerit i ç’nderon,nga ai qe te moraleshmit i quan te pa moraleshem e te pamoraleshmit “burra shteti” ,nga ai qe per te rrezuar Berishen duhet te rrezosh te parin ate!Kjo eshte perballja Juaj qe duhet te beni e te mos na tregoni peralla se kush ju pergjoi e per ç’fare ,kur dihet boterish se Ju jeni edhe sot e kesaj dite me pergjues ,ndoshta perse jo edhe ne xhep.Lerini Imamet te zbatojne urdherat e peranorise e na thoni ç’fare do beni!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje