Ja FOTOJA e takimit mes Thaçit dhe Nikoliç

20 Mars 2013, 18:09Rajoni TEMA

Gazeta Express ka siguruar një foto të momentit kur Kryeministri Hashim Thaçi dhe Presidenti serb, Tomislav Nikoliç, i shtrënguan dorën njëri-tjetrit, të martën në prag të ceremonisë së inaugurimit të Papës së ri, Françeskut.

Takimi thuhet se ka zgjatur shumë pak dhe ai më shumë ka qenë simbolik – diçka që kishte ndodhur verën e kaluar në Dubrovnik, kur Thaçi kishte takuar ish-Presidentin serb, Boris Tadiç.

Sipas gjitha gjasave, takimi është përgatitur nga diplomacia amerikane.

Siç dihet, Thaçi dhe Nikoliç të hënën mbrëma takuan secili Zëvendëspresidentin e SHBA’së, Joe Biden, i cili i inkurajoi dy liderët që të arrijnë marrëveshje për çështjet e mbetura në tavolinën e dialogut që po ndërmjetësohet nga Baronesha Catherine Ashton.

Por një zyrtar i afërt me Kryeministrin ka thënë se ka qenë pikërisht Nikoliç ai që i është afruar Thaçit, duke mohuar se takimi ishte i përgatitur.

“Kryeministri Thaçi ka qenë duke biseduar me Kancelarin austriak, kur pranë tij ka shkuar Presidenti serb dhe ia ka zgjatur dorën”, ka thënë zyrtari i afërt me Kryeministrin e Kosovës, në kushte anonimiteti.

Edhe në foto duket Kancelari austriak, Werner Faymann (i treti nga e ana e djathtë)./EXPRESS

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje