Mikrosofti në krizë, apo…

18 Korrik 2014, 08:57Lifestyle TEMA

Shkurtimi i 18 mijë vendeve të punës, numri më i madhi ndonjëherë në historinë 39-vjeçare të Mikrosoftit, ka ngritur shumë pikëpyetje rreth të ardhmes së kësaj kompanie gjigande.

Pyetja e parë që të vjen ndërmend është: Çfarë po ndodh me Mikrosoftin?

Në fakt, ndryshe nga sa u mendua fillimisht, për një “tërmet” në kupolën drejtuese të kompanisë që ndërton sistemet e operimit të kompjuterëve dhe celularëve, ky ndryshim radikal ishte pjesë e strategjisë së Drejtorit të ri ekzekutiv, Satja Nadella.

Ai mori drejtimin e Mikrosoftit më 4 shkurt dhe vendosi prioritetet e reja të kompanisë, për ta ringritur atë në nivelet e dikurshme. Gjithçka nisi nga analiza e gjendjes aktuale, të dhënat e të cilës nuk ishin aspak optimiste: Sistemi i operimit Windows i Mikrosoftit përdoret nga vetëm 14% të pajisjeve. Këtu përfshihen kompjuterë, celularë të mençur dhe tabletë.

Duke parë dhe trendin, ku gjithçka po shkon drejt telefonisë së lëvizshme dhe arkivave virtuale, filozofia e re e Nadellës për Mikrosoftin është: “Celulari, i pari; Reja, e para” (mobile-first; cloud-first).

Analisti i FBR Capital Market & Co., Daniel Iv, tha se ndonëse me masa drastike, këto shkurtime do të përmirësojnë në planin afatgjatë situatën brenda Mikrosoftit.

Ai shtoi se pas disa viteve të vështira, më në fund ka ardhur një drejtues i cili nuk do të riaktivizojë resurset e vjetra, por vendos që në fillim objektiva të rinj. Dhe qëllimi është që Mikrosofti të bëhet faktor në tregun e telefonave të mençur dhe një lojtar kyç në jetën virtuale.

Në këtë linjë, kompania njoftoi më herët dhe ndërprerjen e projektit të telefonave celularë me sistem operimi Android. Nadella kërkon fuqizimin e sistemit Windows, përmes rritjes së shërbimeve në linjë, aplikacioneve dhe pajisjeve të reja. Ajo që mund të themi me siguri është se epoka e Bill Gejts ka përfunduar.

Fytyra e re e Mikrosoftit është Satja Nadella.

2 komente në “Mikrosofti në krizë, apo…”

  1. AA says:

    “Celulari, i pari; Reja, e para”

    “Ju jeni te paret; Tirana eshte e para”

    Le te shpresojme qe Nadella nuk do e katranose me keq se Lulushja… hahaha ?

  2. albi says:

    shkurtimet priteshin, meqe u bashkuan dy kompanite Microsoft dhe Nokia, e si rrjedhim kishte mbivendosje pozicionesh. Besoj se kush do perfitoje me shume, do jene perdoruesit, pasi konkurrenca Windows-Android-iOS ben qe teknologjia te ece perpara me hapa me te shpejte.
    Fjalia e fundit qe epoka e Bill Gates ka marre fund eshte konkluzion qe nuk shitet as te tregu cam. Bill Gates, sipas vete Nadella-s eshte nje nga keshilltaret e tij me te afert.
    Edhe nje gje te fundit, sikur gjithe miliarderet, qofte ata qe kane filluar nga zero, si Gates, qofte ata qe jane te trasheguar, te benin 1/10 e asaj qe ka bere Bill Gates me fondacionin e tij per njerezit, bota do ishte nje vend me i mire…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje