Ina Rama dhe Shpresa Beçaj/ Fajtor është Presidenti?

30 Shtator 2014, 10:16Politika TEMA

Të gjitha shkeljet në dosjen e KLD-së. Çfarë synojnë firmosësit e kërkesës për shkarkimin e dy antarëve të KLD-së dhe si u “shit” për fajtor vetë Presidenti i Republikës në takimin në Kuvend nga njerëzit e “tij”

Nga Lorenc Vangjeli*

 

Këtë javë pati një moment mjaft të nxehtë në debatin për KLD-në që çuditërisht ka kaluar në heshtje. Një moment në të cilin, për situatën në KLD, pothuaj u shpall fajtor me emër, mbiemër dhe vend pune vetë Presidenti i Republikës. Dhe kjo jo nga maxhoranca, e cila e bën rregullisht një gjë të tillë sa herë që vjen rradha për të folur për zotin Nishani, por nga ana tjetër e “barrikadës” politike. Për një arsye apo një tjetër, të martën mbasdite, në mbledhjen e komisionit të ligjeve, nënkryetari i këtij institucioni sulmoi pothuaj hapur Presidentin e Republikës. Në zhargon, ai lloj sulmi i “sinqertë” quhet shitje sepse kështu u perceptua më pas: shitje e menjëhershme. Ndodhi mbas një pyetjeje të deputetit Petrit Vasili, kur përgjigja e nënkryetarit të KLD-së habiti jo pak ata që e dëgjuan. Menjëherë më pas ndërhyn dhe kryetari i komisionit Fatmir Xhafaj dhe nënkryetari i KLD-së “kompletoi” shitjen si të fajshëm të Presidentit të Republikës. “Nuk është faji im, duhet ta bënte presidenti”, tha ai.

Revista Java mundi të sigurojë debatin e plotë të zhvilluar në këtë komision, ku dy deputetët e maxhorancës duket se kanë luajtur rolin e “dy maceve që gjuajnë të njëjtin mi”, aty ku e lëshon njëri, e sulet tjetri.

Petrit Vasili: …është çështja e  qëndrimit ndaj ish-kryetares së Gjykatës së Lartë dhe ish- prokurores së Përgjithshme… Këshilli i Lartë i Drejtësisë çmoi që nga kërkesat t’u kthente përgjigje vetëm disave? A kishit ndonjë motiv që nuk u shpjeguat pse nuk ka hyrë në rend të ditës emërimi i tyre?

Elvis Çefa: Akuza e ngritur nga grupi i deputetëve për shkelje të ligjit në mosshqyrtimin në kohë të kërkesës së ish- Prokurores së Përgjithshme dhe ish-kryetares së Gjykatës së Lartë është se nuk i keni marrë në shqyrtim. E tha edhe zoti Lelçaj, pak më parë, se kjo ligjërisht nuk është kompetencë e asnjërit prej anëtarëve të KLD-së, por është kompetencë e kryetarit të këtij Këshilli. Nuk ka pasur një objekt vendimmarrjeje nëse do t’i fusim në rendin e ditës  këto apo jo. Për këtë arsye ajo nuk është parashtruar në atë relacion, meqenëse është një çështje që për sa i përket  procedurës nuk është diskutuar asnjëherë, sepse është diskrecion i një vendimmarrjeje  të dikujt tjetër.

Petrit Vasili:  Shkuam tutje me këtë përgjigje. Nuk besoj se duhet të thërrasim Presidentin për të dhënë shpjegime për këtë çështje. …Mendoj se ideja që përgjigjen duhet ta kthejë kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në një kohë që funksionaliteti i rolit tuaj është i qartë, nuk besoj se është përgjigja e duhur në këtë rast.

Fatmir Xhafaj: Në vazhdim të   pyetjes së zotit Vasili, do t’ju bëja një pyetje. Me sa di unë, ju personalisht në cilësinë e zëvendëskryetarit të KLD-së keni të drejtën procedurale për të propozuar futjen në rendin e ditës  të një çështjeje të caktuar. Që nga momenti i emërimit tuaj e keni ushtruar, ju ndonjëherë këtë të drejtë?

Elvis Çefa: Me sa më kujtohet, zoti kryetar, nuk jam i sigurt, por  më duket se e kam ushtruar në një rast.

Fatmir Xhafaj: Rendin e ditës e harton kryetari  që në këtë rast është Presidenti i Republikës, ju vetë e keni këtë të drejtë, të thoni që unë kërkoj që në rendin e ditës  të shtrohet një apo dy çështje. E keni ushtruar  këtë ndonjëherë ju?

Elvis Çefa: Më duket se në një apo në dy raste, nuk jam i sigurtë, por sqaroj  se kanë qenë çështje për të cilat Kryetari i Këshillit Drejtues nuk ka qenë në dijeni. Në të  dy rastet në fjalë, që kolegu juaj, zoti Vasili, ngriti, kërkesa i është drejtuar paralelisht edhe Presidentit, pra edhe Presidenti ka qenë menjëherë në dijeni të kërkesës së dy personave në fjalë.

Fatmir Xhafaj: …kur e kishit këtë mundësi, përse nuk e  keni ushtruar këtë të drejtë, pavarësisht  se ajo është një tagër i tij?

Elvis Çefa: Sepse kam gjykuar se për sa kohë Presidenti i Republikës është në dijeni të çështjes,  ky diskrecion është kushtetueshmërisht i tij.

Këtu mbyllet ky dialog, por ndërkohë dëmi ishte bërë. Edhe pse media, pikërisht këtë detaj nuk mundi ta shënojë, shija e asaj që pritet të ndodhë shumë shpejt u la e plotë.

 

Rolet e ndryshuara

Ka një moment të pandryshueshëm në politikën shqiptare që bind për rrumbullakësinë e “portokallit”, siç thuhet dhe krahasohet në zhargon me frutin e çmuar vetë bota e madhe. Dy vjet e gjysëm më parë ka firmosur për procedurën e shkarkimit të ish-nënkryetarit të KLD-së nga detyra. Për një kapriçio të fatit, dy vjet e gjysëm më pas, ai vetë dhe juristi që i zuri vendit nënkryetarit të KLD-së së atëhershme, sot janë të dy në të njëjtën situatë: ju kërkohet largimi nga detyra që mbajnë në KLD. Ky është fati i rrumbullakët i Elvis Çefës dhe Lulzim Lelçajt, të cilëve maxhoranca e sotme politike po ju kërkon të largohen nga institucioni që qeveris gjyqësorin. Për më shumë, me argumente të cilat, janë edhe në thelb të shqetësimit të sotëm dhe që i ngjajnë dhe arsyeve të djeshme që sollën largimin e K. Spahiut nga detyra. Eshtë krijuar dhe njëherë e njëjta histori, ku për të njëjtën situatë, varësisht qëndrimit në pozitë apo opozitë, PD reagon në mënyrë të ndryshme.

Në janar të vitit 2012, një grup prej 28 deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, firmosin për fillimin e procedurës së shkarkimit nga detyra të nënkryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu, duke u bazuar në nenin 147 të kushtetutës dhe nenin 114 të rregullores së Kuvendit. Ndër të tjera, në materialin e firmosur nga deputetët e PD-së, atëherë në pushtet shkruhet: “Shqetësimet e Kuvendit të Shqipërisë për gjendjen e gjyqësorit, luftën ndaj korrupsionit, paanësinë në gjykim, transparencën, të shprehura në rezolutat e përvitshme të Kuvendit për sistemin e drejtësisë apo në rezolutat për integrimin europian të Shqipërisë, me dashje janë anashkaluar dhe zëvendësuar me veprime dhe qëllime tërësisht të një axhende politike personale”. Dhe më tej: “…Detyrimi i vetëm kushtetues i antarit të zgjedhur nga Kuvendi në KLD është përcjellja e frymës së organit legjislativ në KLD”. Pak a shumë, i njëjti shqetësim që ka ngritur prej kohësh një maxhorancë e ndryshme në ngjyrë në Kuvend, por që has kundërshti të fortë nga ata që deri dje mendonin në këtë mënyrë.

 

Politikë në KLD

Revista Java ka mundur të sigurojë një pjesë të debatit parlamentar në komisionin e ligjeve të martën, në prani dhe të dy antarëve të KLD-së Çefa dhe Lelçaj, por në mungesë të deputetëve të opozitës. Ndodhej vetëm deputeti Nard Ndoka nga ai krah. Relatori Ulsi Manja flet gjatë dhe në vija të përgjithshme prezanton kërkesën e 39 deputetëve të maxhorancës për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa dhe Lulëzim Lelçaj. Komisioni i Ligjeve e shqyrton këtë kërkesë në zbatim të nenit 114 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë. Sipas tij, në kërkesë renditen dhjetë shkaqe për të motivuar këtë shkarkim. Ato shkojnë që nga lejimi i konfliktit të interesit në promovimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, tek zgjedhja e një anëtari të KLD-së, si drejtor i Shkollës së Magjistraturës apo zgjedhja e një tjetër anëtari të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si gjyqtar i Gjykatës së Apelit Tiranë, në kundërshtim me ligjin “Për organizmin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare”. Deputeti Manja përmend mosemërimin si gjyqtarë të magjistratëve që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitet 2012-2013-2014. Një gjë që ka ndodhur  tej çdo afati ligjor në emërimin e 16 magjistratëve, që përfunduan studimet në vitin akademik 2011-2012 dhe 2012-2013, marrjen nga KLD-ja e kompetencave të Shkollës së Magjistraturës në testimin seleksionues të kandidatëve për gjyqtarë në gjykatat administrative apo marrjen nga KLD-ja e kompetencave të ministrit të Drejtësisë për shpalljen e vendeve vakante në gjykata. Sipas deputetit socialist, mosemërimi i kryetarëve të 28 gjykatave, në kundërshtim të hapur me ligjin, ka lejuar për shumë vite drejtimin e tyre nga kryetarë me mandat të paligjshëm. Po kështu, shkelje është konsideruar promovimi i gjyqtarëve. Eshtë konsideruar si shkelje e rëndë e ligjit edhe mosmarrja në shqyrtim të kërkesave të ish-kryetares së Gjykatës të Lartë dhe ish-prokurores së Përgjithshme, të cilat kërkonin rikthim në detyrat që kanë pasur para se të merrnin mandatin e tyre.

 

Mbrotja, më sulmojnë për politikë

Elvis Çefa zgjedh të njëjtën mënyrë të zakonshme mbrojtje që zgjidhet zakonisht në Shqipëri: më sulmojnë për arsye politike. Përpara deputetëve të komisionit të ligjeve ai thotë se e priste një kërkesë për shkarkimin e tij. “Ndërmarrja e një nisme të tillë ishte një rezultat i pritshëm i ngjarjeve të muajve të fundit, duke përfshirë  këtu jo vetëm sulmet mediatike kundër veprimtarisë së KLD-së në përgjithësi, por edhe sulmet  ndaj personit tim dhe më tej, miratimin në kohë rekord,  të ndryshimeve në ligjin organik “Për Këshillin e Lartë të Drejtësisë”, të kritikuara nga  publiku që në fillim, jo vetëm nga KLD-ja. Nisma e grupit të deputetëve vërtetoi në fakt  atë që jo vetëm unë e kam thënë  publikisht prej kohës që  reforma në drejtësi e mishëruar të paktën në dy  ligje të miratuara nga Kuvendi, në datën 1 shtator 2014, nuk synon asgjë tjetër përveçse eliminimin nga institucionet e drejtësisë të atyre personave që janë të padëshiruar”, thotë ai. Çefa, i cili është dhe në telashe penale për shkak të një dosjeje të denoncuar që në vitin 2011 në prokurori, shton gjithashtu se këtë kërkesë për shkarkim e konsideron antikushtetuese. Ai thotë edhe se ndryshimet e bëra në ligjin për KLD-në, janë çuar tashmë në gjykatën Kushtetuese dhe se duhet pritur vendimi i saj.

Edhe Lulzim Lelçaj është pak a shumë në të njëjtën linjë mbrojtjeje. Me një ton të zgjedhur ku nuk mungon as ironia, për sidomos një rast kur ai konsiderohet fajtor për një akt të kryer përpara se ai vetë të emërohej në KLD, ai e mbron veten duke sulmuar firmosësit e kërkesës për shkarkimin e tij. Megjithatë, dy ditë më pas, kishte rrjedhur edhe më shumë ujë: Kuvendi miratoi në seancë plenare ngritjen e komisionit hetimor për KLD-në.

14 komente në “Ina Rama dhe Shpresa Beçaj/ Fajtor është Presidenti?”

  1. gega says:

    Po kapterri kur e ka radhen?

  2. Qe te dyja pa asnje vlere per sistemin e drejtesise. Nuk e di se si i kane ngjitur shkallet me te larta te ketij sistemi.Ka shume thenie po nuk dua t’i permend.Te ankohet edhe Shpresa Beqa e cila edhe vete e di se ka marre nje vend shume te pamerituar.Po ky qenka sistemi. Edhe Shpresa te ngjise shkallet me siperore te gjyqesorit.Te regulloje vajzen pa asnje merite ne diplomaci dhe me pas edhe pasi te mbaroje mandatin(bingon apo llotarine) te zgjedhe serish pune. Ende nuk paska dale ne pension kjo .Une qe po ju shkruaj keto rrjeshta me besoni se nuk kam ndonje respekt per Bujar Nishanin.Por nese ka vepruar drejt ndonjehere ka vepruar per kete rast

    1. Dea says:

      Jam dakord me ju pjeserisht. Keto dy zonja nuk e meritojne te jene gjyqtare si persona, por ama, per shkak te ligjit duhet te emeroheshin aty ku kane qene, perpara se te merrnin detyra me te larta.

  3. luljeta says:

    eshte e vertete cka shkruan zoteria me siper. dy gra qe skane ditur te bejne kurre gje , por gjithsesi kane bere nje karriere te pamerituar..e pra kjo eshte e verteta ne shqiperi

  4. spiro says:

    POR CFARE FLISNI O TE MJERE .
    A E DINI SA A CMIMI PER NJE VEND NE APEL TIRANE A GJYKATEN E LARTE ?
    PSE NUK THONI PSE VIJNE VETEM RETHET E JO GJYQTARET E KARIERES SE TIRANES .
    DIKUR NJE MIKU IM I HUAJ DUKE MBYLLUR BISNESIN NE FIER KUR PALA KUNDERSHTARE KISHTE NE KRAH ISH KRYEPROKURORIN ME THA ;
    KUR SA TE TE JEM GJALLE SKAM PER TE PARE SHQIPERI NJE VEND ME REGULLA E LIGJE .SE PESHKUT NE SHQIPERI EHTE KALBUR KOKA .
    E KUR KOKA PRA SISTEMI CFARE KERKOJME.
    DHE TANI PAS 8 VITESH KUJTOJ ATE TREGTAR TE MENCUR QE HODHI MILIONA E IKU ME DUAR NE XHEPA SE JA MOREN ALABAKET FIERAKE.

  5. Topi says:

    po si kerkoni te vini perseri ne gjuqesor koto te dyja qe dhe ne semafor nuk i marrin me se jane thare shume. Perseri doni ta ndyni ate vend. Nuk po filloj te flas se sa shume e kane ulur rrolin e femres ne ate vend jo vetem duke u kurveruar per nje mije euro po duke denuar dhe njerez te pafajshem.

  6. Zef Kallami says:

    Shtyne pyka pyken.Si dhe:Larg bythes time.
    Keshtu do vetpastrohen keto qibanet apo cimkat e opingar Berishes te lulzuara me shkollimin Plepa Durrers.

  7. Jani says:

    Elvisi është xhepisttë të dyja këto bëjnë pis reformën

  8. NjeQytetarOptimist says:

    Kacurrelsin me dyllbi e perjashtuat brenda javes (njeriun qe kishit zgjedhur vete) tani eshte politike..

  9. nardone says:

    Ina per prokurore jo ,por per presidente do ta votoja me gjithe qejf,ka lezet te shohesh femra kaq simpatike per dite ne tv.

  10. 'stili> says:

    Si po ben keshtu vaki qe presidenti ine nuk zbaton ligjin e pranokan vete xhepistete k.l.d.po ky president a do te ankohet valle tek gj.kushtetuese, si e ka bere zakon ,.Ne c’kohera po jetojme , prit me mire e del me mut .Sakat presidenti eshte nga mendja , vafte ne djall, maskarai…!

  11. Punetori says:

    Ne Shqiperi c’do gje ka prapavij politike.Per deri sa duhet te zgjidhe problemin
    “KOMITETI I PARTISE”,qofte edhe per fshesaxhi shteti ka vdekur.Mjere ne qe duam te jetojme ne kete vend.Kjo eshte “PARAJSA”e pas vitit 1990.Kjo eshte EUROPA apo EGROPA.

  12. shpetimi says:

    Une nuk dua te besoj asgje, lidhur me cka aludohet per keto dy zonja prej ndonje komentuesi ketu.

    Por per nje gje jam me se i sigurte, se nqse keto dy zonja do binin dakord me presionet qe u benin Berisha dhe Meta per ceshtjet tronditese gjyqesore te asj periudhe, situata e tyre sot do te ishte krejt ndryshe.

    Pra shkurt une besoj ne integritetin e ketyre dy zonjave.

  13. Tironsi says:

    Nga e gjithe praktika e Gjyqesorit qe kemi njohur publikisht, sjellja profesionale dhe korrekte e dy zonjave te permendura ne kete artikull ka qene ne nivelin e duhur.Po ato natyrisht nuk jane te rrjeshtit te Gjin Gjonit dhe Elvis Cefes apo te ish-Kreshnik Spahiut , qe jane mesuar te marrin rryshfete te renda sa nuk i llogarisin dot parate dhe u ka dale problem dhe me ILDK .Komentuesit qe duan te hedhin balte mbi punen e te dy zonjave te nderuara duhet te jene pjestare te ndyresirave qe vazhdojne te mbajne peng sistemin e drejtesise ne Shqiperi.Vetem rasti i kundervenies se Znj Ina Rama ndaj Halldupit Berisha , vlen ta lartesosh kete zonje , dhe turp te kene gjithato te ashtuquajtur BURRA qe nuk i dolen ne mbeshtetje po e lane Horrin ish-Kryeminister te nxjerr ndyresirat me te poashtra nga goja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje