Meta takon kryebashkiakun e Gjenevës/Mirëpresim investimet zvicerane

15 Tetor 2014, 16:57Politika TEMA

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, gjatë qëndrimit në Gjenevë, në kuadër të pjesëmarrjes në punimet e sesionit të 131-të të Unionit Ndër-Parlamentar, u prit në një takim të veçantë nga kryebashkiaku i Gjenevës, Sami Kanaan.

Sipas njoftimit për shtyp nga Kuvendi, Meta tha se Gjeneva është një qytet i rëndësishëm për botën dhe në veçanti për Shqipërinë falë komunitetit domethënës shqiptar në Kanton dhe qytetin e Gjenevës.

“Kjo diasporë e mirëintegruar në Zvicër përfaqëson një urë të fortë lidhëse dhe bashkëpunimi mes dy vendeve dhe si e tillë duhet ta vendosim në funksion të intensifikimit të shkëmbimeve mes dy vendeve”, vuri në dukje  Meta.

Në këtë kuadër, kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe vëmendjen që Bashkia e Gjenevës i kushton komunitetit shqiptar dhe projekteve të tyre komunitare.

Kryebashkiaku i Gjenevës, Sami Kanaan, theksoi se komuniteti shqiptar përbën një kontribut të vyer për jetën multi-kulturore zvicerane dhe Gjeneva në këtë drejtim ka luajtur një rol parësor duke i mbështetur.

Dy zyrtarët ranë dakord për forcimin e bashkëpunimit, veçanërisht në fushat e trashëgimisë kulturore dhe turizmit. Në këtë kuadër, Meta e ftoi Kanaan të zhvillojë një vizitë në Shqipëri së shpejti.

Gjatë fjalës së mbajtur në pritjen e organizuar në Bashkinë e Gjenevës, kryeparlamentari shqiptar vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera me Zvicrën, si dhe mbështetjen zvicerane përmes Strategjisë së re të Kooperacionit Zviceran në Tiranë në fushat e demokratizimit, qeverisjes lokale, zhvillimit ekonomik, infrastrukturës urbane, energjisë dhe shëndetësisë.

“Shqipëria dëshiron ta forcojë këtë bashkëpunim dhe të mirëpresë më shumë investime zvicerane si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë e në gjithë rajonin e Ballkanit kryesisht në fushat e turizmit, energjisë dhe agropërpunimit dhe për këtë do ishte me vlerë edhe ngritja e një Dhomë të Përbashkët Tregtie mes dy vendeve”, tha Meta.

Ai po ashtu vlerësoi rolin e diasporës si një urë e fortë lidhëse mes kombit shqiptar dhe Konfederatës Zvicerane, Kantonit dhe Bashkisë së Gjenevës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje