Reforma në Drejtësi, debate mbi përfaqësimin e opozitës/ Ruçi: Rregullat nuk ndryshojnë në mes të lojës

9 Korrik 2015, 11:22Politika TEMA

Vendimi i Partisë Demokratike për t’i dhënë fund bojkotimit të Komisionit të posaçëm Parlamentar të Reformës në Drejtësi shkaktoi debate në fillim të punimeve të seancës së sotme të Kuvendit.

Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Eduard Halimi bëri të ditur se dy ditë më parë grupi i deputetëve të PD-së dhe PR-së i kanë përcjellë një shkresë Kuvendit ku kërkojnë ndryshimin e vendimit për ngritjen e komisionit të posaçëm, duke propozuar emrat e anëtarëve.

“Ne kërkojmë të futet në rend dite ndryshimi i këtij vendimi, që opozita të marrë pjesë dhe t’i hapet rruga përfaqësimit të saj në komision”, tha Halimi.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi tha se e respekton nismën e opozitës, e cila është e mirëpritur të jetë pjesë e komisionit, por  rregullat nuk mund te ndryshojnë në mes të lojës.

“Nuk jam njohur me përmbajtjen e ndryshimit të vendimit, por me aq sa tha z. Halimi rregullat nuk mund të ndryshojnë në mes të lojës.

Tani komisioni përkatës, siç ju e dini, është drejt përfundimit të problematikave që përmban reforma në drejtësi dhe ndryshimi i rregullave të lojës në fund të saj nuk  mund të bëhet.

Propozimi i bërë nga opozita do të thotë që ai të mos diskutohet, por të votohet”, tha Ruçi.

Referuar reagimit të deputetit socialist, Halimi akuzoi mazhorancën se po vepron në mënyrë të njëanshme, duke shpërfillur dhe rekomandimet e faktorit ndërkombëtar.

“Ju keni vepruar në kundërshtim me rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë. Ju nuk keni vullnet për reformën në drejtësi. Ndryshimet për KLD-në i bëtë që të hiqnit ata 3 anëtarë dhe t’i zëvendësonit me militantë. Të njëjtën gjë po bëni me Gjykatën e Lartë. Tërhiquni nga arroganca juaj. Ju nuk keni bërë asnjë strategji”, theksoi Halimi.

Por akuza u hodh poshtë nga Ruçi, sipas të cilit i vetmi problem në vijimësinë e reformës në drejtësi ka qenë mungesa e opozitës në Komision.

“Partnerët ndërkombëtarë kanë vlerësuar maksimalisht punën e bërë deri tani. Jam dakord që duhet të jetë reformë gjithëpërfshirëse dhe gjithçka që është bërë në komision, në mënyrë gjithëpërfshirëse është bërë. Ju nuk keni zhvilluar funksionin tuaj në komision dhe nuk keni dhënë kontribut”, iu përgjigj Ruci.

Në debatin mes palëve ndërhyri kryetari i Kuvendit Ilir Meta, i cili sugjeroi për më shumë kohë në diskutimin  kësaj çështje.

“Sugjeroj të mos e vazhdojmë këtë debat, se ndoshta do të duhet kohë për ta biseduar më tej këtë problem mes  kryetarëve të grupeve.

Ndoshta mund të na duhet të mbledhim dhe Konferencën e Kryetarëve, pasi nga ana proceduriale kemi të bëjmë me një ndryshim të vendimit të Kuvendit.

Le t’i lëmë vetes më shumë kohë për ta shqyrtuar çështjen”, u shpreh Meta.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje