Maxhoranca dhe opozita kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe ajo që pritet është vetëm “mendimi” i demokratëve mbi disa propozime të socialistëve për aktet nënligjore të dekriminalizimit.
Ai që njoftoi mbylljen e negociatave dhe paraqitjen e akteve nënligjore në Kuvend në një seancë të parashikuar për të premten, ishte deputeti socialist, Taulant Balla.
“Nesër në Kuvend do të kemi zbardhur të gjithë dokumentacionin. Ajo që bëhet fjalë është për një vendim të Kuvendit dhe më pas për formularin e vetëdeklarimit. Këto çështje të mbyllen nesër. Nuk ka më negociata. Kemi rënë dakort për të gjitha dhe ajo që ka ngelur është që kërkohet një mendim mbi ato që është dakortësuar nga ana e PD”, tha Balla.
Deputeti socialist tha se ka patur keqinformim nga Partia Demokratike për çështjet e bisedimeve, sidomos për formularin e vetëdeklarimit.
“Kemi rënë dakort për formularin. Kishim rënë dakort shumë më parë. Aktet nënligjore i mbyllim nesër në seancën plenare duke respektuar gërme për gërmë ligjin që na ka detyruar që brenda datës 6 të kemi aktet nënligjore”, mbylli fjalën e tij deputeti Balla.
Fill pas Ballës, për mediat doli Oerd Bylykbashi. Deputeti demokrat tha se do Këshilli për Rregulloren dhe Mandatet do të mblidhet sërish nesër dhe shprehu besimin se do të kapërcehen edhe ato pak pengesa për një zgjidhje finale dhe të plotë.
“Janën çështje që kanë të bëjnë me mekanizmat që funksionon procesi i verifikimit. Pres që nesër të kemi një përmbyllje të procesit. Por mbeten të hapura çështje të tjera pezullimi me i ligj i deputetëve që plagosin apo vrasin, apo arrestohen në flagrancë dhe më pas rikthehen për të ushtruar funksionet publike. Ky është një kusht shumë i rëndësishëm që kemi ne”, tha ai.
Optimist u shpreh edhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta.
“Besoj se konsensusi është arritur dhe nëse ka ndonjë mendim për ndonjë çështje që s’është thelbësore, besoj që kemi kohë për ta përmbyllur këtë me sukses deri nesër paradite”, tha ai./ TCH