E vërteta për “Hakmarrjen” u tha përfundimisht

4 Qershor 2016, 21:06Kronika TEMA

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e zbardhi vendimin e shpallur në datën 09.03.2016 për vëllezërit Shyti dhe disa persona të tjerë, të cilët i kam mbrojtur në të gjitha shkallët e gjykimit. Kolegji, në një zë, i rrëzoi edhe ato të ashtuquajtura prova që nuk i kishte rrëzuar Gjykata e Shkallës së Parë. Me këtë vendim Gjykata e Lartë praktikisht i shpalli të pafajshëm të gjithë të pandehurit e kësaj çështjeje që njihet botërisht si “Hakmarrja për Drejtësi”. Rrëzimi i të gjitha provave është njëkohësisht edhe fajësi për ata që për të tërhequr vëmendjen e opinionit të brendshëm dhe të jashtëm nga vjedhja e zgjedhjeve të përgjithshme të 26 majit 1996, krijuan “Hakmarrjen”. Gjykatës së Apelit nuk i mbetet gjë tjetër për të bërë përveçse ta përmend pafajësinë në dispozitivin e vendimit të saj.

E vërteta e shprehur në vendimin e Gjykatës të Lartë nuk po shqiptohet për herë të parë. Ajo është shprehur shtatë herë të tjera, duke filluar nga viti 2003 deri në vitin 2011.

Duke pasur parasysh vendimin e sotëm po përkujtoj se mbi të njëjtat prova, e vërteta është thënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë në datën 13.02.2003, pas një gjykimi që zgjati pesë vjet. Por, në moment, përfaqësues të politikës që ishin përgjegjës për sajimin e këtij procesi nëpërmjet manipulimit të provave e intensifikuan fushatën kundër të akuzuarve dhe vetë trupës gjykuese, duke i akuzuar gjyqtarët si anëtarë të “Hakmarrjes për Drejtësi”. Nën një presion të jashtëzakonshëm të politikës, në kundërshtim me ligjin procedural penal, çështja u rikthye për rihetim dhe pastaj rigjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Rreth një vit më vonë, një gjykatë në Zvicër dhe, më pas, Gjykata Federale e atij vendi, arritën në atë përfundim që kish arritur gjykata e Shkallës Parë Tiranë. Në mënyrë të pazakontë fuqia e provave të shqyrtuara e shtyu drejtësinë zvicerane që në njërin nga vendimet e saj të konkludonte se të akuzuarit duheshin marrë në mbrojtje sepse përndiqeshin “nga klika e Sali Berishës” (rasti i Orik Shytit dhe Kreshnik Spahiut)duke i dhënë atyre strehim politik. Thuajse në të njëjtën kohë Gjykata e Apelit në Bruksel konstatoi se autoritetet ligjzbatuese në Shqipëri kishin falsifikuar provat në procesin e “Hakmarrja për Drejtësi” (rasti i Altin Arapit). Këtë të vërtetë e pohoi në mars 2006 edhe një gjykatë në Holandë (rasti i vëllezërve Nikolin e Pasho Novruzaj). Është fakt se të gjitha gjykatat e huaja nuk shqyrtuan “copa gazetash” apo “deklarata politikanësh” siç kanë dashur të mashtrojnë opinionin publik njerëz përgjegjës për manipulimet e procesit dhe persona të painformuar, por kanë shqyrtuar provat që shqyrtoi Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë prandaj edhe arritën në të njëjtin konkluzion me të.

Në vjeshtën e vitit 2006, të njëjtën të vërtetë pohoi në raportin “Analizë e Sistemit të Drejtësisë Penale në Shqipëri”, një ekip ekspertësh të OSBE-s, kryesuar nga drejtuesja e Projektit, zonja Mari-Ann Roos, LLM (http://www.osce.org/sq/albania/22212?download=true). Ky ekip monitoroi për dy vjet procesin që kishte përfunduar në vitin 2003 dhe atë që po zhvillohej për së dyti në gjykatat e Krimeve të Rënda, duke theksuar se: prokuroria nuk duhet ta çonte për gjykim këtë proces, se ndaj të pandehurve është përdorur tortura në malin e Dajtit, në Durrës e të tjera vende dhe se procesi ka natyrë politike.

Pesë vjet më vonë (nëntor 2011) të vërtetën e shprehu edhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, por vendimi i sotëm është përfundimtar sa i përket vlerësimit të provave.

Është rasti të them për opinionin publik se kurrë, në asnjë rast të vetëm, përfaqësuesit e akuzës nuk kanë kundërshtuar argumentet e mbrojtjes për dhjetëra akte të falsifikuara të paraqitura në gjykatë nga organi i tyre. Por kurdoherë, ashtu si në seancën përfundimtare, i kërkonin gjykatës të mos pranoheshin kërkesat e mbrojtjes. Nuk ishin të paaftë, por falsifikimet e këtij procesi ishin kaq flagrante sa nuk mund të mbroheshin as me fjalë të përgjithshme.

Vendimi i porsa zbardhur i dha fund një çështje penale të sajuar politikisht dhe të montuar djallëzisht, pa pasur asnjë bazë ligjore reale. Nëpërmjet falsifikimeve qenë krijuar prova që i tejkaluan qëllimet propagandistike për të cilat kishte nevojë politika në gjysmën e dytë të vitit 1996. Për të mbështetur provat e falsifikuara ishte ndërhyrë edhe në provat origjinale të marra në kohën që kishin ndodhur ngjarjet për të cilat falsifikatorët vendosën të akuzonin “Hakmarrjen”. Mbi ato “prova” u arrestuan më shumë se 120 “anëtarë” të “Hakmarrjes”, disa prej tyre edhe kundërshtarë politike në moshë të pjekur dhe me grada shkencore. Por, pas rënies së pushtetit, prokurorët drejtues të procesit të shkolluar në kursin tek Plepat çuan në gjyq vetëm 11 djem të rinj dhe, kur e panë se gjatë gjykimit po dilnin falsifikimet e manipulimet e bëra, braktisën procesin dhe u larguan njëri pastjetrit, jashte shtetit, ndoshta me pasaporta shërbimi të dhëna nga partia në pushtet.

Pasojat kanë qenë shumë të rënda dhe të shumanshme. E kam shprehur disa herë para gjyqtarëve në të gjitha shkallët e gjykimit se “Hakmarrja” po zvarriste Drejtësinë, prandaj duhej t’i jepej fund dilemës se ç’duhej bërë me të pandehurit.

Meqë këtu po e mbyll karrierën po ia lejoj vetes që të shprehem si qytetar dhe si person që kam punuar më shumë se dyzet vjet në shërbim të drejtësisë.

Pafajësia ishte një fakt shumë i dukshëm veçse duhej guxim për t’u shprehur. Në qoftë se prokuroria do të kishte pasur vullnet për të hetuar, çështja do të kishte marrë zgjidhje për disa ditë dhe personat përgjegjës për rrëmbim personi, ushtrim dhune dhe krijimin e provave false do duhej të ishin marrë në përgjegjësi penale. Nga ana tjetër, gjykatës, po t’u përmbahej provave dhe ligjit dhe po të kishte guxim për t’u përballur me agresionin politik të atyre që ideuan “Hakmarrjen”, nuk do t’i duheshin kaq shumë vite, por vetëm pak muaj për të arritur në përfundimin që arriti Gjykata e Lartë. Vendimet e gjykatave të disa vendeve evropiane (për këtë çështje) ishin inkurajuese për ta dhënë pafajësinë kohë më parë.

Krijimi dhe përdorimi politik i kësaj çështjeje e ka dëmtuar shumë drejtësinë dhe luftën e policisë kundër kriminalitetit. Propaganda politike, edhe kur donte të shfaqej si vullnet dhe forcë e shtetit për të luftuar krimin, bëri efektin e kundërt. Propaganda e dobësonte forcën e shtetit, sepse ishte zgjedhur për t’u luftuar ajo që nuk ekzistonte, “Hakmarrja…” si fantazmë e krijuar për t’u përdorur politikisht.

Presioni i politikës për të dënuar njerëz të pafajshëm e komprometoi dhe korruptoi keq sistemin e drejtësisë. Gjykatat dhe prokuroria kanë bërë atë që politika u kërkonte të bënin me këtë çështje të sajuar. Keqpërdorimi i çështjes ka qenë shkaku kryesor për shtrirjen dhe lidhjen e

korrupsionit politik me atë të mitmarrjes në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Gjyqtarët që zbatonin urdhrat e politikës janë shpërblyer me funksione më të larta. Zbatimi i kësaj metode, përveç mesazhit që përcillte se të mirave duhet t’u hapje derën po t’i shërbeje politikës dhe jo ligjit, indirekt jepte garanci mbrojtëse për të rrjepur pa frikë xhepat e popullit që kërkonte drejtësi. Kontakti që mundësojnë sallat e gjykatave ka bindur mua dhe shumë kolegë të mitë se më trima për të shkelur mbi ligjin dhe mbi provat janë treguar gjyqtarët që kanë dhënë prova se i shërbejnë politikës për çështje të caktuara. Pasojat e korrupsionit dihen. E keqja ka depërtuar shumë thellë. Pasoja më e rëndë nuk qëndron aq shumë tek dënimi i njerëzve të pafajshëm si në rastin e “Hakmarrjes”, por në deklarimin të pafajshëm të personave me fajësi të provuar, gjë që ka nxitur gjakmarrjen dhe hakmarrjen anembanë Shqipërisë.

Të shpërblyer nga politika, persona përgjegjës për krijimin e këtij procesi fals, si dhe partiakë të veshur me uniformën e shtetit, në përpjekje për t’i shërbyer pushtetit dhe për t’u bërë keq “anëtarëve” të “Hakmarrjes”, kanë orientuar në drejtim të gabuar hetimet për zbulimin e mjaft krimeve të rënda të kryera në të shkuarën edhe në vitet e fundit. Përhapja prej tyre e thashethemeve me ndihmën e mediave të kapura nga politika i kanë shërbyer edhe mbulimit të përkohshëm të paaftësisë së policisë. Media do ta ndihmonte policinë për të luftuar krimin po të tregohet e duruar, deri sa të flas ajo zyrtarisht për pistat e mundshme të krimit.

Duke qenë i bindur për dëmet që i kanë ardhur sistemit të drejtësisë dhe vetë policisë nga çështja “Hakmarrja për Drejtësi”, mendoj se vendimi i Gjykatës së Lartë i dha fund një praktike të pashembullt. Megjithëkëtë nuk e përshëndes dot këtë vendim, megjithëse do doja shumë. Më mungon prova e dëshiruar se Gjykata e Lartë u çlirua nga politika e mbrapshtë. Më pengon fakti që kjo gjykatë e dha vendimin gati pesë vjet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që vlerësoi se të pandehurve u ishte shkelur e drejta kushtetuese për t’u gjykuar brenda afatit të arsyeshëm dhe urdhëroi që çështja të gjykohej. Por gjykata e Lartë, në kundërshtim me vendimin e gjykatës Kushtetuese, në kundërshtim edhe me dispozita të tjera ligjore iu nënshtrua presionit politik dhe e zvarriti edhe disa vite të tjerë gjykimin. Kolegji Penal ka arsyetuar profesionalisht, por profesionalizmit nuk i është përmbajtur deri në fund. Megjithëse e shqyrtoi çështjen në themel dhe i deklaroi të pavlefshme edhe provat dytësore, nuk guxoi të shprehej në dispozitivin e vendimit për pafajësinë e të gjykuarve. Duhet të bënte drejtësi “edhe sikur qiejt të përmbysen” (titull i një shkrimi të gazetarit dhe veprimtarit të njohur shoqëror Mentor Kikia, shkruar enkas për të inkurajuar gjyqtarët tanë nëpërmjet një shembulli drejtësie që ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në shoqërinë njerëzore). Por fatkeqësisht gjyqtarët tanë ende nuk duan t’ia dinë për opinionin e intelektualëve, aq më pak për atë të publikut të gjerë. Është i padrejtë delegimi i detyrës së saj tek gjykata e Apelit për Krimet e Rënda.

Megjithëkëtë, mendoj se vendimi është për t’u vlerësuar me zë të lartë nga mediat dhe mbarë opinioni shoqëror që një trupë gjykuese i tha: Ndalu! marrëzisë shumëvjeçare të politikës.

Vendimi çliroi shpirtërisht nga përndjekja e pashembullt 20 vjeçare njerëz të akuzuar padrejtësisht dhe, indirekt, ndëshkoi ata që shkaktuan të keqen. Dua të besoj se ky ndëshkim do shënojë fillimin e kthesës që presim të ndodhë në sistemin e drejtësisë.

Jam i ndërgjegjshëm se karakteri i shtrembër nuk i lejon fajtorët të kërkojnë publikisht falje. Por një këshillë e kam për ta. Këshilla ime është të mbyllin gojën. Të heshtin sepse

përgjegjësia e tyre është e shumëfishtë. Nuk kanë bërë vetëm krim ndaj disa njerëzve të pafajshëm, por kanë përdhosur drejtësinë dhe kanë turpëruar shtetin para botës. Turpi më i fundit që i shkaktuan shtetit është përdorimi i nëpunësve të verbër për të falsifikuar dosjen e Altin Arapit në GJEDNJ në Strasburg. Rast skandaloz për një shtet.

Avokat Dylber Mani

13 komente në “E vërteta për “Hakmarrjen” u tha përfundimisht”

  1. PLAKU says:

    Me kembengulje dhe besim ne zbulimin e te vertetes arrin dhe kurorezon ate per te cilen Ju jeni perkushtuar per vite me radhe. Djemte e Shytet Novruzet dhe Haten si dhe te tjere e familjet e tyre e kane paguar shume shtrenjte kete padrejtesi dhe Ju takon atyre te rivendosin c’ka mund te behet per venien perballe ligjit ideatoret dhe te gjithe ekskorten ne sherbim te politikes per nje katraure ne kurriz te tyre dhe familjeve te tyre. Vitet e jetuara nen ankthin e seancave gjyqsore, pamundesine per te jetuar si gjithe shqiptaret normale demin ekonomik moral dhe psiqik duhet t’a paguajne pergjegjesit me te njejten monedhe por jo populli si eshte bere zakon.Ju si avokat i tyre nuk mund t’a leshoni frerin e ketij kali te cilit keni 20 vjet qe e keni mbajtur Ne shkrimin Tuaj konstatoj se beni kujdes me emrat, ndoshta nuk ju a lejon profesioni, por une nga sa kam ndjekur e jam informuar edhe ketu gjishti i Sali Berishes ka diktuar ai gisht duhet prere spese kudo ku eshte drejtuar ka shkaterruar pa ja pasur borxh kush

  2. elena says:

    Shkrimi sigurisht eshte revoltues per bemat e poshtra te drejtesise shqiptare , per shkaterimin qe ju kane shkaktuar ketyre familjeve per 20 vite me rradhe , te cilet kishin atdhe dhe ishin te mohuar prej saj , me e keqja po te vinin ketu do te dergjeshin per 20 vjet neper burgjet berishjane . Turp , per te gjithe drejtesine shqiptare , por akoma me Turp per te gjithe ne qe e shohim me syte tane cdo dite se cbehet dhe smarim fshesen e madhe t’i zhdukim keta maskarenj njehere e mire . Kjo do te ishte drejtesi prej verteti .

    1. cuf dabjoni says:

      vendimi eshte nje turp dhe tregon se gjykata e ka vendosur jo vetem per presion nga qeveria por dhe nga kercenimet e bandes qe sot sundon jug perendimin.ata nuk kane patur asnje lidhje me politiken. kete e shpifi Berisha .Ata u arestuan per vjedhjen ne Muzeun Historik te Epitafit dhe disa ikonave, te cilat u gjeten. ata pranuan krimet, ju gjeten arme. Nen torture dy prej tyre treguan shoket dhe te tjera.Pas 97 ata e vrane njerin prej te dyve dhe e dogjen ne Dajt. Kjo sherbeu per fshehjen e te dytit-nje nga kreret. Kur qe Meta km ata sundonin ne Torane. Plagosen nje buze Lanes dhe shpetuan se daja i tyre punonte me Meten. ata vrane Kaloshin sepse kishte torturuar te jatin.

    2. cuf dabjoni says:

      vendimi eshte nje turp dhe tregon se gjykata e ka vendosur jo vetem per presion nga qeveria por dhe nga kercenimet e bandes qe sot sundon jug perendimin.ata nuk kane patur asnje lidhje me politiken. kete e shpifi Berisha .Ata u arestuan per vjedhjen ne Muzeun Historik te Epitafit dhe disa ikonave, te cilat u gjeten. ata pranuan krimet, ju gjeten arme. Nen torture dy prej tyre treguan shoket dhe te tjera.Pas 97 ata e vrane njerin prej te dyve dhe e dogjen ne Dajt. Kjo sherbeu per fshehjen e te dytit-nje nga kreret. Kur qe Meta km ata sundonin ne Torane. Plagosen nje buze Lanes dhe shpetuan se daja i tyre punonte me Meten. ata vrane Kaloshin sepse kishte torturuar te jatin.

  3. Edkari says:

    Ka ligj por ka dhe Maliq.
    Mqs i shpetuan ligjit
    le te merret Maliqi me ta.

  4. funerali says:

    Ci ke bere ketij vendi o sali berisha, I ke futur thika nga te kater anet cdo ore e minute.
    E ke futur kete vend ne qorsokak dhe prape tenton tja mbash koken nen dhe.
    Tre miljone shqipetare u ropaten 25 duke te patur ty neper kembe dhe nuk munden te prodhojne asgje positive.
    Paske qene I ligu I dynjase.

  5. tt says:

    Mashtimi me ceshtjen “Hakmarrja per Drejtesi” provon edhe njehere (sikur mos mjaftonte 97,98,gerdec,21 janar) se ne Shqiperi ka pasur vetem 1 terrorist dhe ky eshte: Sali Ram Berisha.

  6. pro.... says:

    ..me ne fund, DREJTESI !!

  7. albana says:

    Avokat! Te njoh nga larg, jemi breza te ndryshem por kam aq informacion sa jam e bindur per ndershmerine tuaj. Ta gezoni pensionin. E keni mbyllur me nder. Nuk i njoh fare te akuzuarit, por libri i tyre me ka bere pershtypje. Nuk duhet te jeni i pa kenaqur nga vendimi i Gjykates se Larte. E lexova te plot vendimin me ndihemen e nje koleges tuaj. Nuk mund te shkruhej me mire. Jemi ne Shqiperi ku gjyqesori nuk mendoj se ka qene me keq as ne kohen e Zogut. Gjyqtaret kane shfaqur kurajo te madhe.
    Me vjen mire qe zoti Baze ka botuar kete shkrim.

  8. ? says:

    Nuk ka mbaruar ende, pa u çuar përpara drejtësisë ideuesi dhe krijuesi i kësaj sajese.

  9. LABI 2 says:

    Me plepistet e serbit saleh çfare nuk mund te presesh?Bravo avokat!Leksion me te mire nuk kam degjuar.

  10. Sa inat per Sali Berishen. AI po Rinohet e askush NUK e pyet veten.
    Njeriu, qe Rinohet duke shkuar vitet tregon: Shpirt te Bardh Nga brendsia e tij.

  11. "Horri i Bulevardit" says:

    Isha i dyzuar, kur u akuzuan vellezerit Shyti dhe Altin Arapi, por edhe te tjeret. Isha i dyzuar se nga njera ane e kam njohur saleh berishen, si nje plehre, kam njohur gazideden, gjithashtu nje njeri te poshter, kam njohur shehun si spiun gjakatar, por nga ana tjeter edhe makina bombe, sme linin te qartesoja mendimin tim, se kush ishte i pafajshem.
    Mbas vitit 2000, krijova nje ide se te akuzuarit ishin te pafajshem, per vete ngjarjet qe rrodhen ne Shqiperi.
    I uroj ish te akuzuarit te salehut, qe te shikojne perpara, pa harruar hakmarrjen ligjore, qe eshte nje e drejte e tyre.
    Por tani cfare do te ndodhe?,
    Te akuzosh dhe te shkaterrosh jetet e njerezve te pafajshem, te shkaterrosh familje te tera, smund te kaloje ne heshtje, vete duke dhene nje pafajsi, se pafajsia e pales se demtuar, duhet te pasohet, me fajsimin e pales akuzuese, qe u be pale me intrigat e politikes se momentit.
    Dhe akuzuesit, qe shkaterruan disa jete, nuk jane pak, ata jane ish shikas, ata jane ish ose jane gjyqtare e prokurore, qe duhet te marrin denimin ligjor dhe jo te mjaftohen me demshperblimin nga shteti, duke ja faturuar kete demshperblim, taksapaguesve shqiptare.
    Rasti Fullani, eshte rasti me flagrant, ku drejtesia deshtoi sipas parimit te salehut dhe parate per fullanin, do i paguajne taksapaguesit shqiptare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje