Izet Haxhia: Fjalët e fundit tim eti, që s’iu ndodha dot pranë në momentet e fundit

6 Korrik 2016, 09:46Politika TEMA
Izet Haxhia: Fjalët e fundit tim eti, që s’iu ndodha dot

Idriz Haxhia

Ish- truproja i Sali Berishës, Izet Haxhia, ka marrë para dy ditësh lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të të atit.

Në pamundësi të pranisë së tij për ta përcjellë në banesën e fundit Idriz Haxhinë, Izeti ka shkruar këto rreshta për të atin:

“Në radhë të parë dua t’ju Falënderoj, të gjithë juve miqtë e mi, të njohur e të panjohur, për fjalët ngushëlluese që më dërguat për ndërrimin e jetës të Babës tim, ato fjalë e mesazhe tuajat ma lehtësuan sadopak dhembjen për humbjen e njeriut tim të dashur dhe dhimbjen po aq të madhe, të mospatjes mundësi të hedh një grusht me dhé tek banesa e tij e fundit dhe përjetshme. Më kujtohet si sot para 17 vjetësh kur më përcolli atë mëngjes korriku, për këtu ku jam sot, pas lotëve të nënës dhe merakut të saj si gjithë meraku i nënave, se kur do më shifte prapë, dhe pas fjalëve të mija, se do kthehem shpejt, m’u drejtua duke më thënë -mos u kthe, bëj çmos dhe mundohu të rrish andej.

Në sytë e Tij unë pashë një trishtim të thellë edhe pse mundohej ta fshihte me gëzimin që tregonte se unë po largohesha nga Tropoja që ishte kthyer në vendin e vrasjeve pas shpine e pabesirave të nxitura nga ‘baballarët’ e kombit në Tiranë. Si duket Ai e ndjente këtë ndarje të pakthim. Fëmija në jetë nuk ka shansin të zgjedhë prindërit, por unë e ndjej veten me shans që u linda e rrita me dy Prindër të tillë. Nuk na rriten as me fjalë dashurie apo përkëdhelje, por me virtyte dhe normat morale të shqiptarëve. Falë edhe profesionit fisnik të mësuesit që kishte Babai, gjithë përpjekja e tij ishte të mësonim dhe shkolloheshim. Por Babai ishte nga ata njerëz që nuk njifte gënjeshtrën, servilizmin, nënshtrimin dhe këto na i përcolli edhe neve. Por Ai ishte një njeri human, për shumë vite ai bëri në mënyrë vullnetare profesionin e munguar në fshatin tonë, atë të infermierit dhe dentistit, por i braktisi këto profesione, pasi padashur një bashkëfshatarit tonë i heq dhëmballën e shëndoshë. Ai ishte një nga ata komunistë që kur pa se partia të cilës ai i kishte besuar e milituar në të po devijonte dita ditës nga ajo që trumbetonte e propagandonte e braktisi me dëshirë atë parti, pamvarsisht pasojave që pati, duke u kthyer si bujk në fshat. Po ai nuk kishte turp të bënte asnjë lloj pune, sepse ishte një punëtor i madh dhe papërtuar. Ai nuk bëri kurrë diferencim te njerëzit, të deklasuar apo me parti, dera e tij ishte e hapur për të gjithë, pamvarsisht biografisë së mysafirit. Ai ishte njeri që nuk njifte frikën nga vdekja, në vitin 1975, ai shpëtoi jetën e 12 punëtorëve në tunelin e devijimit të lumit Drin në hidrocentralin e Fierzës të mbetur brenda e helmuar nga shpërthimi i gazit. U dekorua me dekoratë më të lartë të regjimit të kohës për këtë akt trimërie, por ai kurrë nuk u mburrej, apo t’i përmendte ato dekorata. Ai besonte në Zot, por fetë dhe partitë i quante si përçarëse të popullit.

Ai nuk dinte të përgojonte njeri dhe nxehej me ata që bënin një gjë të tillë, e thoshte atë që mendonte pa frikë e drejt në sy. Nuk dinte se çfarë është intriga apo prapaskena. Babai ka qenë një shqiptar dhe njeri i mirë. Ëndrra e tij ishte të pinte kafe në çarshin e Gjakovës së lirë nga pushtuesit dhe falë luftës çlirimtare të UÇK dhe ndihmës së aleatëve, arriti ta bëjë realitet. Ai ishte njeri i vuajtur që na rriti neve nëntë vëllezërve e motrave me njëmijë mundime, duke u përpjekur të mos na mungonte asgjë që mund të gjendej atëherë. Ai e urrente politikën, dhe më këshilloi disa herë që të mos lija profesionin e mjekut për partitë.

Për shumë gjëra nuk të dëgjova Baba, se më dukej vetja i mençur e nuk na linte euforia e ‘demokracisë’ që po sillnim po që nuk erdhi kurrë, ashtu siç më thoshe gjithmonë, që nuk sjellin demokraci komunistët e flaktë që u kthyen në demokratë brenda 24 orëve.

Ti ishe njeri besnik sepse thoje gjithmonë që as partia, as skuadra e futbollit që je tifoz, nuk ndërrohen. Kam shumë gjëra për të treguar për Ty o njeri i mirë, shumë kujtime, por ato do jenë gjithmonë në mendjen e zemrën time.

Ti ike pa më dhënë mundësinë të mbaja fjalën që u kisha dhënë Ty dhe nënës, që do t’ju takoj sa të jeni gjallë në këtë botë. Të më falësh Baba se unë nuk e mbajta fjalën, Jo se nuk doja apo nuk më kishte marrë malli -Jo Baba, më kishte marrë malli shumë, nuk arrita ta them asnjëherë, sepse Ty nuk të pëlqenin fjalë që shprehnin dobësi qoftë kjo edhe fjala Mall, nuk e mbajta fjalën sepse nuk më lanë ‘baballarët’ e kombit në Tiranë. Ata më donin dhe më duan, ose të vdekur ose nën pranga, Baba, sepse sipas tyre unë jam e keqja e këtij vendi, vrasësi, hajduti, grabitësi, tradhtari, i pabesi, antishteti, ndërsa ata janë shpëtimtarët tanë e të popullit, janë të drejtë si Hazreti Omer, janë të ndershëm e humanë si Nënë Tereza, janë atdhetarë të pashoq që nuk lëshojnë as një pëllëmbë det apo tokë tek të huajt. Janë aq të varfër e modestë sa jetojnë në shtëpi më të këqija se ajo ku ti dhe frymën e fundit, Baba.

Por unë nuk do t’u uroja këtyre ‘baballarëve’ të kombit, që fëmijët e tyre të mos kishin mundësi ashtu sikur unë, që të mos u hidhnin atyre një grusht me dhe tek varri dy metra që i pret ata dhe të gjithë neve që marrim frymë.

Të qoftë i lehtë dheu, Baba, dhe hallall çdo gjë që ke bërë për mua”.

19 komente në “Izet Haxhia: Fjalët e fundit tim eti, që s’iu ndodha dot pranë në momentet e fundit”

  1. Kola says:

    E kuptoj mire dhimbjen e Izetit e cila dhjetfishohet nga mospjesemarrja ne varrimin e njeriut te tij me te dashur. I shpreh ngushellimet e mia dhe i kujtoj se kjo gje me ka ndodhur edhe mua nja dhjet vjet me pare. Jemi njerez dhe dikur duhet te reflektojme qe kjo te mos ndodhe edhe me dhjetra e qindra te tjere, keshtu sic po ndodh. A te ka shkuar ndonjehere mendja Izet, tu kerkosh ndjese gjithe atyre shqiptareve qe vet ti je bere shkaku i fatkeqesive te tyre, duke i sherbyer besnikerisht nje kafshe te UDB-se?

    1. aleksander says:

      Kryeshendosh Izet. Te paste lene jeten e gjate ty dhe femijeve te tu. Nese ke shkruar te verteten per baben, atehere nuk i paske ngjare fare. Ai ka shpetuar jete njerezish, kurse ti ke qene sherbetor e lake i atyre qe kane vrare. Ai nuk ka vjedhur kurse ti dhe vellezerit keni vjedhur deri dhe apartamentet dhe parate e patrioteve tuaj. Ai paska qene mesues kurse ti i pashkolle. Ai paska thene te verteten kurse ti genjen nga mengjesi ne darke. Ai nuk pergojonte njeri kurse ti je bere me keq se grate e keqija.

      Pavaresisht kesaj sinqerisht me vjen keq qe nuk je kthyer dot ti thuash lamtumire sic do duhej ta bente cdo bir por mbase po ti kishe ngjare pak tet eti sot do ishe i qete ne punen tende si ai.

      Edhe njehere ngushellime

  2. beni durres says:

    Te roni dhe ta kujtoni Izet bab dhe bene nuk vine me qoft i xhenetit

  3. Iliri says:

    Ju prefte shpirti ne paqe! Ngushullime te sinqerta per ju e familjen tuaj .Jam nje i njohur i Iljazit Iliri nga Berati banor ne pallatet Ilad.

  4. Bushi says:

    Zoti Izet! Te rroni ju dhe gjihe te tjeret.Jame i bindur, se babaj, ju ka lene kujtime te mira,te cilat do tju ngelen perjete ne kujtesen tuaj.Edhe neve ketej nga myzeqeja,i respektojme shume prinderit,dhe i konsiderojme si gjeja me e çmuar,te sakrificave,punes dhe edukates.Ngushellime.

  5. Dashamiresi says:

    Pranoni ngushellimet e mia te sinqerta Z. Izet. Babait shpirti Ti prehet ne paqe dhe dheu ti jete i lehte. E kuptoj dhimbjen e madhe qe perjeton,por ke ngushellim pasurine e madhe shpirterore qe babai Ju ka lene.

  6. arbereshi says:

    Izet Haxhia, ngushellime te sinqerta per humbjen e babes, te uroj te kthehesh sa me pare prane gjirit te familjes. Qytetaria eshte nje vlere e civilizimit, hapat e tua te fundit kane qene hapat e para ne bulevardin e gjere te qytetarise. Qofte jeta jote tani dhe mbrapa nje rrugetim i gjate ne kete bulevard te gjere e te bleruar qe shetisi shume pak.

  7. nji kafe pa sheqer te lutem says:

    I qoft dheu i leht babait tend, ndjej keqardhje qe dal nga dal po shuhet brezi me i mir i kti vendi, kta njerez te ndershem dhe atdhetar qe do i mungojn shum ne perjetsi kombit ton.

  8. andis says:

    Bravoooo Izet
    Me ke prekur jashte mase me kete qe ke shkruar dhe vazhdo te qendrosh i drejte dhe besnik i veprave dhe mendimeve te tua pozitive dhe Atdhetare. Ne e dime qe ty te duan ne varr keta plerat e kombit tone qe kane vjedhur gjakun e te pareve tane per 25 vjet dhe jane tallur ne menyren me posahteruese me kete popull shume te urte dhe shume bujar.
    Ky vend qe te behet do burra dhe jo :shkedhata: si keta qe na kane qeverisur per 25 vjet me radhe me slloganin se do e bejme shqiperine si e gjithe Europa.
    Suksese ne jeten tuaj dhe Allahu ju ruajtet nga Aligatoret e politikes sone te qelbur…..

  9. xhemal says:

    i qofte dheu i lehte te rroni e ta kujtoni izet

  10. arta says:

    kerkoj gjerat tek vehtja ore izet se ste ka askush faj per kte.
    Mos spekullo me vdekjen e babait. per ate urojm dhe shpresojme qe te prehet i qete ne boten e perjetshme. Ndersa per ty dhe vellezerit tuaj urojme dhe shpresojme me gjithe zemer qe ta merrni ate qe meritoni per cfare keni bere.

  11. Leone-53 says:

    I ke sherbyer nje njeriu qe ska shok nga keqsite o Izet dhe nje partie qe skish veshtirsi te kuptohej qe ishte ne rruge te keqe.
    Te ngushelloj per baben!

  12. Tasha says:

    Ngushellimet me te sinqerta ty dhe familjes. Eshte edhe me e dhimshme sepse ti nuk ju ndodhe prane per nga vete kushtet. Me pare nuk na linte Enveri tani nuk na le zevendesi i tij sali krimineli. I qofte dheu i lehte babait zoti Izet,dhe dalte ne shesh sa me shpejt pafajsia jote dhe ti te jetosh i lumtur si gjith te tjeret. Edhe une nuk jetoj ne shqiperi,dhe me beso nuk e pashe nenen time kur nderoi jete dhe kur mori dhe. Nuk je i vetmi

  13. dash says:

    Respekt dhe ngushellime….

  14. delete says:

    Ngushellime te sinqerta ty dhe familjes Izet. Mbahu i forte, te gjithe kalimtare jemi,

  15. Dulla says:

    Ngushelline per baben tuaj te dashur e fisnik.

  16. doktori says:

    Izet Haxhia,o njeriu i mire qe per nje moment te shkurter te verboi mashtrusi Sali! Ngushellime te thella te dergoje per humbjen e babait, une, nje i pa njohur per ty,por se ke idene ,me beso ndjeva nje cembim te forte ne zemer,per babane tend,per fatin tend te pa merituar,per fatin e shume njerzeve,qe per ideale behen viktima te politikes,futen ne shenjestren e kolltukofageve,futen ne rrethin e zi te njerzeve qe duhet te eliminohen nga Monstrat e politikes! Shpesh ne shkrimet e tua denoncuse,ke permendur edhe viktimat e Saliut,te vdekurit,por ke harruar te shkruash edhe per te gjallet qe jane kandidat te vdesin,nga dora e Monstres Sali! Vetem nje nga denoncimet e tua do mjaftonte ta perplaste Saliun ne sketerre,ne burg ku te mos dilte kurre i gjalle,por Sala ka kapur gjithcka:Drjtesine,politiken,te fortet e rrugeve,partite,dhe cdo hallke qe duhet te vinte ne levizje deshiren e nje populli te tere ,per ti dhene hakun ketij njeriu,qe eshte simboli i fatkeqesise te ketij kombi!.Ngushellime i dashur Izet per vdekjen e babait,te te kete lene uraten,Qofte e lehte balta per ate dhe dhembja per Ju dhe familjen tende!

  17. nga jasht says:

    Ngushllime per keta heronj te heshtur.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje