Bllokimi i vënies në zbatim të ligjit për hapjen dosjeve të Sigurimit, i quajtur ndryshe ligji për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, duket se do të krijojë probleme edhe për emërimet e krerëve të rinj në institucionet e drejtësisë që do të kryhen në kuadër të reformës në drejtësi.
Kjo për shkak se deputetët socialistë të Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi kanë hasur vështirësi në mbledhjen e 12 korrikut lidhur me emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm, raporton Shqip.
Në procesvebarilin e zbardhur të mbledhjes, gjatë diskutimit të projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, deputetja socialiste, njëherësh kryetare e komisionit parlamentar për ngritjen e autoritetit të hapjes së dosjeve së ish-sigurimit, Vasilika Hysi, është shprehur se për sa kohë hapja e dosjeve është një proces tashmë i bllokuar, edhe emërimi i kryeprokurorit të ri vihet në pikëpyetje, pasi siç thotë ajo, nuk ka një organ përgjegjës për të bërë verifikimin e pastërtisë së figurës së kandidatit për kryeprokuror.
“Ju keni parashikuar, me shumë të drejtë, që nuk duhet të ketë qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Ne kemi miratuar një ligj. Nga ana tjetër, në ligjin “Për qeverisjen e pushtetit gjyqësor” ju keni vënë afate qoftë për prokurorin e Përgjithshëm, qoftë edhe për anëtarët e tjerë, për të cilët verifikimi duhet bërë brenda shtatë ditëve. Në momentin kur ne nuk i kemi hapur ende dosjet si mund të arrihet verifikimi nëse personi ka qenë punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit ose i favorizuar prej tij, meqenëse ne…?”- iu drejtua Hysi ekspertëve në mbledhje.
Në ndërhyrjen e tij, kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj thekson se nuk do të pritet që të bëhet hapja e dosjeve për të emëruar kryeprokurorin.
Ndaj ai propozon formulën ekzistuese për emërimin e tij. “Kur të hapen dosjet, do të bëjmë prokuror të Përgjithshëm në Shqipëri! Ja nuk hapen asnjëherë dosjet, si do të bëjmë?”- iu drtejtua Xhafaj, deputetes Vasilika Hysi.