LETRA/A po persekuton Kosova, te diplomuarit e saj, ne Shqiperi?

21 Gusht 2016, 19:44Rajoni TEMA
LETRA/A po persekuton Kosova, te diplomuarit e saj, ne Shqiperi?

E nderuar Ministre znj.Nikolli

I nderuar Ministër z.Bajrami

 

Po ju drejtohem me një letër të shkurtër me të cilën shpreh shqetësimin tim dhe të shumë të tjerëve.  Po shkruaj për bashkëshorten time, e cila ka më shumë se një vit që ka doktoruar në Republikën e Shqipërisë. Pasi ka marrë diplomën ajo ka konkururar për njohje të saj në zyrën përkatëse të Ministrisë së Arsimit në Kosovë. Janë bërë pesë muaj që ajo nuk ka marrë përgjigje lidhur me fatin e diplomës së doktoraturës së fituar në UET.

Kjo zonjës sime tashmë i ka kushtuar tepër shumë sepse ka lëshuar rastin që të merr pjesë në konkurse, të cilat tashmë janë mbyllur. Zonja ime nuk ka pasur mundësi të merr pjesë në konkurse sepse nuk ka pasur mundësi të konkurojë në mungesë të vendimit për njohje/nostrifikim. Në konkurset që kanë shpallur universitetet është thënë shprehimisht se kandidatët që nuk kanë dëshmi të nostrifikimit, do të konsiderohen se kanë dosje të pakompletuara. Kështu zonja ime, e doktoruar në një universitet serioz shqiptar, e përgatitur shumë në aspektin akademik ka humbur rastin që të jetë pjesëmarrëse në konkurs dhe ka rrezik që të mbetet përgjithmonë pa qenë e punësuar në fushën e vet, nga shkaku i vendimeve dhe procedurave burokratike (krejtësisht të paqëndrueshme dhe të paarsyeshme sidomos kur është fjala për dy vendet tona që synojnë integrime evropiane e nuk integrohen kombëtarisht).

 

Nuk ka se si të kuptohet e aq më pak të arysetohet një zvarritje e procesit të njohjes së diplomave në Kosovë (për diploma të Republikës së Shqipërisë) dhe në Shqipëri (për diplomat e fituara në Kosovë).

 

Në Kosovë diplomat e fituara në Maqedoni njihen për një kohë shumë të shkurtë. Thuhet se kanë filluar të njihen edhe diplomat e universitetit klandestin të Mitrovicës së veriut. Këtu nuk ka nevojë më për asnjë koment.

 

Vështirësitë dhe pengesat, e të mos themi refuzimi i njohjes së një diplome të doktoraturës të UET, ta zëmë në Kosovë nuk mund të arsyetohet me asgjë. Mund të supozohet se shkaqet janë nga më të ndryshmet duke filluar me: xhelozinë, me ruajtje të vendeve për njerëz të caktuar deri sa të doktorojnë dikund tjetër, me punësime sipas stilit Pronto (aktual shumë ditët e fundit në Kosovë), me eliminim të qëllimshmë të personave të caktuar që kanë doktoru në Republikën e Shqipërisë (apo anasjelltas), me qëllime të ndonjë përfitimi të personave të caktuar në baza politike apo edhe në baza tjera, etj. Absolutisht nuk kemi të bëjmë me shkaqe akademike. Jo në asnjë mënyrë.

 

Në fillim të vitit në Kosovë u muar një vendim, me të cilin u mundësua që kandidatët që kanë marrë diploma në universitetet shqiptare të konkurojnë për njohje. Kam parë se zonja ime është dashur të përgatitë dosjen personale dhe të shkojë direkt në Agjencioni Shqiptar të Akreditimit ku ka marrë edhe një dokument shtesë në emrin personal lidhur me ate nëse programi ka qenë i akredituar. Është detyruar të vrapojë në Tiranë, pastaj të noterizojë dokumente, të kompletojë dosjen dhe në fund të konkurojë. Konkurimin e bëri në muajin Prill dhe deri më sot asnjë përgjigjje. Një kolege e saj që doktoroi në Maqedoni konkuroi disa muaj më pas dhe ajo mori vendimin e nostrifikimit. Si mund të quhet kjo? A mund të arsyetohet? A mos ishte vendimi i nxjerrë në fillim të vitit një dokument sa për sy e faqe? Apo si mund të shpjegoni këtë. Të mos flasim për trajtimin që kam parë si u bëhet kandidatëve në procesin e aplikimit. A nuk meritojnë një respekt më të madh kadidatet aplikante? Ato së paku janë doktor shekncash në fushën e caktuar dhe meritojnë një respekt. Nuk ëshët punë e lehtë të doktorosh. Këtë të gjithë e dimë.

 

Duke parë procesin e njohjes dhe vështirësitë, nga koleget e zonjës sime ka dëgjuar histori të ndryshme për vështirësitë dhe zvarritjet në proces në të dyja shtetet. Kam parë se kandidatëve tash nuk u lejohet mbrojtja finale e doktoraturës nga shkaku se u nevojitet vendimi i njohjes së shkollimit paraprak nga Ministria Shqiptare. Dhe ky proces zgjatë muaj dhe në disa raste edhe vite. Siç kam parë dhe dëgjuar nga kadidatët, çështja është te komunikimi në mes ministrive, të cilat duhet ti përgjigjen njëra tjetrës lidhur me vlefshmërinë e diplomave. Vërtet e dhimbshme. Tirana dhe Prishtina janë shumë larg dhe u duhen shumë muaj që të kuptojnë nëse një diplomë, një dokument është fituar në mënyrë legale në të dy shtetet respektive. Absurd i llojit të vet.

 

Mund të shkruhet shumë gjatë lidhur me këtë proces që nuk mund të quhet ndryshe veçse absurd që nuk i kontribuon në asnjë mënyrë të mirës sonë, përgjithësisht. Dëshirojmë integrime evropiane ndërkohë që nuk jemi të gatshëm të integrohemi në mes vete.

 

Ky proces burokratik, në asnjë mënyrë i arsyeshëm është fare i panevojshëm. Në fund të fundit nëse pala ka ofruar dosjen komplete, është përgjegjësi e tij. Nëse dyshohet në validitetin e dokumenteve, atëherë ligjet janë të qarta dhe dihet si duhet vepruar. Zyrtarë të të dyja ministrive takohen dhe mund të takohen çdo ditë dhe mund të verifikojnë brenda pak orësh atë në çka eventualisht mund të dyshohet.

 

E nderuar ministre dhe i nderuar minsitër,

 

Veproni urgjentisht. Ka një mllef që po rritet në të dyja anët. Këtë e kam parë këto muaj dhe mllefi nuk prodhon gjëra të mira. Mos i merrni në qafë njerëzit. Veproni dhe ua lehtësoni rrugën njerëzve të dëshmuar. Ju në fund të fundit jeni për të shërbyer dhe për të lehtësuar proceset. Mos lejoni që njerëzit (të cilët meritojnë respekt edhe ashtu sepse kane marrë grada shkencore dhe me mjaft vështirësi) të vuajnë nga kapardisja e zyrtarëve, nga pengësat që dalin nga frika e konkurencës, etj.

 

Nuk do dëshiroja të shoh doktor shkencash të detyrohen të protestojnë para dyerve të ministrive, të cilat po dalin pengesë dhe subjekte që eliminojnë kandidatë duke i diskriminuar me të vetmin fakt: nuk kanë diploma të nostrifikuara. Nga sa kam parë protesta ka për të ndodhur shumë shpejt. Po bëhemi përrallë e Zotit para botës. Si mund të kërkojmë të na njeh bota kur ne nuk njohim njëri tjetrin.

 

Unë vendosa të shkruaj në emër të zonjës sime. Shoh se shumë do të reagojnë së shpejti. Konkurset po hapen dhe po mbyllen dhe njerëzit po diskriminohen vetëm nga shkaku i vendimeve dhe procedurave administrative. Zonja ime humbi shumë kësaj rradhe. Uroj që të mos humbasin të tjerët. Ju lutem u jepni mundësi njerëzve të futen në konkurencë. Le të eliminohen për jokualitet dhe jo për procedura dhe vendime administrative.

 

Unë këtë letër po e dërgoj edhe tek disa gazeta shqiptare, kurse ju lirisht mund ti publikoni kudo që dëshironi.

 

Shpresoj shumë se nuk do rrezikoni të tjerët me mosveprimin tuaj. Muaji gusht është muaj final që jep edhe pak shanse për njerëz.

 

Respekt nga unë i dëshpëruari,

Dukagjin Kelmendi

Prishtinë

3 komente në “LETRA/A po persekuton Kosova, te diplomuarit e saj, ne Shqiperi?”

  1. bani says:

    Duke e njohur nga brenda se si UET funksionon, mubd te them qe mos pranimi dhe mosnjohja e diplomes se doktorates aty eshte gjeja me normale e mundshme. Ai eshte nje biznes i piste ku Çili me ekipin e tij po bejne para pa fund. Vec te lexosh disertacionet e atyshme, pa ve duart ne koke. Se cna ka futur ca belinera aty qe te hapin barkun me arrogancen e tyre… Keq me vjen, por diplomat e UET s’mund te pranohen as ne kosove as nr shqiperi. Ata jane ne kembe vetem fale mbeshtetjes se minsitrave te arsimit shqiptare, te majte apo te djathte qe Cili i ka blere vazhdinisht… Apo edhe kjo skizofrenia e drejtorise se arsinit te larte, Linda Pustina qe i favorizon ne cdo gje.

  2. Aueri says:

    Shume mire ben Kosova! Diplomat e Shqiperise nuk i njeh asnje shtet i Europes pasi dihet mire si merren , si prsh doktorratura e Xhelal Mziut (daulles)
    Diplomat e shqiperise vlejen vetem tja vrni maces ne qafe. Te diplomuarit e Shqiperise nuk kan as artikulimin e nje nxenesi te mire gjimnazist.

  3. Dr.Ardita says:

    Keni te drejte zotëri keto universitete kane qene te akredituara nga MASH-në Shqipëri dhe nuk ka asnje aryse akademike ligjore qe mos ti njoh MASH (Ministria e Arsimit dhe Shkences ) ne Kosovë,vetem nese ka arsye personale interesa klanore brenda Ministrisë-Universitete Private ne Kosovë ”

    E vërteta do të del në shesh mos keni merak.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje