Sa para fitojnë bashkitë nga hotelet? Rriten arkëtimet nga turizmi, më shumë formalizim

25 Korrik 2026, 12:15Ekonomia TEMA
Sa para fitojnë bashkitë nga hotelet? Rriten arkëtimet nga

Bashkitë po arkëtojnë më shumë të ardhura nga taksa e fjetjes në hotel,  ndikuar kjo nga rritja e numrit të turistëve në Shqipëri dhe reforma antiinformalitet,  pavarësisht se mosdeklarimi në strukturat akomoduese në vend vijon të mbetet një shqetësim i vazhdueshëm.


Referuar të dhënave nga raporti i financave vendore për vitin 2025,  të ardhurat nga taksa e fjetjes në hotel janë rritur në mënyrë progresive, por potenciali është më i lartë.

Konkretisht taksa e fjetjes në hotel është rritur nga 98,6 milionë lekë që rezultonte në vitin 2015, në 736 milionë lekë apo 7.8 milionë euro në vitin 2025.

E thënë ndryshe, rritja në një dekadë është  +646%, duke reflektuar zgjerimin e aktivitetit turistik dhe përmirësimin e nivelit të formalizimit në sektorin e akomodimit.

Baza e tatueshme për fjetje në hotel është çmimi që paguhet për fjetje, i cili mund të shprehet si çmimi për dhomë ose çmim për person/natë. Niveli i taksës është deri në 5% të pagesës për fjetje. Ky detyrim tatimor llogaritet duke shumëzuar nivelin e taksave të miratuar nga bashkia, me tarifën e fjetjes për një natë, sipas netëve të fjetjes në hotel. Fatura e lëshuar nga hoteli përfshin tarifën e fjetjes dhe vlerën e taksës.

Llogaritja e kësaj takse, bazuar në legjislacionin në fuqi, bëhet sipas ndarjes në dy kategori: Subjekte Hoteleri me 4 – 5 yje dhe Subjekte Hotele, Bujtinë, Fjetinë, Motel dhe çdo njësi tjetër akomoduese sipas përcaktimeve të ligjit për turizmin në fuqi. Zakonisht varion nga 35 – 350 lekë/ natë/ person, në varësi të vendndodhjes së bashkisë. Kjo taksë paguhet nga klienti dhe mblidhet nga struktura akomoduese, e cila më pas e transferon tek bashkitë.

Një problem shqetësues në sektorin e turizmit është informaliteti, i cili shfaqet në forma të ndryshme si mosregjistrimi i strukturave akomoduese apo kapaciteteve reale, mosdeklarimi i netëve të qëndrimit apo deklarimi i numrave fiktivë.

Për të luftuar evazionin fiskal dhe mospërputhjen midis numrit të turistëve dhe shitjeve, vitin e kaluar qeveria miratoi një vendim sipas  të cilit, strukturat akomoduese duhet të deklarojnë jo më pak se 65 % shitje të kapaciteteve që kanë përgjatë periudhës 1 maj-30 shtator dhe jo më pak se 30 % nga periudha 1 tetor- 30 prill.

Nga ana tjetër, të dhënat nga tregu i strukturave akomoduese me qira afatshkurtër tregojnë aktualisht në platforma të ndryshme rezervimi, figurojnë mbi 18 200 njësi me qira afatshkurtër aktive.

Lini një Përgjigje