Rreth 47 mln euro të ardhura, mbi 37 mijë aplikime për rivlerësimin e pronave në 6 muaj

24 Korrik 2026, 15:55Ekonomia TEMA
Rreth 47 mln euro të ardhura, mbi 37 mijë aplikime për

Mbi 37 mijë aplikime në gjashtë muaj… qytetarë dhe bizneset po rivlerësojnë pronat e tyre, ndërsa në arkën e shtetit janë futur rreth 47 milionë euro.

“Miratimi i rivlerësimit ka dhënë një lloj zhbllokimi të kontratave, të marrëveshjeve të shitjes dhe blerjeve. Një frymëmarrje në tregun e pasurive të paluajtshme. Por kjo nuk po reflektohet et shitjet dhe blerjet. thjesht ka më shumë prona të listuara”, shpjegon për A2 CNN Gjin Gjoka, sipërmarrës në “Real Estate”.

Të dhënat nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës tregojnë se interesi më i madh është në Tiranë dhe Durrës, ku njëkohësisht edhe çmimet janë rritur më shumë. Rreth 70 për qind e rivlerësimeve janë bërë me qëllim shit-blerjen e pronës. “Ju them qytetarëve që tu drejtohen agjencive, noterëve për të kryer rivlerësimin e pronave. Po ikin gati tre muaj kanë ikur dhe procesi zgjat vetëm deri në fund të vitit”, thotë Gjoka.

Pas odisesë të gjatë 2-vjeçare pritje, rivlerësimi i pronave vijon por jo pa probleme. Nga njëra anë agjentët vlerësuar po hasin vështirësi me vulat elektronike e nga tjetra qytetarët nuk po arrijnë dot të regjistrojnë në E-Albania dokumentacionin.

“Që në fazën e parë u kuptua se do të kishte pengesa teknike. Platforma ka pasur ndërprerje dhe mosfunksionime të herëpashershme, ndërsa procedurat elektronike nuk kanë qenë gjithmonë të qarta për përdoruesit. Këto vështirësi kanë krijuar radhë pritjeje dhe pasiguri si për profesionistët, ashtu edhe për qytetarët që kërkojnë të përfundojnë aplikimin”, thotë për A2 CNN Ervin Demirxhiu, vlerësues i pasurive të paluajtshme.

Me gjithë dokumentacionin e plotësuar dhe tarifat e paguara, një pjesë e zotëruesve të pronave nuk po arrijnë dot të përfundojnë me sukses procesin e rivlerësimit.

“Ka raste kur dokumentacioni është i saktë dhe pagesat janë kryer, por sistemi nuk e finalizon aplikimin për shkak të problemeve me verifikimin ose me vulat elektronike. Kjo i detyron aplikantët të ribëjnë hapa të caktuar dhe shton kohën e procesit. Në praktikë, kjo do të thotë më shumë kosto dhe më shumë pritje për zotëruesit e pronave”, thotë Demirxhiu.

Afati për aplikimet do të jetë deri në 31 dhjetor kundrejt tarifave të kadastër nga 3 mijë e 500 lek deri në 10 mijë e varur kjo nga vlera e rivlerësimit të objektit.

Lini një Përgjigje