Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka inspektuar një nga postoblloqet e Policisë Rrugore për masat ndaj shoferëve që nuk përdorin rripin e sigurimit.
Duke ju referuar shifrave të aksidenteve në vend të cilat sipas ministrit Tahiri janë të pakrahasueshme me çdo vend të Ballkanit dhe aq më pak me ato të Bashkimit Europian, ai kërkoi drejtuesve te mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit duke vendosur rripin e sigurimit.
‘’Kemi bërë shumë për të rritur sigurinë rrugore. Jemi shumë të vetëdijshëm që ka akoma më shumë punë për të bërë. Jemi të vetëdijshëm që kemi problem me sigurinë rrugore. Duhet bërë më shumë për disiplinimin e atyre që përdorin rrugën si këmbësorët edhe drejtuesit e automjeteve’’, tha ai.
Ministri Tahiri shtoi se nuk do të ketë më asnjë tolerim për ata që nuk vendosin rripin e sigurimit pasi nuk mund të lejohet më që Shqipëria të jetë një arenë lufte nga aksidentet rrugore.
‘’Gjoba e policisë rrugore është nje kosto shumë më e vogël se jeta. Rripi i sigurimit shpëton jetën tuaj edhe të pasagjerëve, të kujdesemi për veten. Je më modern kur lidh rripin e sigurimit. Je vetëm i çmendur nëse nuk e lidh’’, theksoi ministri.
Ndërkohë i pyetur në lidhje për negociatat për projektligjin për masat shtesë për sigurinë ministri Tahiri është shprehur optimist për miratimin e tij të enjten e ardhshme.
‘’Do bind të gjithë që të miratojnë ligjin për të parandaluar krimin. Çdo deputet duhet të punojë me secilin grup për të bërë të mundur që projektiligji të përputhet me të gjitha standartet. Do përmbushim çdo detyrë që kanë ligjvënësit. Ligji shtron bazat për të parandaluar ngjarje kriminale. Projektligji i propozuar përmban masat shtesë të sigurisë. Mirëpres vërejtjet për të bërë gjithçka për t’u garantuar qytetarëve dhe deputetëve miratimin e akteve”, u shpreh ministri i Brendshëm.