“Libri “Kapërcimi i vetmisë” i Muhamet Mustafës është, në thelb, historia e dekadave të fundit e Kosovës, treguar në mënyrë subjektive, por të sinqertë nga një protagonist i drejtpërdrejtë dhe i angazhuar i shumë ngjarjeve të rëndësishme të jetës publike dhe intelektuale në periudha të ndryshme të ndërtimit të shtetit. “Kapërcimi i vetmisë”, më shumë se për historinë, është një libër për të nesërmen.
Kur lexuesi ta ketë përfunduar leximin, nuk do të ketë vetëm një perspektivë fort të afërt e personale të jetës kosovare të dekadave të fundit, por do të mund të shtrojë pyetje të rëndësishme rreth së ardhmes të shtetit të ri. Për krijimin e shtetit të Kosovës është punuar me shumë sakrificë nga shumë breza të tërë. Brezi i liderëve të tashëm dhe brezat e ardhshëm duhet t’i kenë parasysh ato sakrifica, derisa i japin formë ardhmërisë së shtetit të ri”, shkruan në parathënien e librit, Bardh Rugova.
Muhamet Mustafa është një ndër intelektualët më të shquar të Kosovës, por krahas karrierës së studiuesit dhe të profesorit universitar në fushën e ekonomisë, ai ka krijuar një karrierë të bujshme publike dhe politike, nisur si kryetar i Rinisë së Kosovës në vitet shtatëdhjetë, për të vazhduar si udhëheqës i institucioneve të rëndësishme ekonomike të Kosovës e të Jugosllavisë dhe për të kulmuar me postin e ministrit federativ në kuadër të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë – post të cilin e ka lëshuar më 1989 në kohën e masave të Milosheviçit.
Aktualisht është deputet në Kuvendin e Kosovës dhe themelues e drejtues i Institutit “Riinvest”, i cili është instituti i parë “think tank” për zhvillim dhe kërkim i Kosovës, i themeluar më 1995 dhe si i tillë realizon publikime dhe raporte kërkimore nga fusha e ekonomisë me synim promovimin e zhvillimit ekonomik modern në Kosovë, mbështetur në filozofinë e ndërmarrjeve.