Ballkani Perëndimor të shfaqë vullnetin për të mos shkaktuar probleme; çfarë u diskutua në “Forumin e Beogradit për Sigurinë”

14 Tetor 2016, 22:05Rajoni TEMA

Nga Bjorn Runa, Beograd

Politikat e drejtuara nga frika dhe populizmi, paraqesin jo vetëm një kërcënim real ndaj demokracisë, por përbëjnë gjithashtu motorrin e nxitjes së kaosit global.

“Forumi i Beogradit për Sigurinë” ka përfunduar punimet tri ditore, ku 25 panele diskutuan dhe identifikuan problemet që shqetësojnë rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe politikat që duhen ndjekur për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Krizat e shumta politike në Europë, të cilat kanë lënë në pritje perspektivat e zgjerimit të BE-së, kanë ndihmuar elitat politike ballkanike në ringjalljen e mërive të vjetra, duke luajtur me faktorë luftënxitës. Por, ndërsa liderët e Europës Juglindore thjesht presin zgjidhjet që mbërrijnë si kërkesa nga Brukseli, ka ardhur koha që ata vetë të ndërmarrin iniciativa për tejkalimin e mosmarrëveshjeve bilaterale, si një parakusht për një zhvillim të mëtejshëm socio-ekonomik.

Rëndësia e një dialogu Prishtinë-Beograd për zhvillimin e një të ardhmeje të përbashkët.

Diskutimet gjatë forumit u përqëndruan tek rëndësia e dialogut, si i vetmi mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis vendeve të rajonit. Është koha që komunikimi mes Prishtinës dhe Beogradit, t’i përshtatet një qasjeje më gjithëpërfshirëse, duke zhvilluar vizionin për një të ardhme të përbashkët. Udhëheqësit e të dy vendeve duhet të lënë mënjanë mëritë politike, pasi në fund nuk flitet thjesht për çështje abstrakte, të cilat sa vjen dhe largohen më tepër nga njerëzit. Në fund, flitet për njerëzit, për jetët e tyre të përditshme. Flitet për serbë në veri të Kosovës, të cilët e kanë të vështirë të integrohen në shoqëri, pasi jo vetëm shihen si “armiq,” por nuk iu njihen as dokumentet (patentat, apo targat e makinave), të lëshuara nga institucione serbe. Ashtu siç flitet edhe për kosovarë në jug të Serbisë, të cilëve nuk iu njihet thuajse asnjë e drejtë si minoritet.

“Forumi” evidentoi gjithashtu edhe rëndësinë e një dialogu më të gjerë mes Kosovës dhe Serbisë. Derimë tani, ka patur një dialog qeveritar mes dy vendeve, i cili aktualisht ka hasur në disa pengesa, duke ndalur të gjithë procesin. Për këtë arsye, sipas Pierre Mirel (Kryetar Honorifik i Komisionit Europian), “është koha të kalohet në një dialog më të gjerë. Dialog parlamentar dhe dialog mes bizneseve të dy vendeve.”

Gjithashtu, nevojitet një proces më transparent dialogu. Sipas Naim Rashitit (drejtor ekzekutiv i “Balkans Group”), drejtuesit e të dy vendeve nuk kanë treguar gjer tani niveline duhur të transparencës. “Elita politike tregon histori të ndryshme tek qytetarët dhe histori krejt të tjera gjatë komunikimeve me ndërkombëtarët.” Për më tepër, duhet po ashtu edhe që BE të punojë me aktorë të tjerë veç liderëve politikë për normalizimin e procesit.

Debati Rama-Vucic, treguesi se pavarësisht mosvarrëveshjeve, dialogu është i mundshëm.

Debati mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe atij serb, Aleksandar Vucic, ishte dhe një nga pikat më të rëndësishme të forumit.

Komunikimi midis dy kryeministrave nisi qetë, por u përfshi nga mjaft replica dhe batuta, ndërsa debate iu afrohej temave të nxehta që prekin të dy vendet. Ata diskutuan për situatën në të cilën gjendet aktualisht rajoni, e veçanërisht vendet të cilat drejtojnë. Vuçiç u shpreh gjatë debatit se, ai nuk ndihet optimist për situatën në rajon. “BE na vendos detyra të ndryshme,” tha ai “Sot nuk është një atmosferë më e mirë se një apo dy vite më parë. Jemi duke humbur terren, ndonëse nuk duam ta pranojmë.” Kryeministri serb u shpreh gjithashtu se synimi strategjik i vendit të tij, është anëtarësimi në BE, pork jo nuk do të thotë se Serbia do të heqë dorë nga marrëdhënia e veçantë që ka me aleaten e saj, Rusinë. “Padyshim që do të shohim një prani më të madhe të Rusisë në Serbi,” tha Vucic “dhe kjo nuk ka asnjë problem, pasi ne kemi patur gjithmonë një marrëdhënie të veçantë.”

Kryeministri Rama, nga ana tjetër deklaroi se për Shqipërinë “ka vetëm një dashuri të mundshme, perëndimi.” Ai tha se kjo lidhet edhe me të shkuarën e vendit, ku perëndimi dhe Europa kanë qenë ëndrra e përhershme e Shqiptarëve. “Njerëzit e kanë kutpuar se kjo është mënyra e vetme e modernizimit dhe bërjes pjesë e familjes së madhe. Integrimi në BE, nuk është thjesht një zgjedhje mes dy dashurive të mundshme, por zgjedhje e të ardhmes.

Dy kryeministrat, diskutuan gjithashtu edhe temat e nxehta, të cilat lidhen me Kosovën. Rama tha se, sa më shpejt Serbia ta njohë atë, aq më mirë do të jetë për vetë Serbinë. “Në fund,” tha ai “nuk ka të bëjë vetëm me çfarë mendojnë njerëzit…,por ku do të shkojmë dhe nuk duhet të lëvizim drejt së shkuarës.”

Një nga “temat e nxehta” të diskutuara gjatë debatit, ishte edhe çështja e Trepçes. Kryeministri shqiptar, u shpreh se Trepça gjendet në tokë kosovare dhe rrjedhimisht, i përket shtetit të Kosovës.

“Trepça është një minierë…Dhe gjendet në tokën kosovare… Ç’do të bëni me të, ta transportoni në Beograd?”

Rama shtoi gjithashtu se çështja e Trepçes është një çështje ekonomike dhe ekonomia nuk mund të bëhet kurrsesi pengesë për dialogun politik mes dy vendeve. Ndërkohë, Vuçiç tha se ai vetë nuk e priste që Trepça të kthehej në një problem, duke shtuar se ishte diçka që doli nga hiçi, vetëm e vetëm për të penguar dialogun “Prishtinë-Beograd.” Megjithatë, ai u shpreh se ajo nuk mund të jetë thjesht një çështje ekonomike. “Nëse Trepça është thjesht çështje ekonomike, atëherë Prishtina ka dështuar në zhvillimin e Trepçes. Por, problemi është se ata anashkaluan gjithë procedurat, duke lënë mënjanë Serbët e Kosovës.” Ndërkaq, ai shtoi se përsa i përket dialogut me Prishtinën, ai do të vazhdojë, pasi shihet si një parakusht për përmirësimin ekonomik të rajonit, e sidomos të vetë Serbisë.

“Ne nuk e kemi ndërprerë dialogun me Prishtinën… Po, ne do të investojmë më shumë kohë dhe energji, por do të bëhet më e vështirë çdo ditë që kalon, pasi atmosfera po ndryshon… Po vështirësohet për të dy palët.” – tha Vuçiç.

Mungesa e dialogut si një problem jo vetëm i Ballkanit, por edhe i vetë Europës.

Dialogu kuptimplotë ka nisur të mungojë prej kohësh në të gjithë Europën, dhe jo vetëm në Ballkanin Perëndimor. Pjesëmarrësit në “Forumin e Beogradit për Sigurinë,” bënë thirrje për një komunikim më të hapur mes liderëve europianë, si edhe për një përfshirje më të madhe të vetë qytetarëve. Kjo, pasi solidariteti nevojitet për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme kombëtare dhe europiane.

Problemi është se për një kohë të gjatë, BE konsiderohej si i vetmi burim sigurie, por me hezitimin e vendeve anëtare për të reaguar, të tjerë aktorë globalë po hyjnë në lojë. Për këtë arsye, nevojitet që vendet e Ballkanit të gjejnë një gjuhë të përbashkët dialogu ndërmjet tyre.

Gjer tani, funksionaliteti i unitetit ballkanik nuk ka qenë i kënaqëshm për qytetarët vendeve të rajonit. Pjesëmarrësit në “Forum,” paralajmëruan se mungesa e kontaktit mes fqinjëve do të shkaktojë një hap prapa në procesin e integrimit të rajonit në BE.

Në fund, mundësia më e mirë për vendet e Ballkanit Perëndimor është të shfaqin vullnetin për të mos shkaktuar konflikte dhe mbi të gjitha, të mos e lejojnë veten të instrumentalizohen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje