Refit Buzi nuk pranon t'i dorëzohet RENEA-s, vret veten disa orë pasi vrau ish-vjehrrin dhe plagosi ish-vjehrrën (FOTOT)

24 Korrik 2026, 17:10Kronika TEMA

Refit Buzi nuk pranon t'i dorëzohet RENEA-s, vret veten disa orë

Policia thotë se Refit Buzi ka kryer vetëvrasje, pas orëve të tëra negociatash mes tij dhe policisë.

Ai ekzekutoi me armë ish-vjehrrin, plagosi ish-vjehrrën dhe në fund mori për disa orë peng ish-partneren.

Kjo e fundit u lëshua prej tij dhe aktualisht ndodhet në spitalin e Fierit.

Autori i dyshuar i krimit, pas disa orësh përpjekjeje nuk ka pranuar dorëzimin te Policia dhe RENEA, dhe ka shkuar më pas drejt aktit të rëndë duke kryer vetëvrasje.

Pavarësisht përpjekjeve të efektivëve për ta bindur që të dorëzohej, 35-vjeçari ka qëlluar veten brenda në makinë.

Ekipet mjekësore dhe autoambulanca ndërhynë menjëherë në vendngjarje, por autori nuk mundi t’u mbijetonte plagëve.

Nga sulmi i armatosur i 35-vjeçarit në banesën e ish-të fejuarës mbeti i vrarë në vend 55-vjeçari Arben Plaka, ish-vjehrri i autorit, ndërsa ish-vjehrra e tij mbeti e plagosur rëndë.

Në vijim të informacionit paraprak për ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur në fshatin Vidhisht, Roskovec, ku shtetasi R. B., 35 vjeç, vrau me armë gjahu babanë e ish-të dashurës së tij, plagosi nënën e saj dhe mori peng ish-të dashurën, shtetasen R.P, ju  informojmë se:

Pas lirimit të saj falë veprimeve profesionale të Policisë,  ekipi negociator i RENEA-s, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorit, vijoi negociatat me 35-vjeçarin, me qëllim bindjen e tij për t'u dorëzuar dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Pavarësisht negociatave intensive, të zhvilluara që prej orëve të para të mëngjesit, 35-vjeçari nuk iu bind thirrjeve të Policisë për t'u dorëzuar dhe, rreth orës 16:35, dyshohet se është vetëvrarë me armën e gjahut që mbante me vete, brenda automjetit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.

1 Komente

  1. V
    Vlora

    Po shtate ore nuk e bindet dot? Kaq te afte i paska negociatoret Renea?!

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje