A po e heton SPAK projektin në Zvërnec i lidhur me Kushner? Struktura e Posaçme i përgjigjet interesimit të mediave amerikane: Asnjë hetim të hapur për këtë çështje

24 Korrik 2026, 14:25Kronika TEMA
A po e heton SPAK projektin në Zvërnec i lidhur me Kushner? Struktura

Gjatë kohës së protestave që nisën në kryeqytet që prej fillimit të muajit qershor për projektin në Zvërnec, një sërë mediash të huaja i janë drejtuar SPAK me kërkesa për informacion.


Në raportimin mujor të kërkesave për informacion të mediave, që gazetarja e Top Channel Anila Hoxha e disponon, rezulton se shumë media të huaja kanë kërkuar informacion për hetimet në Zvërnec. Mes tyre edhe nëse ka apo jo hetime ndaj Kushner.

Fox News: A mund të konfirmojë SPAK nëse po heton një projekt zhvillimi të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e Presidentit Donald Trump?

Në përgjigjen zyrtare kthyer kësaj media të huaj, SPAK deklaron se Struktura Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nuk ka hapur asnjë investigim ndaj projektit të Kushner, pa dashur të japë detaje të tjera.

SPAK: Në përgjigje të kërkesës suaj, Struktura Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nuk ka asnjë hetim të hapur në lidhje me ndonjë projekt të lidhur me z. Jared Kushner. SPAK ka filluar një hetim; megjithatë, ky hetim ka të bëjë me çështje që nuk lidhen me objektin e kërkesës suaj. Detajet e mëtejshme nuk mund të zbulohen për shkak të sekretit hetimor.

Në listën e mediave të huaja të interesuara për kërkesa për informacion janë edhe “NYT London”, CNN London, Anadolu Agency, MSNBC, CNN, CBS News London, The Times, RAI Tre dhe disa të tjera.

Disa prej tyre janë interesuar edhe për pronësinë e ishullit të Sazanit dhe qindra hektarëve në gjirin e Nartës, duke pyetur SPAK nëse po i investigon si çështje, ndërsa SPAK shprehet se nuk ka një investigim lidhur me zhvillim e një projekti në Sazan.

Ndërkohë SPAK sqaron se kanë nisur një hetim lidhur me vendime të marra që nga viti 2024 për ndryshimin e statusit të mbrojtjes së tokës, dhënien e statusit “Investitor Strategjik” ose lehtësimin në forma të tjera të ndërtimit të ri turistik në Ishullin e Sazanit, Bashkia Vlorë.

Lini një Përgjigje