Prokuroria për Krime të Rënda nis hetimet për të gjithë ata gjyqtarë që janë shprehur me vendim për ish-hotel Vollgën në Durrës.
ABC News ka mësuar se dy prokurorët e çështjes, kanë sekuestruar të gjitha vendimet gjyqësore për ish-hotel Vollgën në Durrës të dhënë nga vitit 2003 e vazhdim, kohë kjo që përkon edhe me nisjen e kalvarit gjyqësor të pretendentit të kësaj prone, shtetasit Zamir Hasa.
Ky i fundit ka arritur që nëpërmjet një vendimi të dhënë nga Gjykata e Durrësit në vitin 2003, të njihet si pronar i ish-hotel Vollgës.
Vendim ky që më pas është lënë në fuqi edhe në Gjykatën e Apelit, duke sjellë një lumë procesesh gjyqësore nga kompania arabe dhe bashkëpunëtori i drejtësisë tashmë, Ylvi Beqja.
Sipas prokurorisë, po hetohet vendimmarrja e këtyre gjyqtarëve pasi dyshohet se kanë dhënë një vendim të paligjshëm, që ka sjellë pasojat për kompaninë arabe, e cila në vitin 1994 e ka blerë pronën, tashmë të sekuestruar.
Mësohet se krahas hetimit ndaj gjyqtarëve, po verifikohet edhe puna e disa avokatëve, që kanë përfaqësuar çështjen në këto procese gjyqësore.
Hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda, mësohet se nuk do i shpëtojnë edhe disa punonjës të administratës gjyqësore në Gjykatën e Durrësit, të cilët dyshohet se kanë favorizuar pretendentin Zamir Hasa.
Nga ana tjetër, pritet që në ditët në vazhdim për këto vendime, gjyqtarët, avokatët e punonjësit e administratës të merren në pyetje me cilësinë e dëshmitarëve, për të dhënë shpjegime për veprimet e tyre.
Sipas akuzës, vendimi i vitit 2003 dhe më pas i vitit 2008 nga Apeli, ka bërë që Ylvi Beqja, tashmë bashkëpunëtor i drejtësisë, të hapë disa procese gjyqësore kundër këtyre dy vendimeve, për regjistrimin e pronës përsëri në emër të kompanisë që ai përfaqësonte.
Duke parë problemet që po haste në regjistrimin e pronës, ai me ndërmjetësimin e një avokati të njohur, është takuar me Emiljano Shullazin, të cilit i ka kërkuar ndihmë për pronën kundrejt një kontrate shpërblimi.
Ky ka qenë edhe momenti, sipas dëshimisë së Beqjas, që atij Emiljano Shullazi dhe banda e tij, i kanë vendosur dhe marrë shuma të ndryshme parash në formë gjobe, që kap shifrën e rreth 550 mijë eurove.