Ballafaqim gazetarësh për "përplasjen" serbo-shqiptare

5 Nëntor 2016, 09:12Rajoni TEMA

Në një seri shkrimesh debatuese, të organizuara nga Kossev dhe me përkrahje të NDI, për problemet e shqiptarëve dhe serbëve, ballafaqohen gazetari dhe publicisti kosovar Baton Haxhiu dhe gazetarja e serbe, ish- kryeredaktorja e “Politika”, Ljiljana Smajlovic.

Ndryshimi i komunikimit për ridefinim konstruktiv të realitetit

A ka alternativë mes fjalimeve e goditjeve të ashpra gjuhësore dhe zbutjes së tensioneve retorike mes shqiptarëve dhe serbëve?

Shkruan: Baton Haxhiu

Reforma e parë: Gjuha

Kur Tanja më kontaktoi për ta nisur një debat me Ljilanën – për Kosovën dhe Serbinë, për qytetarët dhe gjuhën, për politikën dhe politikanët, për kujtesën dhe të ardhmen, kisha parasysh që situata ndërmjet nesh sadopak mund të ndryshojëpozitivisht me shkronja dhe momente shpirtmadhësie, si dhe me gjuhë që e ndryshon urrejtjen.

Për një kohë të gjatë nëdiskursin e rubrikës “Odjeci i Reagovanja”, në vitet e tetëdhjeta dhe nëntëdhjeta, gazetën ku pastaj ka punuar Ljiljana pas luftes, shkrimet e kolegeve te mi serb nuk kane pasur shkronja per mendjezgjuarit, per shpirtmiret, civilet, per ata qe kane pasur dhimbje. Fatkeqësisht, shkronjat kane qene ne perdorim per hakmarresit, trimat, per te pamëshirshmit, per te dhunshmit dhe intrigantet.

Kodet frymëhelmuese të politikës dhe mediave janë ndër bllokadat kryesore që i pengojnë mentalitetet me histori konflikti për t’i trajtuar realitetet e reja në mënyrë objektive.

Me kete rast po mundohem qe te diskutoj për gjithçka që Liljanës (dhe lexuesve, natyrisht) i intereson, pa e fshehur kënaqësinë që mund te gjej nje gjuhe argumentuese. Pres qe Liljana te jete ajo qe do të më sqarojë mua dhe lexuesve kosovarë perspektivën e saj për shkaqet e gjithë asaj që na mundon dhe na ndan e na bashkon.

Këtij dialogimi ia vlen t’i përkushtohem per ta njohur më nga afër mënyrën e të rezonuarit të koleges sime nga Serbia dhe qëndrimet e saja ndaj shqiptarëve dhe Kosovës. Edhe per faktin se dua ta diskutoj më gjerësisht kontekstin objektiv dhe analitik të vazhdimësisë së ndjenjave negative të serbëven daj shqiptarëve. Dhe, të kundërtën – të shqiptarëve ndaj serbëve.

Mediat kosovare pas luftës përgjithësisht shquhen për largimin e fjalorit urrejtës, racist e sidomos paragjykues ndaj serbëve nga raportimet e tyre. Por, mendoj se fatkeqësisht mediat e Beogradit nuk i kanë bërë hapat e nevojshëm në këtë drejtim. Në mediat periferike në Kosovë mund të ketë shkarje dhe ngjasime me fjalorin negativ të shumicës së mediave në Serbi, por jo edhe në shumicën absolute të mediave të rëndësishme. Kjo gjë mund të vërtetohet me lehtësi nëse ato lexohen/shikohen/dëgjohen.

Në librin e nje mikut tim, me titull “Carere Patria”, në të cilin analizohet rëndësia kulturore dhe sociale e gjuhës ndër shqiptarë, parafrazohet thëniae Konfuçit, sipas të cilës, gjuha e pandryshuar eshte ajo qe e ben te veshtire jeten civile.

“Kur Cu Lu(Tzu Lu) e pyeti Konfuçin: “Po të të ftonte duka i Ve-së (Wei) për ta udhëhequr vendin e tij, cilën masë do ta mirrje të parën?”, Maestro u përgjegj: “Reformën e gjuhës”.

Reforma e gjuhës nuk është, thjesht, pjesë e gjuhës që politikanët përdorin – ajo është koncept, është mendje dhe refleks që lind nga ideja dhe projeksioni që dikush e quan vizion, e dikush tjetër projeksion i së ardhmes.

A ka përmbajtje të re gjuhësore në Kosovë dhe Serbi?

Ka një ndryshim ne veprime. Ka një dimension më njerëzor të komunikimit me qytetarët. Por, ajo që ka mbetur pothuajse e pandryshuar është – gjuha.

17 vjetpas vitit 1999 që shënoi përfundimin apo fillimin, varësisht nga perspektiva, e një etape historike mes shqiptarëve dhe serbëve, janë pothuajse të njëjtit njerëz dhe i njëjti fjalor që përcaktojne komunikimin e politikanit me qytetarin.

Nese i bëhet një analizë e përciptë e gjuhës, që sot përdoret në media e në opinion, konstatohet menjëherë se një reformë ka mbetur pa u bere në Serbi,por në një masë edhe Kosove. Atë që Konfuçi do ta bënte të parën: reformën e gjuhës.

Fatkeqësisht, për këtë arsye nuk ka mundur të ndryshojë as koncepti i retorikës.

Po të analizohet gjuha e politikanëve, gjuha e liderëve partiakë, gjuha e komentatorëve dhe analistëve, gjuha e gazetave dhe e gazetarëve, vërtetohet me keqardhje po ai diskurs – diskursi pa ide dhe pa koncepte konstruktive, për të cilin fjalët s’janë asgjë tjetrër vetëm një shndërrim i kohës në kujtesë.

Shtrohet pyetja: a mund te kete demokraci dhe sistem te ri te interaksioneve shoqerore me kete gjuhe?

Eshte e deshmuar se demokraci të re me gjuhë dhe diskurs të vjetër nuk bëhet. Sepse, me kualifikimet kuturu nuk behet demokracia, por ndertohet rruga per rrenimin e saj.

Kjo behet shpeshhere pa kritere seleksionuese dhe e fabrikuar thjesht. Mungon ajo gjuha e argumenteve qe tradicionalisht jemi mesuar ta degjojme ne Perendim, natyrisht e veshur me transparence.

Të shumta janë opinionet që shpjegojnë ose mjegullojnë mosmarrjen e masave parandaluese me kohë, por, me gjasë, lehtësia e përdorimit te gjuhës se tille u etablua pasi u konsiderua si efektive nga palët.

Reforma e dytë: Historia

Rishkrimi objektiv i historisë nga perspektiva universale, e jo ajo egonacionale.

Popujt e Ballkanit – sidomos Serbia – duhet t’i pranojnë ftesat e shumë historianëve për t’i korrigjuar dhe reviduar rrëfimet dhe mitet. Në rastin e Serbisë, të injorimit konsistent të qasjes realiste ndaj ngjarjeve nga vitet e 1990-ta, si dhe me një “poetikë” sakrale plot vetëviktimizim në raport me popujt tjerë të rajonit.

Të njejtën gjë duhet ta bëjnë edhe shqiptarët,sidomos në librat shkollorë.

Serbët në Kosovë, edhe pse me shume probleme,institucionalisht janë pakica më e privilegjuar e rajonit, të mos themi e kontinentit. Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, asnjë vendim i rëndësishëm nuk mund të merret nga shumica absolute shqiptare pa e pasur edhe aprovimin e përfaqësuesve serbë.

Ndërkaq, edhe sot e kësaj dite diskutohet nëse shqiptarët e Luginës së Preshevës mund të kenë libra shqip nga sfera e tyre kulture. Këto diskrepanca bllokojnë secilin përmirësim kualitativ. Acarojnë edhe më shumë individët e tensionuar kudo që janë.

Tashmë ka iniciativa OJQ-sh që kontribuojnë në riafrimin kulturor të të dyja pjesëve. Ato do të ishin shumë më efektive nëse edhe shtetet përkatëse, në kuadër edhe të BE-së, do të sponsorizonin në këtë drejtim për bashkëpunime intelektuale, mediale, kulturore dhe sportive, të cilat do t’i zbusnin deridiku aversionet reciproke.

Përgjegjësia është e jona, e shqiptarëve dhe e serbëve, për ta synuar arritjen e normalitetit rajonal – si në diskurset publike, ashtu edhe në jetën e përditshme.

Kjo do të ishte dobiprurëse për të gjithë.

Ky është shkrimi i parë.

Do të doja që Ljiljana ta elaboronte çështjen:

Cilat mund të jenë arsyet e dominimit të diskursit të ashpër ndaj shqiptarëve dhe Kosovës në mediat dhe jetën publike serbe?

Çdo pushtet është dashur të llogarisë në fuqinë e “Politikës”

Kur Batoni thotë “demokraci të re me gjuhë dhe diskurs të vjetër nuk bëhet”, shpresoj se nuk sugjeron që në këtë demokraci të re të mos ketë vend për “Politikën” që ekziston tashmë 112 vjet, respektivisht që në demokracinë “e re” e gjithë historia e “Politikës” të mbahet mend vetëm sipas rubrikës “Odjeci i reagovanja” (sh.p. Jehona dhe reagime)

Shkruan: Ljiljana Smajlovic

Me kënaqësi e kam pranuar dialogun me Batonin, të cilin e njoh vetëm nga emri. Më pëlqen shkëmbimi i mendimeve, nuk hezitoj nga konfrontimi, ndërsa nga natyra nuk jam shpirtngushtë. Nëse unë e Batoni nuk mund të nisim një dialog të ndershëm e konstruktiv, kush mundet? Jemi kolegë, pranojmë parimet profesionale anglosaksone, e në momentet kyçe që të dy kemi punuar ne medie të pavarura të financuara nga Perëndimi. E njohim argumentimin, gjuhën dhe zakonet e shteteve që kanë pasur ndikim kryesor në fatin e mëmëdheut tonë të dikurshëm të përbashkët.

I mirë është edhe propozimi i Batonit për të filluar nga gjuha, respektivisht mënyra e të folurit të serbëve për shqiptarët dhe shqiptarëve për serbët. Ai thotë që pas luftës nga mediat kosovare është larguar gjuha e urrejtjes, racizmit dhe paragjykimeve ndaj serbëve, ndërsa pastaj thotë që mediat beogradase në këtë kontekst janë prapa mediave në Kosovë dhe nga unë kërkon të sqaroj arsyet e dominimit të diskursit të ashpër ndaj shqiptarëve dhe Kosovës në publikun serb.

Për mua kjo është risi; që mediat kosovare shkruajnë pa paragjykime dhe urrejtje për serbët, por nuk e di gjuhën shqipe andaj nuk jam në gjendje të verifikoj këtë pohim. Batoni ka një përparësi krahasuar me mua: ai mund të lexoj shtypin serb, unë nuk mundem atë në shqip. Shpresoj se ai nuk do ta thotë që unë, si serbe menjëherë po ankohem për pozitën jo të barabartë! Jo, unë me të vërtetë ja kam zili. Me kujtohet kur në vitin 1989, gjatë punës gjashtëmujore në rubrikën e qytetit të një gazete amerikane në Klivlend, e takoja Dimitër Rupelin, i cili asokohe qëndronte në Amerikë si stipendist, i cili më pastaj u bë ministri i parë i Sllovenisë i Punëve të Jashtme. Në muajt e parë të qëndrimit të përbashkët në Ohajo insistonte që të flasim anglisht pasi unë refuzoja ta dëgjoja në sllovenisht, gjuhë të cilën nuk isha në gjendje ta përcjellja me kuptim të mjaftueshëm. Pastaj kapitulloi: ishte mërzitur me Miduestin amerikan përderisa në Jugosllavi zhvilloheshin ngjarje ngazëlluese për të cilat donte të fliste me të njohur, prandaj më ftoi në drekë gjatë të cilës menjëherë kaluam në serbisht. Por fillimisht me një ton shumë serioz më tërhoqi vërejtjen: “Vetëm ta dini, nëse mbesim në shtetin e përbashkët, me të vërtetë duhet të mësoni sllovenishten”. Unë në atë kohë isha më se bindur që zotëri Rupel disi është një separatist qesharak dhe që ne me siguri do të mbesim në shtetin e përbashkët, por u bë më se e qartë për mua që në një gjë ka të drejtë: në shtetin e përbashkët duhet ta mësojmë gjuhën e njëri-tjetrit.

Kërkoj falje për digresion, por nga kjo miqësi në një vend të huaj kam mësuar që problemi me paragjykimet qëndron në atë që njeriu nuk është i vetëdijshëm për paragjykimet e veta, ndërsa të huajat i vëren menjëherë. E kam të lehtë të pajtohem me Batonin që fjalët e ashpra dhe retorika e vrazhdë prodhojnë realitetin e vet, respektivisht që përdorimi i përhershëm i terminologjisë së vjetër shpie në rikthimin e po atyre konflikteve të vjetra. Por në artikullin e Batonit ma tërheq vëmendjen mungesa e një fjale të vjetër dhe për mua shumë të rëndësishme, respektivisht një emri. Flas për “Politikën” e Beogradit.

Lexuesi ndoshta nuk e di, prandaj në fillim të dialogut dua ta sqaroj. Jam e lindur në Sarajevë, kam punuar në “Oslobođenje” (sh.p. Çlirimi) në Sarajevë, fillimi i luftës qytetare në Kroaci më zuri në vendin e korrespodentit të “Oslobođenje” nga Brukseli. Nuk desha të qëndroj jashtë vendit dhe u ktheva në Jugosllavi, ku në janar të vitit 1993 gjeta një vend pune në “Vreme” (sh.p. Koha) opozitare, e më pastaj kam kaluar në “Evropljanin” (sh.p. Evropiani) të Sllavko Quruvias, e pas vrasjes së tij në “NIN”, për të cilin kam raportuar për gjykimine Sllobodan Millosheviqit nga Haga. Të gjitha redaksitë e mia beogradase ishin anti-millosheviqiane, por si kurorë të karrierës sime e konsideroj kohën të cilën, pas 5 tetorit, në dy raste e kam kaluar në krye të “Politikës”. Nuk e kam lejuar cenimin e politikës sime redaktuese prandaj më kanë shkarkuar dhe larguar nga puna, por pa marrë parasysh këto mossuksese, ishte nder i veçantë të jem redaktore kryesore e “Politikës”.

Po e përmend këtë, pasi Batoni ka të drejtë kur thotë që përzgjedhja e fjalëve nga ana jonë tregon shumë për qëllimet tona të vërteta. Përdorimi i termeve të caktuara është indikator i shkëlqyer i një politike dhe kufiri deri të cili është e gatshme të shkoj, por besoj që do të pajtohemi që shumëçka mund të kuptohet edhe nga tejkalimi dhe mos përmendja. Pse Batoni në vitin 2016 shmanget që të përmend “Politikën” me emër? Pse e përmend vetëm si skenë të famëkeqes “Odjeci i reagovanja” nga koha e Millosheviqit?

Ndoshta edhe gabohem, por më duket që redukcionizmi i tij ndoshta nuk është vetëm reflektiv. E kuptoj shijen e hidhur të cilën “Politika” nga koha e “Odjeci i reagovanja” e ka lënë në Kosovë, nuk e nënçmoj. Ndër të tjera, më kujtohet edhe habia ime diku nga mesi i dekadës së kaluar, gjatë mandatit të parë në “Politika”, kur kisha kuptuar që korrespondenti i dikurshëm i “Politikës” në Kosovë, Zejnel Zejneli, fare nuk e përdorte gjuhën shqipe, që e njihte fare pak dhe se prandaj nuk mundet të përcjell dhe mbuloj shtypin shqiptar në Kosovë; gjë që ishte detyra e punës të cilën e kisha menduar për të në kohën e ekzilit nga Kosova.

Por kjo prapë nuk nënkupton që 112 vjet të ekzistimit të gazetës më të rëndësishme serbe duhet të nivelohen me “Odjeci i reagovanja“. Shpresoj që dy gazetarët do të pajtohen me këtë shumë lehtë. Gazeta të cilën Ribnikarët e kishin themeluar në vitin 1904 që moti është bërë e pandashme nga kombi, fatin e ashpër e të cilit e ndan më shumë se për një shekull, ndërsa ka edhe mendime që Serbia vetëm me “Politikën” është bërë “një komb i vërtetë politik”. Një gazetë e madhe është mrekulli e rrallë botërore, nuk e kanë të gjithë, e kjo gazetë nuk është shtypur vetëm kur Serbia ishte mundur ushtarakisht, ndërsa kryeqyteti i ishte okupuar dy herë. Një gazetë e tillë paraqet të mirën kombëtare, në pronësi të kujtdo qoftë, e kjo është aksioma të cilës në rastin e “Politikës”, së paku deri në një masë, i janë përmbajtur madje edhe komunistët, të cilët kanë qeverisur pa opozitë.

Çdo pushtet është dashur të llogarisë në fuqinë e jashtëzakonshme të “Politikës” mbi imagjinatën morale të kombit serb. Nganjëherë trajtohej si ferrë në sy, e gjithmonë si plaçkë e dëshirueshme. Identifikimi i Serbisë me “Politikën” është ngulitur aq thellë në nënvetëdijen kolektive të popullit sa që sjell pasoja edhe të papritura edhe jo gjithnjë të lumtura. I shtyn njerëzit ta duan – ose assesi, me të vërtetë assesi, ta mos e duan. Lexuesit më vështirësija falin gabimet. Në kohen pa konkurrencë, kur në Serbi në disiplinën e bërjes së gazetës serioze më askush fare nuk garon, një publik kaq kërkues është më i vlefshëm edhe se sa vet miti neoliberal i tregut të lirë. Madje, as sot nuk mund të gjeni diçka më të mirë në kioskënë Serbi.

Ma merr mendja që Batoni edhe “Politikën” e ka futur në mesin e mediave serbe që në përgjithësi i përmbahen diskursit të ashpër ndaj shqiptarëve. Nuk e mohoj. Fatkeqësisht, ne jemi larguar aq shumë saqë mediat serbe për shqiptarët e Kosovës raportojnë gati vetëm në kontekstin e sulmit ndaj qytetarëve dhe pronësserbe si dhe mosndëshkimin e kryesve, dëmtimin e varrezave serbe, paraburgimin e padrejtë e të gjatë të Olliver Ivanoviqit, rrezikimin e manastireve, mbivotimin e serbëve në parlament, mosplotësimin e detyrimeve ndaj pakicës serbe sipas Marrëveshjes së Brukselit …

Por, kur thotë se “demokraci të re me gjuhë dhe diskurs të vjetër nuk bëhet”, shpresoj që Batoni nuk po sugjeron që në këtë demokraci të re të mos ketë vend për “Politikën” 112 vjeçare, respektivisht që në demokracinë “e re” e gjithë historia e “Politikës” të mbahet mend vetëm sipas rubrikës “Odjeci i reagovanja”.

Le të jetë kjo pyetja ime për Batonin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje