Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Rudy Giuliani shfaqet në një pozitë të favorshme për të drejtuar diplomacinë amerikane nën presidencën Trump, sipas një këshilltari të afërt me presidentin e sapozgjedhur, i cili vijon punën në Nju Jork për formacionin e administratës së ardhshme.
“Emri i tij u përmend seriozisht në lidhje me postin e sekretarit të Shtetit, një funksion për të cilin ai është i kualifikuar dhe një detyrë që do ta kryejë më së miri”, deklaroi për “Fox News” Kellyanne Conway, që drejtoi fushatën e Donald Trump i cili është mjaft i angazhuar në negociatat për kabinetin e ardhshëm Trump.
Ish-prokurori, i cili u bë i famshëm nga kalimi në drejtimin e Bashkisë së Nju Jorkut (1994-2001) përfundoi mandatin fill pas sulmeve të 11 shtatorit.
Rudy Giuliani, 72 vjeç, ishte përmenduar për postin e ministrit të Drejtësisë. Ish-prokurorit federal anti-mafia i atribuohet merita për rënie të kriminalitetit në Nju Jork.
I pyetur në lidhje me mundësinë e emërimit në postin e sekretarit të Shtetit, Kellyanne Conway iu përgjigj se “është e mundur, pasi kryebashkiaku Rudy Giuliani dhe unë kemi biseduar dje në mbrëmje gjatë një ceremonie pritjeje në Washington, ku ai tha publikisht se nuk do të ishte ministër i Drejtësisë”.
Një prej këshilltarëve më të afërt të Donald Trumpit gjatë fushatës, Rudy Giuliani i njohur si biznesmen prej disa dekadash i ka ofruar mbështetjen e tij të palëkundur.
Donald Trump pritet të takohet sot me zëvendësdrejtuesin e fushatës së tij Mike Pence në kullën ”Trump” në Manhatan, ku ekipi i tranzicionit të presidentit të 45-të të SHBA-së po punon për formimin e administatës së ardhshme