UET PRESS dhe gazetari e studjuesi i arkivave, Dashnor Kaloçi, sjellin botimin më të ri “Kadare në dokumentet e ‘Pallatit të Endrrave”
101 dokumenta të panjohura arkivore të Sigurimit të Shtetit dhe Komitetit Qendror të PPSH-se, të klasifikuara “Tepër Sekret”, me procesverbale të mbledhjeve të Lidhjes së Shkrimtarëve, Byrosë Politike të K.Q.të PPSH-së, me analiza, kritika, propozime, dëshmi,informacione,raporte,relacione,letra,akuza, spiunime e denoncime ndaj shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare, të gjitha të papublikuara më parë…?!
Libri do perkthehet dhe do botohet së shpejti në Angli dhe Francë, me një parathënie të gjatë të shkrimtarit Ismail Kadare, me botuesin nga Londra
Nga Dashnor Kaloçi
Letra e Polovinës nga Berati në 1971: “Nuk kam asgjë më të shtrenjtë se ky popull, kjo Parti dhe te ata 28 mijë dëshmorë që dhanë jetën për luftën, lirinë time e të shokëve të mi, i prekur thellë dhe i tronditur prej kësaj vepre që s’është aspak e zorëshme për I. Kadarenë, tek i cili kemi drejtuar sytë tanë, si qytetar dhe si një komunist i ardhshëm, mendoj që ai roman të hoiqet nga qarkullimi”
Polovoina: “Lexova romanin e Ismail Kadaresë “Kronikë në gur”. Mendoj se kjo vepër s’është ngritur fare mbi tipiken, por mbi të rastësishmen e shëmtuar. Pra si vepër ajo s’i takon aspak realizmit socialist. Për më tepër ajo është vepër surrealiste. Unë lexoj në tri gjuhë dhe surrealizmin, nëqoftëse se s’e njoh shumë mirë, e njoh mirë”.

Dokumenti që po publikojmë në këtë pjesë të librit siç diket dhe nga faksimilja përkatëse, është një letër e vitit 1971, e
një 23 vjeçari nga Berati, i quajtur Ylli Polovina, i cili ia drejton atë, sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Ramiz Alisë. Polovina, emër shumë i njohur tashmë (sidomos pas viteve ’90-të), si; shkrimtar, publiçist, analist, studjues serioz dhe gazetar, i rubrikës historike me temë nga e kaluara, autor librash dhe i dhjetra e dhjetra artikujve në shtypin e përdishëm, asokohe një djal i ri vetëm 23, vjeç, dhe gjithashtu një krijues i ri që sapo kishte botuar vëllimet e para, duket se ka qenë i mbushur plot me ëndrrime rinore, kjo edhe për shkak të dellit si letrar. Të gjitha këto duken qartë në letrën që ai ia dërgon Ramiz Alisë, gjë e cila mund të ketë ardhur edhe si shkak i indoktrinimit të tij ideollogjik prej rrethanave familjare, por edhe prej kohës kur është shkruar ajo, që duhet thënë gjithashtu se ka qenë mjaft e ngarkuar emocionalisht nga propaganda partiake. Ajo që bie në sy në pamje të parë të letrës, (gjë e cila duket dhe nga faksimilja përkatëse) është fakti që edhe pse ajo nuk ka qenë një letër zyrtare, Polovina në kre të saj ka shkruar me stilograf, Republika Popullor e Shqipërisë?! . Dhe gjithashtu duhet thënë se koha kur është shkruar kjo letër, përkon me periudhën që shkrimtari Ismail Kadare ka qenë i dërguar në rrethin e Beratit (me banim brenda në qytet), së bashku me kolegun Luan Qafëzezi, periudhë për të cilin ai është ndalur e ka shkruar në veprat e tij, dhe gjithashtu edhe Elena Kadare në librin e saj, “Kohë e pamjaftueshme” (Botimet “Onufri” Tiranë 2012). Dhe nisur nga ky fakt, pra po të kemi paraysh ato çka ka shkruar Kadare dhe bashkëshortja e tij Elena për periudhën në fjalë në rrethin e Beratit, prania e Kadaresë në atë ambinet deri diku dhe provincial, ka zgjuar instiktin hakmarrës të ndonjë kolegu lidhur me ndonjë pakënaqësi të tij, apo thjesht për shkak të indoktrinimit, gjë e cila ka bërë, që ta shohin shkrimtarin e njohur nga Tirana, edhe si një njeri, të cilin “partia e kishte dërguar aty për riedukim”. Nisur nga kjo, me mendohet se 23 vjeçari Polovina ka qenë i nxitur dhe i shtyrë për ta shkruar atë letër, qoftë dhe duke i përkedhëlur sedrën nga ana profesionale si një krijues e ri, ‘për një karrierë sa më të suksesëshme në të ardhmen’?! Por për ironi të fatit, duke se kjo letër nuk i ka ardhur aspak në ndihmë Polovinës, pasi vetëm pak kohë më pas (viti 1973), atij ia ndalua një vëllim poetik dhe akuzat që i bëheshin në një informacion dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së, ishin identike me ato që ai i kishte bërë Kadaresë, dy vjet më parë…?! Gjithsesi këto hipoteza mbeten për t’u provuar, dhe më mirë se vetë Polovina, (tepër aktiv në shtypin e shkruar), askush nuk mund të hedhë dritë mbi këtë letër?! Ashtu si dhe dokumentet e tjera të këtij libri, edhe ky publikohet i plotë.
KOMITETI QENDROR I PPSH Alf. Y
Sektori i përgjithshëm Nr. 15
K A R T E L E Data 3. 7. 1971
E regjistrimit dhe evidencave të letrave (Nr d. 7 )
Emri, atësia, mbiemri Ylli Polovina
Adresa Rruga Enver Hoxha Nr. 18 Berat Gjendja në parti
Kujt i drejtohet Shokut Ramiz Alia Rrethi (Qyteti)
Çështja që parashtron: u lexua nga
Është i mendimit se romani i I. Kadaresë, “Kronikë në gur”, është vepër surrealiste dhe ngrihet tek tipikja por qëndron tek e rastësishmja e shëmtuara dhe propozon heqjen e tij nga qarkullimi.
Shoku Ramiz Alia porositi që letra të lexohet nga shoku Pirro e Ismail Hoxha për dijeni
Shoku Pirro Kondi
Sh. Ismail Ilo
U pa 25. 9. 1971
(Ilo) Ilo
Republika Popullore
e Shqipërisë
SHOKUT RAMIZ ALIA
Jam një mësues letërsie. Jam shumë i ri, 23 vjeç. Babai im është komunist i ‘43 dhe më ka mësuar të jem i ndershëm dhe i partishëm:
Lexova romanin e I. Kadaresë “Kronikë në gur”. Mendoj se kjo vepër s’është ngritur fare mbi tipiken, por mbi të rastësishmen e shëmtuar. Pra si vepër ajo s’i takon aspak realizmit socialist. Për më tepër ajo është vepër surrealiste.
Unë lexoj në tri gjuhë dhe surrealizmin, nëqoftëse se s’e njoh shumë mirë, e njoh mirë.
Duke qenë se në jetën time unë zgjodha detyrën që t’i rri pranë me çdo kusht Partisë sime, sepse nuk kam asgjë më të shtrenjtë se ky popull, kjo Parti dhe te ata 28 mijë dëshmorë që dhanë jetën për luftën, lirinë time e të shokëve të mi, i prekur thellë dhe i tronditur prej kësaj vepre që s’është aspak e zorëshme për I. Kadarenë, tek i cili kemi drejtuar sytë tanë, si qytetar dhe si një komunist i ardhshëm, mendoj që ai roman të hoiqet nga qarkullimi.
Unë kam përgatitur një artikull jo me qëllim botimi (tani për tani sulmi në shtyp kundër Kadaresë, mund të mos provokohet, por gjithçka të lihet pa rënë në sy, se na intereson të mos njolloset si personalitet) dhe do t’ua sjell menjeherë nëqoftë se Partia e merr të drejtë mëndimin tim.
Gjithashtu unë jam një letrar i ri. Tani del në qarkullim vëllimi im në poezi, për botim, është i dyti, dhe dy drama. Pra unë jam në hapat e mia të para. Ky artikull po të çohej në ndonjë institucion, do të më skushtonte shtrenjtë, sepse kundër meje mund të hakmerreshin.
(Mos më merrni aspak ju lutem, për sentimental, por një ose dy mikroborgjezë do të gjendeshin) prandaj na falni që jun heq këtë pjesë të kohës aq të shtrenjtë për një udhëheqës.
Përshëndetje revolucionare
I Juaji
Ylli Polovina
Berat, 28. 6. ‘71
Arkivi Qëndror i Shtetit, Fondi 14. Ap. Komitetit Qëndror të PPSH-së (Struktura), Dosja 7. Viti 1971. Fl. 1-5