LETRA/ Ilir Meta, mesazh familjes: Borxhi që i kemi Andrea Stefanit

6 Dhjetor 2016, 09:49Blog TEMA

Kyeparlamentari Ilir Meta i është drejtuar familjes së analistit dhe gazetarit Andrea Stefani, me një letër.

Meta i shkruan bashkëshortes Enkelejda dhe dy fëmijët Daniel e Stefani, ku bashkë me ngushëllimet e thella, ndan vlerësimet e tij për personalitetin e Andreas dhe cfare përfaqëson ai për median dhe shoqërinë.

Letra e Metës për familjen Stefani :

E dashur Enkelejda,

Të dashur Daniel e Stefani,

Kam provuar trishtim, dëshpërim dhe një dhembje të pafund kur mësova lajmin e hidhur e të pabesueshëm për Andrean.

E dija që kishte muaj që kishte nisur një betejë të fortë, të madhe, të rëndësishme, por isha i bindur se ajo nuk do të ishte beteja e fundit e këtij luftëtari të paepur.

Isha i bindur se Andrea do të triumfonte në këtë betejë vetjake që nuk e bënte thjesht dhe vetëm për veten e tij, por e bënte edhe për Ju, familjarë e të afërm të tij, e bënte edhe për ne, të njohurit e tij të shumtë, edhe për gjithë atë armatë të madhe lexuesish dhe shikuesish shqiptarë, të cilët e lexonin dhe e shikonin botën tonë të vogël, edhe nëpërmjet fjalës së tij të lirë.

Isha i bindur sepse Andrea, për aq sa e kam njohur, në të gjitha betejat publike me fjalë që ai kishte hyrë dhe i kishte luftuar, asnjëherë nuk nisej nga interesi i tij vetjak, por vinte përpara një interes shumë më të madh të të gjithë shoqërisë. Ashtu siç e shihte ai vetë. Ashtu siç besonte ai vetë, si një shpirt i shqetësuar për lirinë dhe që kurrë nuk bëri kompromis për të vërtetat e tij.

Andrea është nga ata njerëz të rrallë për të cilët nuk pritet asnjëherë ikja për të kuptuar sesa e rëndësishme ka qenë prania e tyre.

Andrea ishte i pazëvendësueshëm si mik dhe i respektueshëm si kundërshtar. Kush e ka njohur në këto dy anë të shfaqjes së tij publike, ndoshta ka pasur fatin të njohë edhe lirinë e tij që ai e vuri pa hezitim në shërbim të publikut.

Pjesë e një grupi të vogël gazetarësh të fillimviteve 90-të, në kohën kur Shqipëria po ndryshonte me shpejtësi, Andrea është githashtu pjesë e portretit të shqetësuar e të gjithë shoqërisë shqiptare. Me shumë dilema, me shumë vështirësi, më rrëzime dhe ngritje, por dhe me besimin e pandryshueshëm se vetëm liria dhe ndeshja për lirinë, do të sillte të nesërmen më të mirë për të gjithë shoqërinë.

Dhe Andrea ka qenë luftëtar i lirisë dhe lirisë së fjalës që e kultivoi si pakkush. Secili nga ne i ka një borxh mirënjohjeje Andrea Stefanit!

Ikja e tij ka lënë një dhembje të madhe për familjarët e tij, për bashkëshorten Enkelejda dhe dy fëmijët Daniel dhe Stefani dhe një boshllëk të madh për gjithë shqiptarët, të cilët nuk qenë kurrë indiferentë ndaj fjalës së tij, pavarësisht se e donin apo e kundërshtonin atë.

Unë bashkoj sot me të gjithë Ju, dhembjen time dhe ju shpreh gjithë trishtimin tim për humbjen e këtij njeriu të veçantë, kalorës fisnik dhe luftëtar të madh të fjalës.

Sinqerisht, Ilir META

4 komente në “LETRA/ Ilir Meta, mesazh familjes: Borxhi që i kemi Andrea Stefanit”

  1. dje dhe sot ne shqiperi ka qene nje parrulle kur vdes nje personazh, shteti shqiptar i mashtronte me nje dekorate mbas vdekjes dhe sot ndiqet e njejta parrulle SA TURP!!!

  2. Shqiponja says:

    Nje fjalim brilant ashtu sic ishte Andrea. Ngushellime familjes per humbjen e njeriut te tyre te shtrenjte.

  3. Dibrani-UK says:

    NGUSHLLIME FAMILJES SE ANDREAS.
    Ilir kryemadhi kollovari duhet te hesht se eshte nje flliqesire dhe tradhetar qe bje ndesh me vepren e te ndjerit dhe aspiratave te popullit shqiptar

  4. Me Bllok ne dore says:

    Shko more hajdut ordiner se ti ben pis te mbash fjalim edhe per vdekjen e Lul Berishes qe nxorret sot nga burgu. Andera luftoi per nje Shqiperi pa njerez si ti ne krye te vendit prandaj ti e ben pis sot duke u hequr sikur je shok i tij ne llogore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje