Hapja dosjeve të Sigurimit, takime në SHISH, Ministrinë e Brendshme dhe të Mbrojtjes, gati plani për transportin e dokumenteve

8 Dhjetor 2016, 13:52Politika TEMA

I konstituuar pak ditë më parë, Autoriteti për Hapjen e Dosjeve nuk ka humbur kohë dhe ka filluar menjëherë nga puna. Pesë anëtarët e Autoritetit, të cilët u votuan në Parlament, ditët e fundit kanë zhvilluar takime me drejtuesit e institucioneve që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me dosjet e Sigurimit të Shtetit. Pasi kanë zhvilluar fillimisht një takim me njëri-tjetrin për t’u njohur, pesë anëtarët e Autoritetit të Hapjes së Dosjeve kanë zhvilluar takime me ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, me drejtues të Shërbimit Informativ Shtetëror, (SHISH) si edhe me përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Anëtari i Autoritetit për Hapjen e Dosjeve, Simon Miraka, i zgjedhur si përfaqësues i shoqërisë civile, ka konfirmuar se takimet e para kanë qenë frytdhënëse dhe se Autoriteti ka marrë mbështetjen e institucioneve që lidhen drejtpërdrejt me procesin e hapjes së dosjeve. Miraka thotë se ka pasur një bashkëpunim të mirë, por pranon se procesi nuk do të jetë aspak i lehtë.

“Hapi i parë ka qenë zhvillimi i një takimi mes 5 anëtarëve të Autoritetit në mënyrë që të njiheshim me njëri-tjetrin. Më pas kemi zhvilluar takime me Ministren e Mbrojtjes, Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave. Në këto takime kemi marrë mbështetje të plotë institucionale, ç’ka është për t’u vlerësuar. Praktikisht është gjithçka gati për të filluar procesi i hapjes së dosjeve. E dimë që nuk do të jetë një punë e lehtë, por fillimi i mirë është një tregues pozitiv”, ka deklaruar Simon Miraka.

Këto janë vetëm takimet para që ka zhvilluar autoritetit, teksa në ditët në vijim pritet që të zhvillohen takime respektive me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri shkruan Sot. Dihet tashmë që kjo ministri administron një pjesë të mirë të dosjeve të ish-Sigurimit dhe pikërisht në këtë takim do të diskutohet me vënien në dispozicion të të gjitha dosjeve Autoritetit, zhvendosjen dhe administrimin e tyre.

Po ashtu pritet edhe zhvillimi i një takimi të posaçëm me drejtues të Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) për vetë rolin specifik që ka pasur ky institucion dhe që ka aktualisht. SHISH zotëron një pjesë të mirë të dosjeve dhe sipas ligjit të gjitha këto duhet t’i vihen në dispozicion Autoritetit të Hapjes së Dosjeve, i cili më pas do të bëjë transparencën dhe publikimin e tyre.

Grumbullimi i dokumenteve

Faza e dytë e punës së Autoritetit të Hapjes së Dosjeve ka të bëjë me grumbullimin e të gjitha dosjeve në mënyrë, që më pas të bëhet edhe transparenca e tyre. Dihet dosjet janë të shpërndara në institucione të ndryshme si Ministria e Mbrojtjes, ajo e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave si edhe Shërbimi Informativ Shtetëror. Në bashkëpunim mes Autoritetit dhe këtyre institucioneve do të koordinohet puna për depozitimin e dosjeve në mënyrë që më pas të fillojë hapja e tyre dhe për të dalë një herë e mirë në dritë e shkuara e sistemit komunist në vend.

Tashmë kanë kaluar më tepër se 25 vite nga shembja e diktaturës dhe një shqetësim që vazhdimisht është ngritur publikisht ka të bëjë me zhdukjen e një pjese të mirë të dosjeve. 25 vite kanë qenë një periudhë kohore më se e mjaftueshme për të bërë të mundur asgjësimin e dosjeve nga persona me peshë si në opinionin publik, administratë apo në nivele të larta politike. Gjithsesi, edhe pse vonë, tashmë hapi i parë është hedhur me konstituimin e Autoritetit që do të administrojë të gjithë këtë proces delikat, edhe pse tashmë interesi në lidhje me hapjen e dosjeve dita ditës është zbehur.

1 komente në “Hapja dosjeve të Sigurimit, takime në SHISH, Ministrinë e Brendshme dhe të Mbrojtjes, gati plani për transportin e dokumenteve”

  1. aburrahman alelhassan musliman shaban ossman says:

    pse,a besoni ju qe shqiptaret,ky komb talent gjenial I fallsifikimit mashtrimit shkerdhatnimit,do zbulojn dosjet vertet?
    ato jan katandis si shelegu nji pul.
    edhe asaj pule I kan njel vec kockat.
    a haen ato?
    vec qent I han.
    edhe dosjet qe do happen,jan ushqim per qent.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje