Veteranët e festave

8 Dhjetor 2016, 13:38Blog TEMA

Nga Enkel Demi

Në Shqipëri gjen disa soje veteranësh. Kemi veteranët e Luftës së Dytë, të cilët të linin takim tek lapidari në 5 maj, veteranët e Punës Socialiste, më pas u bënë veteranët e 2 korrikut, dhjetorit, veteranët e grevës së Valiasit, veteranët e sindikatave, veteranët e shkurtit, veteranët e anijeve në mars, veteranët e kaosit të 1997, veteranët e UÇK-së së Kosovës, veteranët e FARK-ut, veteranët e UÇK-së së Maqedonisë e mund ta endim këtë listë akoma dhe më mirë.

Gjithsesi, të gjithë veteranët duhen respektuar. Padyshim sakrifica e tyre kombëtare ka ndikuar në jetët tona dhe të brezave që vijnë, por në përgjithësi çështjet e tyre janë lënë në mesrrugë. Jemi në 8 dhjetor dhe dikush nga qeveria e mëparshme e shpalli festë kombëtare të rinisë me të njëjtën lehtësi si u shpall Festa e Verës për gjithë atdheun. Shpallja e festave (sa më shumë syresh), zbukurimet, aktivitetet masive, ku qendra e qytetit kthehet në një panair për të zbavitur skamnorët, është një metodologji që vjen nga pushtetet e lavdishme.

Kur vendin e mbërthen varfëria, autoritetet kapen pas festave që t’i mbushin mendjen barkthatit që është i lumtur. Këtë vit u nxitua më shumë se kurrë që zbukurohej Tirana, madje lamë pas Tel Avivin. Duhet festuar me çdo kusht, në çdo rast, sepse gazmendi që përhap autoriteti shtetëror nuk kushton, por në pikëpamjen e propagandës ndihmon shumë. Fjala vjen, ka një garë mes Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Brendshme për të qenë pararojë e festimeve. Qeveria tashmë i mban dyert hapur që njerëzia të hyjë në sallat e saj për të parë ekspozita apo çikërrima nga të fshehtat e asaj godine të rëndë. Rilindja Urbane është një festë më vete që shpërndahet si reze nëpër mëmëdhe.

Dhjetori është muaj i mirë për të festuar, sepse nis pikërisht me Festën e Rinisë e më tej vazhdon me festat e fundvitit. Atmosferë e gëzuar ka qenë edhe në kohët e kuqe festa e Vitit të Ri. Në kopësht, shkolla, ndërmarrje shpërndaheshin pako, të cilat kishin fiq të thatë, arra, ca ëmbëlsira që u kishte ngrirë sheqeri përsipër, ndonjë makinë lodër kineze, vinç e kështu me radhë.

Asnjëherë nuk kuptohet se si në një shtet ateist si ky i yni, Plaku i Vitit të Ri nga një çikë e bukur në moshën e pubertetit, brenda motit bëhej i moshuar me një mjekër të bardhë deri të barku. Brenda dymbëdhjetë muajve ndërronte gjini dhe gërmuqej, por merrej si postulat, si çdo gjë tjetër në atë botë, nuk diskutohej. Kishte një përkushtim, zell që të festohej me çdo kusht. I njëjti vullnet vihet re edhe këto kohë, madje i njëjti ngazëllim.

Ndoshta këtu në këtë forcë festimi, dritash, udhëheqësish, festivalesh, panairesh mund të kërkojmë dhe duhet të gjejmë burimin e gëzimit. Është një gëzim që i ngjitet njerëzisë sikur të jetë virus gripi. Besoj se ky është thelbi i suksesit të një qeverisje, t’i gëzojë shtetasit e vet.

 

Natyrisht, në këtë atmosferë të gëzueshme heroike edhe armiqtë e pushtetit ndalojnë. Pa dashur ata përfshihen në këtë lojë. Protesta e tyre bëhet më gazmore. Fjala vjen, Belind Këlliçi i të rinjve demokratë të fton në një tubim protestë-festë për të kujtuar studentët e dhjetorit, por edhe krijimin e Partisë Demokratike. Natyrisht, u duhen ca nga ata veteranët e e mësipërm. Do i gjejnë. Ata do ju tregojnë dhe studentët e sotëm të opozitës nën shembullin e veteranëve do premtojnë që do rrëzojnë pushtetin.

Pak ditë më vonë do të jetë Lulzim Basha që do të dëgjojë ca veteranë të tjerë se si u themelua partia, ku do të premtojë që në dritën e mësimeve të tyre do ta rrëzojë këtë pushtet të inkriminuar. Por, më parë do të jetë qeveria që do të mbledhë në një nga sallat e saj rininë e pushtetit, e cila do të dëgjojë disa veteranë të tjerë që do të dëshmojnë se kjo punë ka nisur në Akademinë e Arteve, ku profesor ka qenë kryeministri, prandaj aspiratat e revolucionit janë plotësuar.

Kështu do vazhdojmë ca ditë, më pas festat e fundvitit, pushim, pallë, drita, ndonjë krah gjeli, p’shesh, një gotë birrë dhe bëhemi gati për vitin e ardhshëm, të cilit gati në mënyrë mistike do i lutemi që të jetë më i mbarë. Për shumë vjet!/27.al

4 komente në “Veteranët e festave”

  1. dylaver sufllaqja says:

    he!
    pse tash po e kupton qe bota esht kucke me brek te fshehta ne gjysmerresir?

  2. Shoku i Devolliut says:

    Ke harruar veteranet çam or legen.

  3. Asnjeansi says:

    Me ke pelqyer gjithmone , se je djale i zgjuar , Enkel , por me ate “plakun e vitit te ri” , qe na u beka plak brenda vitit , nuk na the gje . Vetem ne Shqiperine ateiste , Babagjyshi i Krishtlindjeve , quhej “plaku i vitit te ri” , madje edhe pema e zbukuruar , edhe kjo e Krishtlindjeve , quhej “pema e Vitit te Ri” , madje-madje , akoma edhe sot , keto emertime vazhdojne te perdoren . Festes se Krishtlindjeve (natale) , qe eshte festa me e madhe dhe me e rendesishme per gjithe Boten kristiane , pra , per pjesen me te perparuar te njerezimit , ne Shqiperi , nuk i permendet kurre emri , por , duke futur edhe Vitin e Ri , shqiptaret i quajne “festat e fundvitit” (siç i quan edhe ti) . Keshtu , ne te gjithe Tiranen e zbukuruar per feste , me simbolet e Krishtlindjeve (babagjyshi dhe pema e zbukuruar , nuk gjen kurre nje urim “gezuar Krishtlindjet ! ” , por vetem , “gezuar Vitin e Ri” , ose “gezuar festat e fundvitit” . Perjashtim ben vetem Korça , qe , ne dhjetor zbukurohet me mire se kudo ne Shqiperi ; vetem ne Korçe , nuk gjen urim “gezuar festat e fundvitit” , por vetem Gezuar Krishtlindjet dhe vende -vende Gezuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri . Kujt ia vret syte , ne Tirane fjala Krishtlindje , qe nuk e gjen te shkruar askund !? GEZUAR KRISHTLINDJET ! , gjithe shqiptareve dhe , pasi te kaloje data 25 dhjetor , ju uroj Gezuar Vitin e RI ! Nuk kini pse ofendoheni , fundja-fundja , stergjysherit tuaj , para pushtimit obskurantist otoman , Krishtlindjet festonin . Po nuk me besuat mua , qe jam askushi , atehere , besoni korifeun e letrave shqipe , i cili , haptazi i ben thirrje shqiptareve “Konvertohuni masivisht ne fene e te pareve tuaj dhe vetem atehere , shqiptaret do te jene plotesisht evropiane” .

  4. Asnjeansi says:

    “Korifeu i letrave shqipe”- e kam fjalen per Ismail Kadarene .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje