Dhoma e gjumit, e përgjakur (mbi një krim në vitet ’70)

10 Dhjetor 2016, 14:46Politika TEMA

Dr. Adem Harxhi

Nxjerrë nga fletoret e viteve ’70 *

Ora dy e tridhjetë pas mesit të natës. Një ekip kirurgësh punonte në trupin e masakruar të një gruaje të re. Dymbëdhjetë plagët përshkruese në gjoksin dhe barkun e gruas, dukeshin si gojë të hapura që villnin pa pushim gjak dhe dhimbje. Duart dhe bluzat e mjekëve ishin mbuluar nga gjaku dhe ata ndjenin se shkelnin në gjak.  Gjaku që transfuzohej nëpër disa tuba, dilte në po atë sasi nga vrimat e hapura nëpër trup.  Çdo gjë ishte tmerruese.

E kishin sjellë në spital disa komshinj, që në atë orë të vonë ishin tmerruar nga lebetitjet e dy vajzave të saj. Askush nuk e dinte sekretin e këtij krimi. Burrin e ndaloi policia. Vajzat e terrorizuara nuk ishin në gjendje të flitnin. Komshinjtë flitnin plot respekt për çiftin. “Një familje për ta patur zili”, thoshin ata. Ai ekonomist në një ndërmarrje, ajo mësuese. Dy vajzat, ishin shembullore.

Në orën tetë në mëngjes, pas operacionit, pa ndjenja e çuan në dhomën e reanimacionit. Hetuesit që prisnin jashtë sallës, u larguan të dëshpëruar, sapo morën vesh se gruaja gjatë gjithë kohës ishte pa ndërgjegje.

Në orën dhjetë, gruaja e re vdiq.

Cila është e vërteta për këtë vrasje? Kishin kaluar disa muaj, kur neurologu i spitalit,  që ishte thirrur nga hetuesia si ekspert, më tregoi ç’kishte ndodhur atë natë.

Besniku ishte martuar para 12 vjetëve me Lilianën dhe i donte shumë gruan dhe dy vajzat e tij. Ditën e parë që e takova, ai më tha, se Liliana ishte për të personi më i rëndësishëm në botë. Ajo krijoi familjen, kujdesej për vajzat dhe mirëmbante shtëpinë. Me pak fjalë, sipas tij, ajo ishte perfekte në çdo gjë. Ai më tregoi për fëmininë e tij. Për babanë që i kishte vdekur në moshë shumë të re. Më foli për sukseset e tij në punën si ekonomist. Më foli për martesën e tij me Lilianën. Më tregoi se ishte i kënaqur dhe gëzonte martesën dhe dashurinë e dy vajzave. Kishte punë të mirë dhe rehati në shtëpi. Të gjithë flisnin mirë për ta.

Në takimin e dytë, ai pranoi vetëm dy gjëra të vogla, që qëndronin si re të errëta në qiellin e kaltërt të jetës së tij. Në vitet e para të shkollës, somnambulizmi, e kishte turbulluar fëmininë e tij. Me shumë ndrojtje ai më tregoi për diçka tjetër, për dëshirën e tepruar  për të masturbuar. “Masturbacioni ishte dashnorja ime e parë”, më tha ai “dhe mbeti e tillë gjatë gjithë jetës, edhe pasi u martova. Ishte njëri nga të paktat pasione të mia”

Sipas Besnikut, një ditë Liliana e “kapi” duke masturbuar në dhomën e gjumit. Tërbimi i saj nuk mund të përshkruhej. Njësoj, sikur ta kishte kapur në flagrancë me një grua tjetër. -“Nuk do të hysh më në dhomën time të gjumit”, i kishte bërtitur ajo. “Deri një natë më parë”, më tha ai, “ajo kishte qenë dhoma e jonë e gjumit.”

Pas disa ditësh kjo krizë fillestare u zbut, por Liliana, kurrë, nuk ia fali.  Ajo humbi çdo interes për seks me Besnikun.

Në një moment gjatë bisedës ai më tha se, Liliana merrej me të gjitha problemet financiare të familjes, me një kompetencë mahnitëse. Ajo i shpenzonte paratë në mënyrë të mençur dhe i shpenzonte të gjitha. Ai më tregoi se në punën e parave ata kishin bërë një ndarje model të punëve. Ai i fitonte, ajo i shpenzonte. Ai i jepte rogën komplet, ajo çdo mëngjes i jepte paret që i duheshin për një kafe. Kjo atij i dukej krejt në rregull, sepse “ajo dinte si t’i përdorte lekët”. Ai ishte i kënaqur që Liliana ishte një amvisë e mirë.

Kur unë e pyeta, se a ishte Liliana krenare për burrin ai, pas një heshtje disi të zgjatur më tha se, Liliana, kurrë, nuk ka qenë krenare për të. Ajo e konsideronte atë të padenjë për një grua të zgjuar, të bukur dhe nga një familje e ngritur, siç ishte ajo. Unë për të kam qenë një fshatar i pagdhendur. Ajo nuk ishte nga ato gra që japin buqeta, më tha ai. Liliana nuk ishte as nga ato që dinë të thonë faleminderit.

Gradualisht, ai u shtrua në bisedë dhe u hap më shumë. Më tha se, çdo gjë që ai bënte konsiderohej, gjithnjë, si një detyrim që ai kishte për familjen dhe nuk vlerësohej, ndërsa, çdo gabim dhe dështim i tij, kurrë, nuk kalonte pa u vënë re, e pa u kritikuar. Ajo nuk pyeste për opinionin dhe interesat e tij. Kurrë, nuk kërkohej mendimi i tij për problemet e familjes.  Kurrë, nuk e pyeti ajo nëse duhej diçka në familje. Ajo blinte çdo gjë që donte.  “Kjo, gjithmonë, ishte një blerje perfekte”, më tha ai.  Kjo nuk do të thotë se Liliana vepronte nxitueshëm pa u këshilluar.  Ajo konsultohej, thuaj çdo ditë, me nënën e saj. Çdo ditë dy orë i kalonte tek nëna. Ishte vajzë e devotshme që ndante çdo gjë me nënën, e cila ishte një grua, vërtet, shumë e fortë.

Kur e qarkulluan në një punë tjetër me pagë më të ulët, ato të dyja, nuk bënë asnjë ndryshim të shpenzimeve, që t’i përshtateshin gjendjes së re financiare. Liliana dhe nëna e saj, vazhdimisht, bënin presion që ai të sillte më shumë, ndërsa ato vazhdonin të shpenzonin po njësoj. Me qëllim që të përmirësonte konfliktin me Lilianën dhe për të treguar se fitonte diçka më shumë, u zhyt në borxhe.

“Në këtë situatë”, më tha ai, “çifti ‘perfekt’, vetëm, vazhdonte të grindej”. Liliana e vinte përpara me orë të tëra, deri sa i mërzitur, i dëshpëruar, i nevrikosur dilte nga dhoma ose nga shtëpia. Këto skena po përsëriteshin shpesh. Zëniet e tyre nuk rregullonin asgjë. “Në njërën nga këto zënka, një telefonatë e vjehrrës”, me tha ai, “e rëndoi edhe më shumë situatën.”

Liliana, që nga ajo ditë e mallkuar që e kapi duke masturbuar, ishte larguar nga jeta seksuale.  Këtë sjellje e përkrahte edhe nëna e saj. Shkonin të flinin, duke thënë vetëm “natën e mirë”.  Kjo përsëritej çdo natë. Ajo nuk thoshte asgjë dhe të dy i zinte gjumi. Ajo nuk kishte më interesa seksuale, që janë të zakonshme për një çift. Shumë rrallë ajo e lejonte, por zënkat për lekët i shuan, tërësisht, pasionet seksuale.

Në një takim tjetër, Besniku i kish thënë neurologut, se kërkesat e Lilianës lidhur me punën e tij u bënë torturuese. Çdo ditë përsëriteshin pyetjet: Ç’bëre për punë? Mamaja të tha që të mos e lesh pas dore këtë punë… A provove të takosh sekretarin? A bisedove me mikun e kushëririt,  siç të thashë të bëje?. Ç’bëre me atë që bisedove dje? Ti duhej t’i telefonoje atij përsëri!”

Prej kohësh, ai ndjente dhimbje të forta koke sa herë hynte në shtëpi. Por çdo ankesë e tij ishte drithë për mullirin torturues: “Ç’është kështu me ty?”. “Prapë ti i sëmurë?”. “Ku po shkon, unë dua të flas me ty?” “Pse shkon në nevojtore?” “Ç’janë këto barna?”. “Pse të dhëmb koka vazhdimisht?”

Martesa e tyre ishte në vështirësi serioze. Marrëdhëniet e tyre ishin të këqija dhe çdo ditë bëheshin edhe më të këqija, por ai nuk e kuptonte këtë, sepse ato ndryshuan shumë gradualisht. Tani, ai e kishte kuptuar që gruaja ishte shumë e ndjeshme dhe mërzitej shpejt, kur gjërat nuk shkonin mirë. Por atij i duhej pak pushim, që të largohej nga dhimbja e vazhdueshme e këtyre marrëdhënieve. Gjatë vitit të fundit, në marrëdhëniet e tyre kishte patur periudha që ai i quante kohë të mira. Dilnin, ndonjëherë, për t’u darkuar në restorant, prisnim miq në shtëpi. Liliana organizonte pritje shumë të hijshme.

Kur unë e pyeta, rrëfen neurologu, “Siç duket, disa momente i kalonit me njerëzit që i donit?. Ai u përgjigj: “Jo. Liliana nuk çante kokën për miqtë e mi. Ajo kënaqej me njerëzit që ajo donte. Paragjykimet e saj sociale, e kishin mërzitur familjen time, të cilët i priste gjithmonë me vetulla të ngrysura. Ata i ftonte vetëm për raste që ishte e detyruar. Unë isha i izoluar dhe gjithnjë e më shumë u tërhoqa në marrëdhëniet e mia vetëm me gruan.”

Kur neurologu e pyeti, si ndjehesh? A je i depresuar? A ke dashur ndonjëherë ta godasësh Lilianën? Ai u përgjigj: “Jo, kurrë, nuk e godita. Por, ka patur shumë momente që nuk prisja dot sa të dilja nga dhoma. Vetëm desha të largohesha. Më dukej sikur i gjithë trupi do të shpërthente. Por nuk isha i zoti të bëja asgjë. Mundet që përplasja derën. Njëherë godita murin. Kjo ishte gjithçka që bëja. Ndjeja se e kisha dashur dhe vazhdoja ta doja. Çuditërisht, gjatë kësaj periudhe nuk kisha pagjumësi, ose mungesë oreksi, nuk u dhashë pas alkoolit. Jeta ime ishte e qetë, me sipërfaqe të shkëlqyer.”

-“Në gjithë këto vite, nuk mendove asnjëherë për divorc?”, e pyeti neurologu.

“Absolutisht, jo. Kurrë nuk e pata këtë ide.! Kjo do të thoshte të humbisja çdo gjë që kisha, familjen, shtëpinë, shoqërinë, punën. Për Lilianën, gjithmonë, kam ndjerë dashuri. Sinqerisht, nuk mbaj mend të kem ndjerë urrejtje, nuk mbaj mend të jem zemëruar për kohë të gjatë.”, u përgjigj ai.

Pas mesnatës, një natë përpara 12- vjetorit të martesës, Liliana ishte goditur për vdekje në krevatin e saj. Ja çfarë tha ai lidhur me këtë.

“Atë mbrëmje, unë erdha në shtëpi si zakonisht. Ajo, unë dhe dy vajzat hëngrëm darkën. Në orën nëntë e gjysmë, telefonoi vëllai im dhe më kërkoi lekët që më kishte dhënë borxh. Kjo bëri që gruaja të mos linte gjë pa thënë për vëllain dhe gjithë familjen time, veçanërisht, lidhur me paratë. Nga ora dhjetë e gjysmë deri në njëmbëdhjetë gruaja foli në telefon me nënën e saj, duke përsëritur sharjet për familjen time. Pas kësaj ajo u shtri në krevat në krahun tim dhe më kujtoi për të dhjetën herë, se nesër ditën e përvjetorit të martesës, duhet të sjell në shtëpi frigoriferin. Ajo fiku dritën, ndërsa, unë, si zakonisht, i thashë natën e mirë. Ajo u përgjigj në të njëjtën mënyrë.”

Ai besoi se fjeti. Por jo. Ai u ngrit nga shtrati, shkoi në kuzhinë dhe mori thikën.

“E gjitha që mbaj mend” tha ai “ishte që po ecja dhe shikoja ata të dy në dhomë. Ishte si një ëndërr. Ai ishte me mjekër. Në dhomë kishte rrëmujë të madhe. Shikoja një të huaj në krah të gruas, që i nguli asaj thikën që mbante në dorë. Pashë në tmerr dhe frikë se si thika u ngul dymbëdhjetë herë në gjoksin dhe barkun e gruas, një goditje për çdo vit martese Pastaj burri iku. Ai e la dhomën e gjumit në çrregullim. Sirtarë të thyera dhe plaçka të përhapura nëpër dhomë. Pikturat të thyera dhe teshat të hequra nga varëset.”

Vetëm pas tre ditësh, i shtrirë në një qeli burgu, ai kuptoi se nuk kishte keqbërës në shtëpi. Dora që mbante thikën dhe e ngulte atë në trupin e Lilianes, ishte dora e tij.

“Më vonë, janë bërë shumë ekspertiza mjeko-ligjore për këtë rast,” , më tha neurologu, “por akoma nuk është vendosur nëse Besniku është i papërgjegjshëm për krimin.  Pafajësia për një krim kaq të rëndë, nuk do të pritej mirë nga opinioni”.

-Për historinë e tij, Besniku, foli vetë. Unë vetëm përsërita fjalët e tij, tha doktori.  Mundet, që ato nuk janë e vërteta, por ato janë aq afër saj, sa nuk mund të gjejmë një të vërtetë tjetër më të besueshme për këtë vrasje.  Me gojën e tij, ai tregoi një nga arsyet pse njerëzit vrasin.”

Është e frikshme mendova, që shumë njerëz vriten për arsye të “parëndësishme”. Si mund ta vrasësh atë që ka patur vend të rëndësishëm në jetën tënde emocionale? Si mundet që një nënë të vrasë fëmijën e saj?.  Si mundet që një burrë të vrasë një grua qe e ka dashuruar thellësisht? Por, e vërteta është se, shumica e vrasësve dhe viktimat e tyre, gjithnjë, kanë patur më parë një lloj lidhje, ose marrëdhënie. Diku kisha lexuar se në vendet e përparuara, dhoma e gjumit zë vendin e dytë, menjëherë, pas autostradave, si skenë e përgjakur. Me sa duket, është paaftësia  e të dyve për të vazhduar të jetojnë bashkë, që i shtyn të kryejnë  ketë akt të tmerrshëm. (DITA)

*Nga libri me ese i Dr.Harxhit: TIM BIRI

15 komente në “Dhoma e gjumit, e përgjakur (mbi një krim në vitet ’70)”

  1. Albani says:

    Ka rruge te tjera dhe nuk eshte thika dhe litari zgjidhja.
    Perse te mos e ndante?,Kur kishte frike ta ndante si e gjeti guximin ta vriste?
    Justifikime.

  2. Lirka says:

    Tregim i perkryer
    Flm doktor

  3. Wendy B says:

    Njerezit posesive ngaterrojne ndjenjen me fiksimin. Partnerin\en e konsiderojne prone te tyren. Vetem vdekja i ndan nga “prona”

  4. vaso says:

    Urrejme me shume, aty ku besojme me shume.Sepse dhe zhgenjimi eshte i madh.

    1. Wendy B says:

      Zgenjimi nuk duhet te arrije deri ne ekstrem. Duhet te pranojme idene qe njerezit ndryshojne , po ashtu dhe ndjenjat. Krime pasioni ndodhin kudo , po nje vend aq i vogel te kete aq shume probleme eshte e tmerrshme. Dhune , mjerim, krime here te imagjinueshme here te paimagjinueshme, femije qe shohin nenat te dhunohen apo vriten ne sy te tyre, nje vend ku e ardhmja duket shume e zymte.

  5. Edukata says:

    Një vrasës që flet kaq hapur, kaq rrjedhshëm, dhe si të ishte jashtë ngjarjes, pa asnjë ndjenjë pendimi apo miratimi të veprimit kriminal…, pra gjithçka mu sikur ta dinte se duhej për një esse si kjo (!!!)

  6. kozmo says:

    Pjese nga romani ,DY GJARPER NE NJE KREVAT !!!!

  7. Alban Dardani says:

    … Mendoj se Tema ben mire qe boton dhe shkrime e tregime te tilla. Me Keto lloje tregimesh mund te realizohen mjaft filma dekomentar dhe artistik. Ka kohe qe eshte hequr dore. Emisjonet mbushenme dhunen, pornon,jeten bosh, kotsine te pa vleren.
    …Dikur , para viteve 90. Drejtusit e te gjitha niveleve u kerkonin vartesve qe ne punen me njerzit te futeshin ne boten e brendeshme , ne hallet , ne problemet dhe shqetsimet e tyre.
    Botimi ketyre librave ne. ate kohe ishte nje apel per drejtursit dhe shoqerine e asaj kohe. Te cilet me apo pa deshire ishin te detyrusr te punonin,app jepnin llogari per nje vrasje e vetvrasje qe ndodhte jo vetem ne pune por edhe ne familje, kafene app ne rruge
    .. Sot eshte hequr dore . madje as te afertit nuk dine. Apo nuk duan te punojne per zgjidhjen. e nje halli app shqetsimi. Ndersa organet kopetente te thone drejtoju gjyqit apo bej kallzim penal, ose eshte ceshtje personale e private etjer etjet. Keshtu i lihet rruge vetgjyqsis dhe krimit qe ne moshen feminore
    … Nje pune te madhe benin edhe mesuesit e ppa zevendrsueshem te asaj kohe. Ata , deri nga mesi viteve 80 ishin prinderit e dyte te nxenesve. Sot ks shumr hallka qe jo vetem nuk funksionojne por i shtyjne njerzigme dashje ne rrugen e shtrember
    N5

  8. d says:

    O Wendy behet fjale per vitet 70…..

  9. Zigur Qarri says:

    Ai i jepte rogën komplet, ajo çdo mëngjes i jepte paret që i duheshin për një kafe. Kjo atij i dukej krejt në rregull, sepse “ajo dinte si t’i përdorte lekët”. Ajo nuk pyeste për opinionin dhe interesat e tij. Kurrë, nuk kërkohej mendimi i tij për problemet e familjes. Kurrë, nuk e pyeti ajo nëse duhej diçka në familje. Ajo blinte çdo gjë që donte. “Kjo, gjithmonë, ishte një blerje perfekte”, më tha ai. Ajo konsultohej, thuaj çdo ditë, me nënën e saj. Çdo ditë dy orë i kalonte tek nëna.
    Kur e qarkulluan në një punë tjetër me pagë më të ulët, ato të dyja, nuk bënë asnjë ndryshim të shpenzimeve, që t’i përshtateshin gjendjes së re financiare. Liliana dhe nëna e saj, vazhdimisht, bënin presion që ai të sillte më shumë, ndërsa ato vazhdonin të shpenzonin po njësoj. Me qëllim që të përmirësonte konfliktin me Lilianën dhe për të treguar se fitonte diçka më shumë, u zhyt në borxhe.
    “Në këtë situatë”, më tha ai, “çifti ‘perfekt’, vetëm, vazhdonte të grindej”. Liliana e vinte përpara me orë të tëra, deri sa i mërzitur, i dëshpëruar, i nevrikosur dilte nga dhoma ose nga shtëpia. Këto skena po përsëriteshin shpesh. Zëniet e tyre nuk rregullonin asgjë. “Në njërën nga këto zënka, një telefonatë e vjehrrës”, me tha ai, “e rëndoi edhe më shumë situatën.”

    Mosrrespektimi reciprok,nderhyrja ne problemet e Familjes tende nga nje i trete,problemet ekonomike,shperdorimi i besimit,
    jetesa mbi mundesite me borxhe…pak a shume si problemet qe kan shume familje sot.Prandaj duhen disa rregulla ne Familje
    qe te jene te pacenueshme,ndryshe do anoje kandari vetem nga nje ane.
    Pak a shume,si”Metamorfoza” e Franc Kafkes,interesi ne mes.

  10. Bekim says:

    Bekim
    Kjo histori me duket se eshte e vertete. Vajza qe u be nuse e vrasesit,ka qene e bija e nje profesori ne fakultetin ekonomik te Universitetin Shteteror te Tiranes.Profesori ka qene jo vetem nje profesor i shkelqyer,por edhe nje burre i mrekullueshem,ashtu si e gjithe familja e tij.Une e kam patur profesor ne vitet 1965-1969,gjithmone nese kjo ngjarje ka lidhje me te bijen e profesirit tim.
    Shkaqet e vrasjes nuk i di,por te gjithe ne qe ishim studente te atij profesiri u merzitem shume.
    Problemet ,qe i shoqi i cili e vrau, jane vertete rrenqethese,por kurresesi shkak per nje krim te tilke,aq me tepet,me aq sa di une,ai ishte njeri me kulture dhe ish pedagog i nuses se tij Pra me kulturen qe ai kish,duhej te zgjidhte divorcin e jo vrasjen. Nuk ka cift pa probleme,por zgjidhja behet ose me pajtim e durim,ose,ose me divorc,por kurresesi me vrasje. Nese kjo histori qe ka shkruar doktori i nderuar lidhet ne ate qe shkrova me lart,e falenderoj se e ka trajtuar me shume njerzillek,por edhe ne qe e dinim kete histori ne hollesi,ne ne fund e mesuam,jo per kuriozitet,as per te justifikuar aktin kriminal te vrasjes
    por per te nxjerre mesime qe akte te tilla te mos perseriteshin ne te arthmen nga askerkush,e jo me nga nje intelektual.

  11. I Zoti ne shtepi të huaj says:

    Ne vitet 70 Tirana ka qene kush ka qene, per ate qe e di. Dhe nuk behej fjale “pronash”.

  12. LORA says:

    Fryma posesive ne nje cift,sidomos ne familje,,nga cilado pale,i humbet kuptimin e vertete lidhjes dhe krijon shtratin e krimit ,,,,sikunder ne kete histori rrenqethese.
    Vtem partneriteti dhe respekti reciprok eshte kusht I nevojshem dhe mjaftueshem I nje lidhje te shendoshe dhe jetegjate.

  13. seriozi says:

    Nje ngjarje , ose tregim qe shpreh me realitet apsolut marredheniet ne mes nje qifti . [ jo perhere] Grate zakonisht kur kuptojne epersine e tyre ndaj burrave , ose kur injoranca e mendjes se tyre i ben te ndjehen superiore ndaj tij rezultate te tilla si tregimi i siperm nuk vonojne te vijne . Thuhet se njeriu kontrollon ndjenjat dhe veprimet e tij . Kur nje burre i poshteruar , i fyer , i lene mbas dore ne aspektin seksual nga gruaja e tij , i izoluar me menyrat qe grate dine , nga njerezit e tij , [ qe gjithmone jane me te keqinjte ] atehere ky burre do te vije momenti qe llogjika e tij do te pesoje [qark te shkurter , djegie ] dhe nje qenjie e tille njerezore , do te shnderrohet ne kafshen me te eger me pasoja tragjike per cdo familje

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje