Rudy Giuliani tërhiqet nga gara për sekretar Shteti

10 Dhjetor 2016, 10:32Bota TEMA

Ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Rudy Giuliani nuk do të jetë më mes pesë-gjashtë emrave që po përmenden si kandidatët për postin e Sekretarit të Shtetit, në administratën e Presidentit Donald Trump.

“Rudy Giuliani është një amerikan jashtëzakonisht i talentuar dhe patriotik”, thuhej në një deklaratë nga presidenti i zgjedhur, Donald Trump. “Ai është dhe mbetet një nga miqtë e mi të ngushtë personalë dhe do të kërkoj vazhdimisht mendim prej tij si dhe shoh një vend të rëndësishëm për të në administratë në të ardhmen”.

Giuliani, i cili e ka mbështetur shumë gjatë fushatës zgjedhore, ishte i preferuari i shumë grupeve militante trampiste në SHBA. Ata preferonin më mirë atë sesa emra të tillë si Mitt Romney të cilin e shohin si dikush që e dredh qendrimin sipas situatës.

Mirëpo, shumë vëzhgues kishin nënvizuar se Giuliani ndonëse besnik gjatë këtij viti me presidentin e zgjedhur, nuk ka përvojë të mjaftueshme ndërkombëtare për të justifikuar emërimin në këtë post.

Giuliani është akuzuar nga Demokratët për lidhje biznesi me Rusinë e Putinit dhe me organizata serbe në Beograd, por ai ka nënvizuar se nuk ka asnjë lidhje të jashtme që do ta kompromentonte në krye të Departamentit të Shtetit.

Ky vendim që do të jetë më i rëndësishmi për kabinetin e tij, pritet të vijë shumë shpejt nga Donald Trump. (r.a.)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje