Misioni EURALIUS në Tiranë përgënjeshtron Partinë Demokratike dhe mediat pranë saj, duke hedhur poshtë të gjitha pretendimet për ndërprerjen në mes të shefit të misionit Rainer Deville dhe komandimin e austriakes, Agnez Gergard, në vend të tij.
Rainer Deville, jo vetëm që do të qëndrojë në Shqipëri deri në fund të mandatit, pra deri në dhjetor të vitit 2017, por ditët e fundit ka intensifikuar takimet dhe konsultat në kuadër të asistencës teknike për hartimin e paketës së plotë të ligjeve, për zbatimin e reformës në drejtësi.
Burime zyrtare nga misioni i EURALIUS thanë për Shqiptarja.com se, Rainer Deville vijon punën në përmbushje të misionit dhe në zbatim të projektit “EURALIUS IV”, duke i konsideruar sajime të gjithë lajmet e prodhuara nga linja anti-Veting për largimin e tij.
Madje, burimet zyrtare shtuan se, shefi i misioni EURALIUS, Rainer Deville, do të largohet nga Shqipëria vetëm gjatë Krishtlindjeve, për t’u kthyer sërish në Tiranë, kohë e cila do të përkojë me shqyrtimin dhe miratimin e rreth 40 projektligjeve nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve ose komisioni për reformën në drejtësi.
Gjatë ditëve të fundit, misioni EURALIUS, përpos asistencës në hartimin e projektligjeve të parashikuara në strategjinë për reformën në sistemin e drejtësisë, ka organizuar një sërë seminaresh dhe trajnimesh për forcimin e kapaciteteve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri, ku prokurorë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe prokurori të tjera janë trajnuar dhe njohur me praktikën e BE në hetimin dhe ndjekjen penale të veprave të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ky është përgënjeshtrimi i katërt për Partinë Demokratike, e cila sulmoi shefin e misionit të EURALIUS, Rainer Deville, duke e akuzuar për përkthim të gabuar të ligjit të Vetingut, me qëllim për të ndikuar në opinionin e Komisionit të Venecias.
Por, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dënuan akuzat e opozitës shqiptare, duke i quajtur mashtrime të atyre që kanë frikë nga Reforma në Drejtësi.
Fillimisht ishte zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë, ajo e cila përgënjeshtroi pretendimet e Partisë Demokratike për Vetingun, ndërsa shtoi se edhe pretendimet se, drejtuesi i ekipit EURALIUS IV është larguar nga posti i tij, janë krejtësisht të pasakta.
Më pas erdhi një reagim i fortë nga zëdhënësja për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë e BE-së dhe për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatave të Zgjerimit, Maja Kocijançiç. “BE dënon përhapjen publike të akuzave të rreme që pretendonin se EURALIUS dhe Delegacioni i BE-së janë përfshirë në gabime që supozohen të qëllimshme në përkthimin anglisht të legjislacionit shqiptar”, tha ajo. Një reagim edhe më pezmatuese erdhi nga ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili tha se PD po e vonon Vetingut nga frika e Reformës në Drejtësi.
Ndërprerja në mes e mandatit të shefit të misionit të EURALIUS, Rainer Deville, do të legjitimonte akuzat dhe pretendimet e Partisë Demokratike sa i takon rolit të tij në përkthimin gabim të ligjit të Vetingut, për të ndikuar në opinionin e Komisionit të Venecias. Po ashtu, largimi i tij i parakohshëm do të vinte në pikëpyetje edhe kontributin e EURALIUS për hartimin dhe miratimin e Reformës në Drejtësi. Ndaj, jo rastësisht, për herë të dytë, Partia Demokratike pretendon për një largim të mundshëm të Deville, duke e lidhur gjithnjë këtë lëvizje me pretendimet e saj.
Lajm i mire.
Majfja shqiptare eshte terbuar, se ju kane mbyllur te gjitha shtigjet.