Shqipëria politike në vështrim të paanshëm

29 Dhjetor 2016, 18:59Blog TEMA

Nga Arian Starova

Në këtë fund viti, kur dëshirat për të lexuar politikë zbehen natyrshëm, do të doja të ndaj me lexuesit e interesuar disa ide të cilat jo vetëm jam duke i menduar gjatë, por bindja për to më shtyn të shkoj edhe një hap më tej, t’i bëj publikë.

Viti që tashmë mund të themi se shkoi e mbërtheu politikën shqiptare te disa çështje që, ndonëse u bënë popullore si të tilla, në të vërtetë, pak njerëz e ndiqnin me saktësi rrjedhën e tyre. Të tilla ishin reforma në drejtësi, dekriminalizimi, hapja e bisedimeve zyrtarë me Bashkimin Europian, përhapja skandaloze e rritjes dhe e kultivimit të kanabisit, korrupsioni qeveritar. Përreth këtyre çështjeve politike vërtiteshin si tullumbace të brishta, nga njera anë, retorika plot siguri e shumicës qeverisëse deri në mospërfillje për opozitën politike dhe qytetarët e qeverisur dhe, nga ana tjetër, paaftësia dhe pavendosmëria të ambalazhuar bukur të opozitës për të gjetur rrugën e saj të shumëpritur nga qytetarët. Ato janë përplasur me aq forcë me njera tjetrën, në Kuvend, në media, në sheshe dhe asnjera nuk pëlcet!? Përse? Sepse të dyja palët e dinë mirë se nuk e kanë fare mendjen te ato që me shpërdorim i quajnë “halle të popullit”. Siç është dukur deri tani, palët janë marrë vesh të drejtojnë me radhë ….

Në 2013, të djathtës i përkiste të merrte një mandat të tretë, por e bëri politikën më një mënyrë të tillë që e baltosi mandatin e dytë duke hapur rrugën për të majtën … A ka ndonjë marrëveshje pas kësaj ideje që, në të vërtetë, nuk është vetëm e imja? Kështu duket, por e vërteta del hapur gjithnjë më vonë dhe sidomos në politikë.

Qytetarët shqiptarë kanë pritur të udhëhiqen nga politika, jo nga tullumbacet, dhe, për fat të keq, ata kuptojnë, disa turbullt dhe disa qartë, se kanë mbetur pa udhëheqje politike. Në këto rrethana, ka qenë e natyrëshme që të spikatë fort roli i faktorit ndërkombëtar, Sh.B.A. dhe BE përgjatë gjithë vitit 2016. Si për t’a theksuar këtë të vërtetë të paaftësisë politike të Shqipërisë, shumica qeverisëse e mbështeste qëndrimin e Sh.B.A. dhe B.E. deri në mohim të rolit të vet udhëheqës, kurse opozita e kundërshtonte deri në paarësyeshmëri të turpshme këtë qëndrim.

Fakti që, ndërkohë, Shqipëria ka ndryshuar dhe përparuar nuk ka të bëjë aq shumë as me vlerat e qeverisjes as me ato të kritikës opozitare. Historia mbarëbotërore ka treguar shumë qartë se vendet e ndryshëm, si rregull, gjithnjë përparojnë, porse udhëheqjet politike që kanë e shpejtojnë, ose e ngadalësojnë këtë përparim.

Kështu pra, ky fund viti u bëri dhuratë shqiptarëve nga politika vetëm dy tullumbace që të gjithë e dimë sesa të brishta janë, por për shqiptarët kjo është shumë shpirttherëse sepse, për ta, kjo do të thotë vazhdim i mungesës së shpresës, sepse, për ta, kjo do të thotë se cilado tullumbace të çahet, apo të mos çahet, ata mbeten njësoj.

Nga populli, vërejtjet, pakënaqësitë dhe kritikat për qeverisjen janë të pafund, por të tilla janë edhe për opozitën.
Gjithnjë më ka bërë të mendohem ashpërsia e dukëshme e konkurrencës politike ndërmjet të majtës dhe të djathtës në vendin tim. Dhe asnjëherë nuk e kam gjetur përgjigjen e saktë, atë që nuk duket në artikulimin mediatik të përditshëm. A thua vetëm Shqipëria ka pluralizëm politik dhe përvojë në demokraci, qoftë edhe e krahasuar me vendet përreth, për të mos shkuar më tej? A nuk paska gjëra të të tjera të përbashkëta për të cilat mund të bëhet politikë konsensuale përveç problemeve të N.A.T.O.-s dhe B.E.-së? A nuk janë të tilla punësimi, mirëqenia e njerëzve, përkujdesja për shtresat në nevojë, zhvillimi i një ekonomie pasurikrijuese, drejtësia, dënimi i krimeve të së kaluarës komuniste, rivlerësimi i historisë së Shqipërisë, përkujdesja për jetën shpirtërore të shqiptarëve, etj., etj.? Përse ka një debat aq të egër politik në Shqipëri, aq sa është vënë dukje edhe në raporte ndërkombëtarë për të? Natyrshëm, dikush duhet të mendojë se çdo debat politik i ashpër është patjetër pasqyrim i një kundërshtie të fortë të interesave ndërmjet shtresave dhe grupeve të interest të një popullsie. Sidoqoftë, Shqipëria nuk jep fakte për ndonjë përplasje popullore kaq të fortë dhe, kam rastin të them, se kjo është meritë e të gjithë shqiptarëve dhe një vlerë e madhe e tyre krahas asaj të bashkëjetesës fetare.

Prandaj, duhet pyetur prapë, nëse ky debat i ashpër politik shqiptar nuk pasqyron asgjë nga populli, çfarë pasqyron, atëherë?! Logjika e fakteve na detyron të kthehemi përsëri te loja e tullumbaceve e politikës shqiptare. Përplasjet bëhen thjesht për të fshehur marrëveshjet (prej popullit), ose mormarrëveshjet (me njeri tjetrin) për interesa të veçantë.

Loja politike me tullumbace kohët e fundit është duke u përpjekur të flakë tutje edhe arritjet e reformës në drejtësi. Madje, ia ka arritur të fusë gjerësisht pesimizëm edhe në popull duke krijuar idenë se prej reformës në drejtësi nuk do të dale asgjë. Arësyeja është e thjeshtë: për të ashtuquajturin “vetting” ka nevojë para së gjithave politika dhe nëse pengohet drejtësia, politikanët e korruptuar janë të shpëtuar prej “vettingut” politik. Ka qenë politika ajo që e ka korruptuar fillimisht edhe drejtësinë në Shqipëri.

Zgjedhjet parlamentare që po afrohen me shpejtësi nuk pranojnë më vonesa, as lojë me tullumbace, por kjo mvaret shumë edhe prej ndjeshmërisë politike të qytetarëve shqiptarë.

5 komente në “Shqipëria politike në vështrim të paanshëm”

  1. Clirim Rakaj says:

    Teper i sakte dhe i drejte….Njeri e politikan qe po te kishte lindur ne perendim do ishte ne majat e intiligjences europiane.
    Falenderim e Respekt per keto njerez qe cojne para ide e dashuri per atdhe ne kushte jo te favorshme.

  2. Delli USA says:

    Keta berishist,si ky Starova,i bjene fyellit te gjithe ne nje vrime,medemek klasa politike eshte e gjitha njesoj,dhe e gjitha kjo behet per te amnistuar nje kriminel si Sali Qeni.

  3. Ilo says:

    Nje qendrim vertete i paanshem e fisnik i nje qytetari dhe intelektuali!

  4. dalan says:

    Ky pisi kerkon te beje pis te tere dmth kerkon te fute ne nje plan kriminelin e vicidolit qe ka vrare me gjithe pjesen tjeter.
    Ky eshte mjaft i lexueshem se ku do te dale dhe na e ve veten mbi palet duke kritikuar dhe fajesuar majtas e djathtas.

  5. Ben Dibrani says:

    “… duhet te merrte nje mandat te trete”, i “madh” je, po me te gjitha ato skandale, vrasje e vjedhje te konsumuara ata nuk duhet te kishin marre asnje mandat, bile edhe te parin e moren me votat me te majta qe ka patur ndonje here e majta. Ilir Meta athere mbahej si ultra i majte, si “me i mire se fatosi”, i cili vertet ja dhuroi pushtetin ketij zuzari.
    “tullumbace te brishta” – ke quan keshtu Vettingun? hahaha, ajo reforme eshte themel i shtetit
    “klase politike” – ke quan Saliun, ai eshte bandit dhe PD nje bande, ata nuk jane klase politike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje