Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, ka analizuar fazën përgatitore që ekipi i tij po zhvillon në Antalya.
Në një prononcim për “Supersport”, tekniku kryeqytasve shprehet se skuadra po përgatitet maksimalisht, duke përmirsuar dhe problemet e dy fazave të para.
Gjithasthu, Starova thekson se është i kënaqur me atë që ekipi tij ka dhuruar deri më tani.
“Prej katër ditësh po vijojmë përgatitjet këtu në Antalia të Turqisë. Skuadra po merr ngarkesën e duhur në mënyrë që të përballojmë pozitivisht 2 fazat e ardhshme të kampionatit. Këtë periudhë po e shfrytëzojmë maksimalisht dhe po punojmë për të përmirësuar të metat që kemi shfaqur në gjysmën e parë të sezonit dhe lojtarët po i përgjigjen pozitivisht programit stërvitor , përjashtim bën vetëm Torassa i cili ende nuk është bashkuar me skuadrën. Jam mjaft i kënaqur nga ekipi për atë çka ka dhuruar deri tani. Besoj shumë te ky grup për vetë ambicjet që ka treguar në 2 fazat e para të kampionatit.”
Ndërsa sa i përket merkatos dimërore, Starova tha se po pret rikthimin e Mazrekajt dhe Sukajt dy lojtarë që do të jenë mjaft të rëndësishëm për skuadrën.
“Përsa i përket merkatos kemi afruar në skuadër sulmuesin Boniface. Gjithashtu presim të kemi sa më shpejt në shërbim të ekipit edhe Mazrekajn dhe Sukajn, dy lojtarë vlerat e të cilëve dihen dhe do ta përmirësojnë ndjeshëm kualitetin e skuadrës” përfundoi Starova.