Mijëra banorë të Njësisë Administrative Nr.7, që jetojnë në zonën e ish Fushës së Aviacionit, nuk do u duhet të ecin kilometra në këmbë për të arritur në qendër apo në zona të tjera të Tiranës. Bashkia e Tiranës ka mbajtur premtimin duke plotësuar një kërkesë të hershme të banorëve të zonës, duke vënë në funksion një linjë të posaçme autobusësh urbanë, e cila do të jetë zgjatim i linjës ekzistuese Materniteti i Ri-Qendër.
Itinerari i ri i linjës që kalon përmes Rrugës së Kavajës dhe “21 Dhjetorit” u inspektua nga kryebashkiaku Erion Veliaj,i cili vlerësoi se me shtimin e automjeteve dhe kontrollit të vazhdueshëm, transporti urban në Tiranë ofron shërbim më të mirë.
Veliaj tha se linja ekzistuese ka pësuar rritje në flotën e automjeteve, duke rritur frekuencën e mbërritjes në stacione. “Mbajmë një premtim që e kishim bërë për banorët e njësisë 2 dhe 7. Këtu jemi në fund të ish Fushës së Aviacionit, i cili mund të kishte që para rënies së komunizmit që s’kishte parë autobusë. Është risi, kemi sjellë një linjë të re, e cila nga 11 autobusë i ka çuar në 17 mjete, për t’u siguruar që nga periferia afër Depos së Ujit në zonën e “Mihal Gramenos” e Maternitetit të Ri, deri këtu në zonën e ish Fushës së Aviacionit, duke kaluar kryq e tërthor Tiranës, përmes “21 Dhjetorit” dhe Inxhinierisë së Ndërtimit, u shërbejnë mijëra banorëve vetëm me një biletë.
Më parë qytetarët duhet të ndërronin dy linja dhe paguanin dy bileta për të njëjtën distancë. Linja është e re dhe do të ketë një frekuencë çdo 10 minuta”, u shpreh kryebashkiaku, duke bërë të ditur se edhe këto automjete do të jenë të pajisura me sistemin GPS.
Linjat “Materniteti i Ri – Qendër – Ish Fusha e Aviacionit” dhe “Qendër – Mihal Grameno -Qendër” që është linjë ekzistente, në segmentin Materniteti i Ri – Qendër – Ish Fusha e Aviacionit merr zgjatim përtej qendrës, në drejtim të Rrugës së Kavajës dhe në zonën e ish Fushës së Aviacionit.