Sa e lehtë është që një grua të bëhet zëvendës president e një vendi në Europën lindore?
Me siguri, tepër e vështirë. Por, jo nëse është bashkëshortja e presidentit të Azerbaixhanit, Ilham Aliyev, i cili sapo ka zgjedhur gruan si zëvendëse të tij.
Por, si të mos mjaftonte kjo, bashkëshortja e Aliyev, Mehriban, do të jetë në fakt, zv.presidentja e parë e vendit, pasi një post i tillë nuk ekzistonte më parë në Azerbaixhan. Ai u krijua vetëm vitin e kaluar, pas një referndumi.
Tashmë, bashkëshortja fatlume do të mund të zërë vendin e të shoqit, nëse ai vendos një ditë të japë dorëheqjen. Ilham Aliyev është president i vendit që nga viti 2003, kur këtë post ia la i ati, ndërsa u rizgjodh në vitin 2008, pavarësisht se zgjedhjet u bojkotuan nga opozita.
Megjithatë, lajmet e mira duket se nuk kanë fund për çiftin Aliyev. Sipas “Foreign Policy,” ata nuk do të përballen me asnjë rezistencë nga komuniteti ndërkombëtar. Falë një lobingu të mirëdokumentuar dhe prodhimit të gazit e të naftës, Azerbaixhani ka arritur të ruajë një marrëdhënie të mirë me washingtonin. Ndërkaq, siç raportohet edhe nga Instituti Hudson, Azerbaixhani ka përdorur “diplomacinë e haviarit” me Këshillin e Europës. Kjo, falë konventave dhe takimeve që organizohen në Baku çdo vit, me shpenzimet e qeverisë azerbaixhanase.