Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka vendosur të bojkotojë Kuvendin e Kosovës deri më 6 prill, kur pritet të merret vendimi për udhëheqësin e saj Ramush Haradinaj, nga gjykata franceze në Colmar.
Në një njoftim për shtyp, Grupi Parlamentar i AAK-së thotë se duke qenë “i bindur se nuk po ndërhyn në sistemin e drejtësisë, shtyrjen e vendimit për lirimin e Ramush Haradinajt, e konsideron padrejtësi në vete”.
“Deputetët e AAK-së, janë të zhgënjyer me neglizhencën që institucionet e Kosovës e kanë pasur në Rastin Haradinaj, por edhe në raport me fletarrestet e kundërligjshme të Serbisë ndaj shtetasve të Kosovës. Ne deputetët e AAK-së, kemi vendosur për këtë masë, me bindjen se kjo do të kuptohet drejt dhe do të nxisë angazhimin e duhur të shtetit të Kosovës në mbrojtjen e ish-kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj”, thuhet në njoftimin e Grupit Parlamentar të AAK-së.