Fart zu entlasten Lul!

18 Prill 2017, 10:03Politika TEMA

(Pirdh të lirohesh Lul!)

Nga Ilir Mborja

Për të qenë i sinqertë, më duhet të pranoj publikisht se, një nga ata që e mori me të qeshur protestën e 18 Qershorit isha edhe unë. Aq ma priti mendja. Fundja, një shitës i rëndomtë dyshekësh jam dhe televizor nuk shoh se ma ka ndaluar doktori. Ju kam thënë që jam invalid qyshkur m’u mbyll shkolla e natës më ‘91-shin. Mbeta pa punë atëherë dhe pësova një goditje në tru. Nuk jam mirë jo… Prandaj vizitohem shpesh tek psikiatri dhe çmendinën e kam bërë si shtëpinë time të dytë. Dhe tani që andej po i shkruaj këto radhë… Për politikën informohem vetëm nga ish nxënësi im, që tani e kam pronar, Dyl Dysheku… Por ai flet për të, vetëm kur ajo, politika dmth, lidhet me dyshekët dhe gjumin. Ç’më tregon ai marr vesh unë dhe kaq. Me Dylin më shumë flasim për ëndrrat dhe unë i besoj shumë, se, deri tani, ato kanë dalë ashtu si m’i ka shpjeguar ai. Tani diçka kam mësuar edhe unë. Edhe kur nuk e takoj Dylin, di t’i deshifroj vetë ato. Për ëndrrat e zakonshme e kam të lehtë fare. Merret gjithnjë e kundërta. Dhe gjer tani më kanë dalë ashtu. Psh, për ëndrrën time që pashë atëherë sikur “Edi Rama vdiq, Lulzim Basha u bë kryeministër dhe Donald Lu-në e arrestuan”, ashtu doli. Tamam e kundërta, siç ma shpjegoi Dyli: “Edi Rama rron e thotë se Kryeministria osh qef, Luli vazhdon tek Çadra dhe Donaldit i rruajtën Trampin.”

Ndërsa për ëndrrat me shurrë në mes, Dyl Dysheku, më ka thënë se dalin ashtu siç i shikon. Kjo është shumë e vërtetë dhe mund t’jua provoj edhe juve. I kam të dokumentuara, se një ditë veprova siç më këshilloi doktori dhe fillova t’i shkruaj ëndrrat siç i shikoja. Për invalidët si unë, të shkruarit e asaj që përjetojnë në gjumë apo zgjuar, është terapia më efikase për të ruajtur shëndetin mendor më tha ai…

Një ditë doktori më solli një tufë me letra të bardha, një stilolaps dhe m’i la tek komodina. “Shkruaj të gjitha çfarë përjeton  dhe si i mendon!” – më tha ai. Ashtu bëra. Që të më kuptonte edhe Dyli, mendova ta nis me ato që kisha biseduar dikur me të. Pasi e mbarova shkrimin që bëra për atë ëndërr, ia tregova Dylit. Ai i mori fletët, i palosi katërsh dhe i futi tek xhepi i pasëm i pantallonave. Me thënë të drejtën, mua nuk më erdhi mirë për atë veprim, por nuk u ndieva. Aq kulturë kishte ai, por zemrën e kishte behar…  Shkrimin ma kishte dërguar për botim. Nuk më tha se ku, por më 14 shkurt më erdhi në spital, drejt e në dhomën time aty në pavionin 17. Sa hyri, nxorri nga xhepi një gazetë dhe duke ma shpalosur para syve më tha: “Lexo pak këtu!” Ç’të shihja?! Nuk po i besoja syve… Nën titullin “Rroftë 18 Shkurti! Poshtë 18 Qershori” pashë emrin tim. Në çast, në dhomë, ia behën shefi i pavionit, doktori që më kishte në patronazh dhe dy sanitarë.

Pasi më uruan me radhë për shkrimin në gazetë, më urdhëruan të merrja sendet e mia personale dhe të shkoja pas tyre. Pashë nga Dyli dhe, pasi mora edhe miratimin e tij, ashtu bëra. Mora qesen me plaçka dhe dy kutitë me lëng frutash nga komodina dhe i ndoqa pas. Më dërguan në një dhomë që më thanë se ishte për VIP-a. Dhoma ishte ku e ku më e mirë se ajo që lashë me 13 të çmendurit që dhisnin në brekë… Pas dy javësh shefi i pavionit vjen përsëri dhe pasi u përshëndetëm me shumë mirësjellje, u ul në cep të krevatit e nisi këtë bisedë: “Lulzim Basha t’i lexon shkrimet e tua dhe ngaqë i pëlqejnë, të kopjon gërmë për gërmë në fjalimet e tij.” Duket se vuri re mosbesimin tim dhe vazhdoi: “Ja psh! Shkruanit ju që do të thyen ca xhama?.. Për atë bëri thirrje edhe Luli. Shkruanit ju që më 14 shkurt “Poshtë 18 Qershori!”?..

Pikërisht atë tha dhe Luli pas një muaji në Çadër…” Ndërsa po e ndiqja me vëmendje, dyshoja se doktori m’i thoshte të gjitha këto, që të më nxiste pasionin e të shkruarit. E dija që besonte shumë tek ajo terapi, por më pas e mora vesh se ku deshi të dilte. Donte të më sillte në dhomë një të sëmurë tjetër, prandaj nisi të më flasë shtruar: “I dashur profesor! Zakonisht në këto dhoma mbajmë nga dy shtretër, se VIP-at  e sëmurë shoqërohen nga gratë. Por për ju,  meqë jeni i divorcuar, mendojmë t’ju sjellim një VIP tjetër të divorcuar, kryetarin e Partisë “Aleanca Kuq e Zi”. Si thua? Mos ki merak! Zoti Kreshnik është i qetë kur fle, se agresivitetin dhe gazrat i nxjerr gjatë ditës në Çadrën e Lulit… Hë! Si thua? Dakord je?”

– Po si jo? Qenka edhe fatkeq si puna ime!.. Por, nëse më lejohet? Nga se vuajnë ata të Çadrës? Ç’kanë Luli e Kreshniku? – e pyeta unë shefin e pavionit. Pasi u mendua për një çast me një ton konfident m’u drejtua: “Në fakt nuk na lejohet, por,.. Ata të dy, ëndrrat që ju shikoni pandërprerë edhe gjatë urinimit që jua shkakton prostata, (e kishte fjalën për ato që Dyli i quan “ëndrra me shurrë në mes”) ata i shohin edhe ditën. I shohin me sy hapur… Por Lulzim Basha, ndryshe nga shoku yt i dhomës, Kreshniku, me të cilin keni të njëjtën diagnozë,  ka edhe diçka tjetër që nuk mund të kurohet në pavionin tonë, megjithëse shkaku fillestar është faktor psiqik…

Ai ka shumë gazra që i shkaktojnë një kontraktim të gjithë abdominalit deri lart tek oksipetali… Janë probleme gastrointesinale dhe kurohen vetëm në repartin e gastrologjisë me klizma e më the e të thashë dhe, Çadra, është pikërisht një vend i tillë. “Fart zu entlasten Lul!” i tha atij para dy muajsh austriaku Johannes Hahn. Po atë këshillë ia përsëriti edhe gjermani Sigmar Gabriel.”

Më erdhi zor ta pyesja shefin se ç’do të thoshte ajo “Fart zu entlasten!”, prandaj i thashë Dylit të pyeste një vëlla që kishte emigrant në Gjermani. Dhe e dini ç’kuptim kishte? “Pirdh të lirohesh!” përkthehej. Këtë ka dy muaj që ia thotë Lulit gjermanisht Hahn-i. Këtë ia përsëriti edhe Gabrieli…

9 komente në “Fart zu entlasten Lul!”

  1. fizioterapisti says:

    cer pirdh se lirohesh mer!
    kta kan cerek shekulli e me shum qe pjerdhin.
    rrasini mer Karin n byth dhe bllokojani brimen se na qelben me pordh!

  2. asd says:

    Nuk del Luli nga cadra, kushdo qe ta keshilloje. Ai e di mire qe kur ta therrase prokurori ne zyre dhe tek dera e shtepise ta presin dy police, ai mund te jete momenti kur mund ti bjere murit me koke, por nuk do te kete me shpetim. Ai moment, ai parafytyrim, e mban Lulin ne cader. E ka kuptuar qe koha per “lufte” eshte tani. Neser, per te do te jete vone. Ah… ka edhe nje inat tjeter; Ha veten me dhembe qe lejoi deputetet te votonin vetingun. Ha veten me dhembe qe hengri presionin e Lu-se ne korrik dhe votoi. Ha veten me dhembe dhe nuk ia fal vetes qe u tremb se do ti hiqnin vizat dipllomatike deputeteve te tij kaqola. Ja pse e ka me Lu-ne dhe Vlahutin. Ja pse i quan ata “misherimin e se keqes”. Ata e futen ne nje “rruge pa koke”, dhe e tremben kaq shume … kur ai mund te kishte rezistuar qe atehere. Tani eshte ne mes te zjarrit, dhe perpjekjet e deshperuara i ka instinktive, me shpresen qe dicka (ne favor te tij) mund te ndodhe. Tani basti i tij eshte te humbe gjithshka apo te fitoje kunder te gjitheve; pra te fitoje kunder Rames, Europes dhe SHBA se. Qe Rama ka kaluar ne kampin e te “mireve” me EU dhe SHBAne eshte totalisht faji i tij dhe i strategjise se Cadres. Ne se nuk futet ne zgjedhje, “varrimin” do tja bejne te vetet.

  3. Kola says:

    Shkrim shume i kendshem me humor e sarkazem per keta sharlatane qe gjec e pandehin veten dhe po bejne turpe. Meritojne vetem neveri dhe dhe urrejtje. Bravo Ilir! I lumte penes tende brilante.

  4. shoku says:

    Amane o Ilir, ti e frymezon Lulin e, qe “fart zu entlasten jeden Tagen” me ato endrrat e tua ne mes te shurres?!
    Nderpriti te lutem, per hire te Shqiperise.

  5. Salih says:

    Nun thuhet ne Gjermanisht fart zu entlasten ,por furz ablassen.

  6. Roland says:

    Brilante…………….

  7. Ledion says:

    Ilir dua te jem edhe une ne pavionin tend

  8. shefi says:

    Qe kur kam lexuar “Ushtari i mire Shvejk” nuk kam lexuar humor me kete format!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje