“Duaje emrin tënd”
Nga Ervin Baku
Në fakt kjo sentencë javët e fundit i shkon Vllaznisë së Shkodrës. Në garën e ndeshjeve përmbyllëse, kuqeblutë duket se më shumë se të japin verdikte, po duan “emrin e tyre”, Vllazninë. Sinjifikative që pikërisht nga djepi i futbollit, në këtë fazë të kampionatit, vijnë lojëra dhe mesazhe të tillë. Ndalin një javë më parë Kukësin dhe të dielën turbullojnë Partizanin. Në të dyja rastet ka barazime. Cungu me të tijtë meritojnë “dhjetë”. “Të fala Gjicit”, thumbon Armando.
Me shumë të drejtë. Para një jave Safeti i akuzoi se luajtën për të kuqtë. Partizani stepet. Humb mundësinë e kryesimit i vetëm. Aq më tepër që tashmë “ngjitet” dhe kampionia në fuqi, Skënderbeu.
Skuadra e Dajës kaloi thjesht Korabin. Gola për të gjithë, ndërsa Salihi kthehet të shënojë në “zonën” e tij. Tri pikë larg Partizanit e Kukësit. Këta të fundit e kthejnë transfertën e Durrësit gati në stërvitore. Ruajnë traditën. Fitojnë rregullisht me bregdetarët dhe japin sinjale të forta se janë pretendentë kryesorë për titullin e parë. Teuta në dilemë. Zor se loja e mirë e tyre javët e kaluara do të jetë po aq e tillë. E pakuptimtë “rokada” e portës teksa Moçka, në ambientin e gjerë sportive konsiderohet ndër më të mirët e kuadratit në Superiore. Kohë reflektimi…! Por refleksione priten më së shumti nga Tirana e Josës.
Si asnjëherë më parë, skuadra nuk bind. E ndal Laçi që, me pak kujdes mund t’i bënte “gjëmën” në “Selman Stërmasi”. Papritmas, Tirana kthehet në zonën e ftohtë dhe kalendari në vijim pasqyron vështirësinë e madhe të kryeqytetasve për të mbijetuar. Me këtë kontigjent, këto paraqitje, Tirana mund të mos shkojë 40 pikë. “Tavani” eventual i shpëtimit. Laçi, dhe njëherë, tregon se është tërësisht i përqëndruar. Dy shtylla, premisa për të prodhuar lojë dhe këtë javë ndaj Skënderbeut në shtëpi. S’ka rrugë tjetër. Mbijetesën e tyre e vendosi në pikëpyetje dueli i jugut, aty ku Luftëtari u mund mes gabimeve trashanike të gjyqtarit Jorgji. Në fund, Milinkoviç thotë “hvala” (faleminderit në serbo-kroatisht).
Ndoshta i lodhur nga padrejtësitë. Po përse pas humbjes me vlonjatët?! Nga ana e tij, Flamurtari realizon një goditje në “shenjë”. Tri pikë në transfertë dhe ngushtim i menjëhershëm i radhëve me “motrat” e mbijetesës. Kalendar favorizues e shpresë e madhe për të bërë mirë. Në fakt, vlonjatët kanë kualitete dhe ego për të rimarrë pozicionin e “shpëtimit”. Kaq. Sepse më tej vjen radha e gjykimeve të kësaj jave. Një turp i madh. Skandaloze në dy takime. Në Shkodër dhe Gjirokastër.
Lup java “vëzhgon”.