Më shumë se 130 persona, pjesa më e madhe e tyre ushtarë të qeverisë afgane mbetën të vrarë nga sulmi i talebanëve kundër bazës ushtarake afgane. Autoritetet afgane njoftuan se me gjasë bilanci i viktimave mund të rritet, pasi shumë të plagosur janë në gjendje të rëndë.
Luftimet zgjatën për disa orë ditën e premte afër qytetit Mazar e Sharif në provincën veriore Balkh në Afganistan. Talebanët kishin shënjestër xhaminë ku kishin shkuar ushtarët, bën të ditur ushtria afgane.
Sipas zyrtarëve vendas, talebanët ishin veshur me rroba ushtarake, duke kaluar lehtësisht barrierat ushtarake. Disa prej tyre kryen aktin terrorist duke hedhur veten në erë. Të paktën 10 terroristë mbetën të vrarë në sulm.