Qeveria Gjermane investon 7 milionë Euro në Prrenjas dhe Librazhd

30 Prill 2017, 15:23Ekonomia TEMA

Deputeti Taulant Balla dhe Kryetarët e Bashkive të Librazhdit dhe Prrenjasit prezantuan përpara banorëve një nga projektet më të mëdha, por edhe më të rëndësishme për të dy këto bashki. Qeveria Shqiptare në bashkëpunim me Qeverinë Gjermane do të financojnë rikontruksionin total të rrjetit të ujesjellësit dhe të kanalizimeve për të dy bashkitë.

Faza e parë e këtij investimi kap vlerën e 7 milionë eurove, 4 milionë për Bashkitë e Prrenjasit dhe 3 milionë për Bashkinë e Librazhdit.

Projekti parashikon gjithashtu ndërtimin e një impianti të përpunimit të ujërave të zeza në mënyrë  që këto të fundit të mos derdhen më në lumin Shkumbin.

Në prezantimin e këtij projekt, deputeti Taulant Balla u shpreh: “Ky është prezantimi i parë para banorëve i projektit të madh të një rikontruksioni total të të gjithë rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimeve për të dy bashkitë, Librazhd dhe Prrenjas.Ky projekt vjen si bashkëpunim i Qeverisë Shqiptare, Qeverisë Gjermane dhe dy bashkive.

Faza e parë e këtij investimi kap vlerën e 7 milionë eurove, 4 milionë për Bashkitë e Prrenjasit dhe 3 milionë për Bashkinë e Librazhdit për rikonstruksionin total të të gjithë tubacionit të ujit të pijshëm dhe të kanalizimeve të ujërave të zeza.

Por lajmi i mirë për të gjithë ata që e duan mjedisin është se këtu do të ndërtohet impianti i përpunimit të ujërave të zeza dhe s’do të ketë më ujëra të ndotura që derdhen në lumin Shkumbin dhe më pas përfundojnë në detin Adriatik. Një pikë tjetër e përpunimit të ujërave të zeza do të jetë në Librazhd.

Gjej rastin të falenderoj qeverinë gjermane për të gjithë mbështetjen e nevojshme  që i ka dhënë qeverisë shqiptare, por unë ndihem me fat edhe si Kryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri-Gjermani, pasi në sajë të këtij bashkëpunimi mes qeverive tona, përfitues janë Bashkitë Prrenjas dhe Librazhd.

Shpresoj që këtë herë çadra të mos bëhet xheloze si herën e kaluar, e të thotë që Ministri i Jashtëm Gjerman flet me vjershat që i shkruan Taulant Balla”.

Kryetarja e Bashkisë së Prrenjasit Miranda Rira dhe Kryetari i Bashkisë së Librazhdit Kastriot Gurra e vlerësuan këtë investim si më të rëndësishmin e financuar në 25 vitet e fundit në të dy bashkitë. Investimi, sipas tyre do t’i shërbejë banorëve të të dy bashkive, përfshirë Njësitë Administrative, por do të ndikojë ndjeshëm në mbrojtjen e mjedisit.

Ata theksuan se ujërat e pastruara nga Impianti i përpunimit të Ujërave të zeza do të përdoren për vaditje duke evituar ujin e ndotur që është përdorur deri tani ndërsa falenderuan Qeverinë Shqiptare dhe atë Gjermane për këtë financim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje