Edhe pas presioneve të shumta Korea e Veriut nuk ndalet. Ajo ka zhvilluar testin e rradhës raketor. Zyra e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Koresë së Jugut njoftoi se raketa është lëshuar pasditen e së dielës me orën lokale. Raketa e testuar sot ka fluturuar për rreth 500 km, ndërsa raketa e testuar javën e kaluar fluturoi për rreth 700 km.
Por dhe SHBA nuk e ka lënë më kaq. Ushtria amerikane nxorri në det aeroplanmbajtësen e saj të dytë USS Ronald Reagan. Ajo do t’i bashkohet grupit të udhëhequr nga aeroplanmbajtësja USS Carl Vinson, ku do të kryejnë ushtrime stërvitore sëbashku në gadishullin Korean.
Koreja e Veriut është duke ecur paralelisht me zhvillimin e armëve bërthamore, duke zhvilluar 5 teste nukleare, si dhe atë të kapaciteteve raketore për t’i dërguar këto armë në objektivat e tyre. Që të dyja këto zhvillime janë në shkelje dhe sfidë të hapur të sanksioneve të vendosura nga OKB-ja.
Në orët e para të kësaj të diele, media shtetërore koreano-veriore kishte njoftuar se vendi do të vazhdojë të lëshojë më shumë armë të afta për të goditur Shtetet e Bashkuara.