Republika e re kërkon qereste dhe jo zhurmaxhinj, o zotërinjtë e mi!

29 Maj 2017, 09:19Politika TEMA

Nga Shpëtim Nazarko

Duket si diçka e çuditshme se nga e nxori termin Republika e re Basha në ato ditët e ngatërruara që shoqëruan atë dhe të tjerë në çadër. Po nuk është e vështirë të shihet se nga e ka burimin. Në disa prej artikujve të njërit prej kandidatëve për deputetë, flitet shpesh për rrëzmin e Republkës së vjetër.

Ashtu në ecje sipër, si e ka zakon, Basha e veshi konceptin në një mënyrë jo të njohur, qoftë edhe nëpër manuale fillestarësh. Termi u duk i fortë dhe mallëngjeu edhe disa profesorë, akademikë apo edhe analistë, që po ashtu si kryetari i PD-së, filluan t’u bien borive të propagandës. Në histori mund të kemi lexuar nga pak për themele të Republikave të reja. Ka shumë shembuj kur është proklamuar ajo si inisiativë. P.sh. francezët janë të njohur me termat Liri, Barazi, Vëllazëri. Po këto terma u përgatitën së pari nga kolosët që kanë hyrë në histori me kohë si Didero, Volter apo rrethi i madh i enciklopedistëve të kohës. Këto teza pastaj u materializuan nga kolosë të tjerë si Robespier, Marat, apo Danton.

Mund të flasim për shumë inisiativa të ngjashme, që çuan në përparimin e vendeve përkatëse, por ajo që shoqëroi termin Republikë e re te fjalimet e Bashës, nuk është parë e dëgjuar. Pas amabalazhit të zakonshëm si të luftojmë të korruptuarit, hajdutët etj., karakteristikë kjo e njëzet e pesë viteve të këtij që e quajmë tranzicion, Basha filloi nga shifrat, por gjëkundi nga idetë. Një ishte në lidhje me taksat me të cilat nëpërmjet numrit magjik 9 për qind, do të ishim të parët në Ballkan etj., etj. E pyeta Ramën me gjysmë shakaje se çfarë kuptonte ai me inisiativën për një Republikë të re. Kjo sepse në ambicien e tij normale, besoj se do të kishte vend edhe për një ëndërr të tillë. Mendoj se më e pakta do të ishin dy shtylla që do të ishin një ëndërr për t’u realizuar, më tha. Së pari, strategjia kombëtare dhe po ashtu reforma kushtetuese.
Mirë shumë, po si bëhen këto?

Plaku Balzak thotë në një nga kryeveprat e tij se ligji dhe morali janë konvencione që ndryshojnë sipas klimës dhe vendit. Ajo që në Paris është një ves, në Azi është domosdoshmëri. Pra është e qartë se Kushtetuta e çdo vëlendi hartohet mbi kushtet e tij specifike. Ajo e Francës nuk mund të jetë e njëjtë me atë që është në një nga vendet e Azisë e kështu me radhë. Ajo merr parasysh jo vetëm zakonet e pashkruara të popujve që i kanë krijuar ato, nisur nga ambienti gjeografik ku gjenden, por dhe nga perfeksionimi i mënyrave me të cilat është siguruar mbijetesa në shekuj e një populli. Është e qartë se kur deformon njërin prej këtyre rregullave, do të kesh problem jetëgjatësie me Kushtetutën. Kjo ndodhi me atë Zogut, apo të Hoxhës. E natyrisht, kështu do të ndodhë dhe me këtë tonën që është formuluar në ’98-n, e pastaj është arnuar e stërarnuar disa herë. E nuk do ndonjë mendje të madhe për të kuptuar se herët a vonë edhe ajo do të japë shpirt.

Por plaku Balzak thotë akoma në të njëjtin libër se ligji dhe kushtetuta mund të zbatohen vetëm në rastin e qeverisjes së mirë. Ligjet që dalin nga një qeverisje e dobët, kur venë në provincë, rrudhen e deformohen, sa ngandonjëherë kthehen në të kundërtën e thelbit të tyre. Dhe më tej shton… Në këto raste, nëse gjendesh në provincë si zyrtar i ri, duhet t’i lutesh zotit për të gjetur ndonjë mik në pushtetin qendror, apo të bësh krushqi me feudalët e zonës për të shpëtuar ti vetë nga fatkeqësitë. Në këto fjalë të gjeniut të madh francez, duket se shikojmë Shqipërinë tonë të gjorë.

Punët duket se janë keq në të dyja drejtimet. Kushtetuta nuk reflekton asnjë prej dy karakteristikave. Atë të ambientit gjeografik dhe atë mbijetesës që imponon zakonet e një vendi. Po ashtu, edhe kushti i dytë nuk ekziston, ai i qeverisjes së mirë. Po a mund të rregullohen këto dy probleme esenciale duke folur andej-këndej në tribuna nëpërmjet shifrave 9 për qind apo 10 për qind? Dhe nëse kjo analizë sipër mban erë të vërtete, është e vërtetë, atëherë kuptojmë thjesht se duhet të gjejmë qerestenë. Secili nga ne të vjetrit e mban mend mirë atë filmin, ku duke krruar kokën, një nga fshatarët thotë i menduar duke parë urën e re: Eh, të kishim ca qereste! Në rastin tonë fabula është e thjeshtë. Qeresteja janë njerëzit. Kur akademikët a profesorët e veçantë thirrën të entuziazmuar për Republikën e re, m’u dukën më të vegjël se fshatari që i kërkonte qerestetë për Urën e fshatit..

Ku është qeresteja!

Në paditurinë time, gjithnjë kam menduar se ndërtimi i një vendi i ngjan ndërtimit të një teorie fondamentale shkencore, e cila ka në krye një princip, shoqëruar gjithnjë nga një aparat matematik dhe pastaj nga ligjet përkatëse. Këto tri elemente janë të harmonizuara dhe nuk mund të kundërshtojnë njëri-tjetrin. Nëse p.sh. vendi ynë është tranzit dhe po ashtu blegtoral e bujqësor, është e natyrshme që ligjet kryesore, dalë nga parlamenti, duhet të shoqërojnë këto dy kolona. E pas kësaj, sistemi arsimor, po ashtu në pjesët më të rëndësishme të tij, ndjek po me rigorizitet përsosjen e këtyre qëllimeve që përcaktohen nga karakterstikat e vendit. Thënë shpesh, nëse vendit i mungojnë hekurudhat dhe portet që të lejojnë të lidhesh me të tjerët, natyrisht nuk mund të jesh kurrë vend tranzit.

Nëse vendi ynë nuk siguron një bujqësi e blegtori moderne, natyrisht nuk plotëson kushtet për të qenë vend i tillë. E akoma, nëse vendi ynë preokupohet të nxjerrë më shumë juristë e filozofë se agronomë, i kemi larë duart nga gjithçka. Mbetemi, në këtë rast, në mëshirën e ministrave të financës, socialistë apo demokratë, që bërtasin pa pushim si hoxhë të çmendur, se jemi rritur me kaq e aq për qind, apo broçkulla të ngjashme. Megjithëse Hoxha dikur ndërtoi një vend me një kushtetutë që nuk i përshtatej vendit, duke e vendosur nën thundrën e një partie, pa diskutim që ishte më i qartë se pasardhësit. Për të realizuar projektin e tij, që gjithsei rezultoi i dështuar, me gjithë punën kolosale të popullit të tij, ai u preokupua për të gjetur qereste…

Ne ku e kemi qerestenë, kjo është pyetja. Artikulli është shkruar nën përshtypjen e kritikave që u bënë këto dy ditë për listën e deputetëve të rinj, e kryesisht ata të PD-së. Mirë do të ishte të bëhej edhe për ata të PS-së. Sepse është e qartë. Këta duhet të jenë një pjesë e mirë e qerestesë që kërkojmë. E pastaj, në një radhë me ta, duhet të jenë ata akademikë e profesorë që na hodhën parullën e njohur të Republikës së re. Janë gjëkundi, thua? Nuk e di a janë apo janë të fshehur gjëkundi. Unë nuk i shoh… E prandaj, për vete them se për Republikën e re duhet gjetur qereste dhe jo zhurmaxhinj tribunash, o zotërinjtë e mi!(Konica.al)

Republika e re kërkon qereste dhe jo zhurmaxhinj, o zotërinjtë e mi!

4 komente në “Republika e re kërkon qereste dhe jo zhurmaxhinj, o zotërinjtë e mi!”

  1. Kola says:

    Ku ta gjejne qerestene ata qe e mbajne mendjen tek cadra! Me lende si injorantet e sorollopit te Fahri Balliut, kalamajte e banditit Azerm Hajdari e Sali Berishes, s’nderon dot as kasolle e jo me republike. Mendja e tyre punon vetem per te ndertuar skenare mafioze me vrasje dhe helmime, nga ato qe kane bere vet. I takon popullit qe te laje hesapet me keta dallkauke qe i nxorren tabanin vendit duke vrare e grabitur, dhe une shpresoj se ne keto votgime, kjo do te ndodhe.

  2. Labi Vlore says:

    Tezën e Republikës së Re e ka hedhur Romeo Gurakuqi, profesori prej Shkodre që lartëson kolaboracionistët dhe kriminalizon çlirimtarët që luftuan kundër pushtuesit nazi-fashist.

  3. Skypion says:

    Obobobobo,c’tmerr kam kur hap faqet e shtypit online,dhe shoh shkarrashkrime ne stilin realsocialist,me pasion bolshevik, te produktit me te qelbet te shkolles puniste,ate te gazetareve si puna e ketij fshataro-analistit, Nazarko.
    Shumica e Editorialeve,ne shtypin shqiptar,kane per autor pikerisht kete kategori te sterdaleboje.Te sterdale,se boja i pat dale qe ne vitet e para te dekades se fundit te shekullit kaluar.
    Eshte folur dhe flitet per nje politike te re,per nje klase te re politike,per te rinj me formim modern,europianist,perendimor ne politike.Por,asnjehere,mesa di une nuk eshte folur dhe nuk flitet per nje gazetari te re,per nje “klase” te re gazetaresh,me formim perendimor,ide ,metode e stil te ri.
    Ky soj gazetaresh dhe analistesh,qe ma kane shpifur,eshte edhe me i vjeter se klasa e vjeter politike ne Shqiperi!Ka,per fat te keq,shume nga keta qe e kane nisur gazetarine qe ne kohen e diktatures dhe vazhdojne edhe sot e kesaj dite,sikur te mos kishte ndodhur asgje.
    Me pak ndryshime te vogla ne terma, gjithe cka te beje me metoden gjer tek stili i te shkruarit,eshte po ai i kohes se komunizmit.
    Analisti bukolik,Shpetim Nazarko,eshte ilustrimi me i mire per kete.
    Jam i bindur,qe te gjithe ata qe e lexojne,dashamires apo talles (nuk mund te kete dashakeqe ky budall),e imagjinojne si nje katundar babaxhan,si nje fare te mencurin e fshatit,qe zbavit miletin aty nen rrapi prane cezmes…
    Dhe,gjithe personazhet e ndryshme,reale apo fiktive,politikane,intelektuale,filozofe,shkrimtare,e deri tek personazhet e librave te tyre,ne gojen e Shpetim Nazarkos te duken si ndoca fshatare mistike,ca pleq te mencur,ca shamane tribushe…sepse,keshtu perthyhen dhe perkthehen ne mendjen dhe gojen e tij!
    I thote Balzakut plak…!Balzaku nuk ka qene asnjehere plak,sa per dijeni.Sepse,ka vdekur pa qene plak.Por,ne mendjen katundarit Nazarko,mesa duket,eshte bere lemsh ndonje personazh i Balzakut,mbase xha gorioja,me vete shkrimtarin…dhe ky i thote Balzakut plak!
    Nje karakteristike tjeter,e kesaj skote gazetaresh me shkollim dhe formim bolshevik,si Shpetim Nazarko,eshte edhe ajo buzeqeshja e vjelshme,e vjelshme deri ne gerdi ndaj “udheheqesit”…ndaj Edi Rames,kur na e paskesh pyetur per republiken e re te Bashes.
    E vini re detajin?!
    E pyta – thote trullani – gjysem me shaka…
    Sepse,ka drojen e perjetshme te fshatarit,se mos po tallet me te zoteria,per pyetjen idiote … edhe vete,ne psiken e tij,nuk e di nese pyetja qe ka bere eshte apo jo idiote,deri sa pa marre konfirmimin e “zoterise”!
    Nazarkua ia drejton me gjysem shaka pyetjen Rames,sepse ka frike se mos ky i fundit tallet me te.Me instiktin e pagabueshem fshataresk,ka te drejte.
    Sepse,vetem te imagjinoni,sikur Shpetimi te ishte kunder Edi Rames,se c’tallje te madhe,perplot batuta te hidhura ne kontekst bukolik,do te ishte i detyruar te duronte!
    O Shpetim,ti je nje qereste !

  4. shaqo says:

    Nazarko i madh, je vertet i madh, je shume popullor e filozof ne te njejten kohe, flet qarte, kuptushem per te gjithe. Je i vetmi qe te lexoj edhe dy here.
    Te lumte.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje