Adnan Januzaj është mes katër rrugëve dhe tashmë është në kërkim të një klubi ku të rindërtojë karrierën e tij nga e para, pas zhgënjimeve të njëpasnjëshme të viteve të fundit.
Talenti i cili mendohej se do të bëhej ylli i ardhshëm i futbollit botëror, pas dështimit te Mançester Junajtid, Borusia Dortmund dhe së fundmi Sandërlend ku nuk arriti të linte shenjë edhe pse luante rregullisht, duhet të gjejë një sistemim të ri.
Zhoze Murinjo, pasi e kaloi te ekipi i dytë në verën e kaluar, nuk ma ndër mend të mbajë futbollistin dhe e ka nxjerrë në shitje. Por ta shesë atë nuk do të jetë edhe aq e thjeshtë.
Ndonëse cilësohet si një nga zhgënjimet më të mëdha futbollistike të viteve të fundit, Mançester Junajtid i ka vënë një shifër të lartë kartonit të Januzajt. Për të janë interesuar francezët e Olimpik Marsejës dhe Olimpik Lionit. Por dy klubet kanë mbetur të shtangura kur kanë mësuar se për të blerë Januzajn do të duhet të shpenzojnë një shifër mes 10 dhe 15 milion paund.
Sipas “The Times”, të dy klubet kanë vendosur të mos nguten në këtë pikë me futbollistin, të bindur se vlera e tij mund të bjerë ndjeshëm meqë Murinjo nuk ka ndër mend ta marrë me vete atë as për fazën përgatitore të sezonit të ri.