Kryesuesja e listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në Qarkun e Kukësit për zgjedhjet e 25 Qershorit, znj, Mimi Kodheli zhvilloi një takim elektoral në njësitë administrative Fajzë dhe Golaj në Has.
Të pranishëm në këtë takim ishin dhe kandidati për deputetë Agron Greca, kryetari i bashkisë Has, Adem Lala dhe prefekti i këtij qarku Liman Morina.
Në fjalën e saj kandidatja Kodheli sqaroi edhe njëherë banorët se, lëshimi që ka bërë PS-ja për sa i përket marrëveshjes politike, është diçka që është bërë për të ardhmen e vendin dhe që mund ta bënte vetëm Partia Socialiste.
“Me lëshimin që kemi bërë nga ana e pushtetit tonë, lëshim të rëndësishëm, se ne kemi marrë votat e 1 milion shqiptarëve, askërkush nuk do ta bënte po të mos ishtë kjo partia, që quhet Partia Socialiste, që të lëshonte gjysmën e pushtetit një muaj përpara zgjedhjeve. Por e bëmë për një arsye sublime, për një arsye madhore që ka të bëjë me të ardhmen e të paktën 10 viteve që vijnë të Shqipërisë dhe shqiptarëve që është ardhmja europiane”, tha Kodheli.
Përsa i përket qeverisjes në katër vitet e ardhëshme znj. Kodheli u shpreh së këtë herë Partia Socialiste do të qeverisë e vetme dhe do të japë vetë llogari për gjithçka që do të bëjë. “Do të kishim dashur shumë dhe do shpresonim shumë që në të ardhmen këtë gjë ta bënim të vetëm, të qeverisim vetëm pa shkopinj, pa njerëz në prehër, ta bëjmë vetë njëherë këtë, ti marrim këta 71 deputetët, të qeverisim vetëm dhe pas katër vitesh të vijmë të japim llogari vetëm pse i kemi bërë gjerat, si i kemi bërë gjërat dhe kur kemi bërë gjërat”, deklaroi Kodheli.
Ndërsa kandidati për deputet Agron Greca u shpreh se, në Has janë bërë shumë investime në katër vjeçarin që po kalojmë, një ndër më të rëndësishmit është edhe ai i ndërtimit të rrjetit të ujësjellësit në Fajzë. Ndërkohë, që ai njohu banorët e zonës edhe me disa projekte të tjera që janë në plan për t’u realizuar nga kjo qeveri në katër vitet e ardhshme.
Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë së Hasit, Adem Lala u bëri thirrje banorëve që të mbështesin PS-në në këto zgjedhje. Në njësinë Fajzë një ndër objektivat kryesore të bashkisë dhe qeverisë është shfrytëzimi i tokës bujqësore duke vënë në punë dhe mirëmbajtur kanalet vaditëse. Gjithashtu Lala tha se, “me mbështetjen e qeverisë ka si objektiv realizimin e rrugës që lidh qendrën e njësisë administrative Fajza me rrugën nacionale“.
Prefekti i qarkut Kukës, Liman Morina shtoi se arritja më e madhe dhe më pozitive, është fakti që është larguar mitmarrja, që ka qenë një kancer për shoqërinë shqiptare.