Pas gati dy javëve nga shpallja e çmimit Kadare, shoqëruar me polemika e debate të jashtëzakonshme, duke krijuar një atmosferë letrare të pahasur ka reaguar edhe shkrimtari Shkëlqim Çela, fitues i edicionit të dytë të çmimit Kadare, 2016, duke thënë se nga kjo garë letrare tërheq vëmendjen fakti se vlerësimi nuk iu është bërë shkrimtarëve sipas tarafeve apo sipas qokave, e njohjeve. Nisur nga përvoja e tij, pritjen e romanit “Embriologji”, Çela thotë se përgjatë vitit edhe pse ka pasur një jehonë të dobët të librit, disa shkrime kritike, askush nuk e ka denigruar atë si vepër letrare.
Po bëhen gati dy javë nga shpallja e çmimit Kadare 2017 dhe debatet e polemikat ende nuk e kanë shuar jehonën e tij, duke krijuar një atmosferë të pahasur letrare mbi fituesin e sivjetmë, për prozën në shqip, shpallur më 28 Maj në ditët letrare të Razmës. Për shkak të prurjeve, e konsideruar një nga garat letrare më të forta në këto tri vite jetë të çmimit Kadare që nxori fitues shkrimtarin nga Kosova, 76-vjeçarin Musa Ramadani, i cili do të jetë në Tiranë të premten, në ceremoninë e dorëzimit të çmimit. Juria me kryetar shkrimtarin Bashkim Shehu dhe anëtarë: Ledia Dushin, Ylljet Aliçkajn, Mirela Oktrovën dhe Agim Baçin, për herë të parë është gjendur përballë dilemave dhe mendimeve diverse sa i takon fituesit. Ndërsa në finale shkuan pesë vepra, autorë të së cilës krijuan një raport interesant të garës; tre nga Kosova dhe tre nga Shqipëria, për të cilët juria ka votuar e ndarë po ashtu. Beteja letrare u bë e fortë për dy autorë; dy nga votat kanë shkuar për shkrimtari Virion Graçi me romanin në dorëshkrim “800 hapa larg Venerës” dhe tre vota për shkrimtarin Musa Ramadani për romanin në dorëshkrim “Profeti nga Praga”. Atmosfera e polemikës qëndronte sa në çështje të simbolikës, pra se një çmim shkoi në Kosovë, ku dëshmoi se ende janë të brishta e të dobëta hallkat e bashkëpunimit mes letërsisë shqipe të të dy vendeve po ashtu dhe në çështje të vetë çmimit, si institucion vlerësues sa arrin të ketë lexueshmëri dhe treg libri fitues, autori. I pari që e hodhi këtë ishte finalisti Virion Graçi duke reaguar në rrjetin e tij social se librat fitues të çmimit Kadare kanë dështuar në treg, ndërsa kanë pasuar reagimet duke e kthyer, si nga rastet e rralla, diskutimet në çështje marrëdhëniesh letrare. Ndërsa ka reaguar edhe shkrimtari Shkëlqim Çela, fitues i edicionit të dytë të çmimit Kadare, 2016, duke thënë se nga kjo garë letrare tërheq vëmendjen fakti se nuk jepet çmimi sipas tarafeve të shkrimtarëve apo sipas qokave. Nisur nga përvoja e tij, pritjen e romanit “Embriologji”, Çela thotë se përgjatë vitit edhe pse ka patur një jehonë të dobët të librit, disa shkrime kritike, askush nuk e ka denigruar atë si vepër letrare.
Nga Shkëlqim Çela
Duket si pashmangshme që gjithçka lidhet me Kadarenë, qoftë kjo edhe një çmim që mban emrin e tij, të shoqërohet me debate. I kam ndjekur disa nga mëtimet dhe opinionet lidhur me Çmimin e sivjetmë Kadare dhe kam patur rastin të rikonfirmoj se për ngjarje të tilla, me siguri vetëm dikush nuk mund të ketë rezerva, mllefe të fshehura ose të hapura, apo edhe gjithçka tjetër që situata mund të prodhojë dhe ky dikush, për vitin 2017, quhet Musa Ramadani.
Fakti që ka zhurmë provon në fakt rëndësinë reale që ka Çmimi, i cili, duam apo s’duam, shoqërohet me vlerën e tij monetare. Kjo është diçka që nuk duhet anashkaluar, natyrisht – amerikanët e përdorin rëndom shprehjen “show me the love”, duke bërë shenjën e parasë, fërkimin demonstrativ të gishtit të madh të dorës me atë treguesin. Pra, çdo qëndrim shtinjak që do t’ia zbehte Çmimit rëndësinë monetare, e sidomos në një vend të rangut të Shqipërisë, nuk do të ishte dinjitoz.
Nga ana tjetër, do të më vinte keq nëse berihaja e qejfmbeturve ose edhe i mbështetësve sa për atë punë, të lidhej kryesisht me vlerën monetare. Populli thotë që fjalët e botës dhe vrimat e gardhit nuk mbyllen kurrë. Me siguri ky proverb është krijuar në një kohë kur nuk kishte çmime letrare, sepse ndryshe do të duhej t’i kish përfshirë këto të fundit në paradigmë. Por nuk dua të hyj në kurthin e llafeve pa bukë, si për shembull, pse vlerësohet dorëshkrimi dhe jo një vepër e botuar ndërkaq, pse kjo juri dhe jo një tjetër, pse aksh autor dhe jo një tjetër…, diskutime këto të një aradheje pa fund llafazane që mëton se është, ose edhe është xhanëm, një opinion publik me peshë domethënëse. Më bën përshtypje për mirë fakti që ky çmim po iu jepet njerëzve që nuk bëjnë pjesë në “taraf”. Ky është një akt i mirëfilltë çlirimi që nderon jurinë dhe organizuesin. E kam thënë, kur më është dhënë rasti, që Shqipëria po rreket ende të shndërrohet nga vilajet në provincë dhe shqiptarët nga milet në publik. Kjo nuk është aspak fyese dhe është e thënë me dashurinë e një realisti. Në kuadër të kësaj, më duhet të them edhe se ne po rrekemi të kalojmë nga tarafi në shoqëri të hapur, të çliruar nga zinxhirët lidhës të “mikut”, “dorës sonë” dhe qokës. Problemi ynë, si shoqëri, para se të jetë ekonomik dhe politik, është kulturor. Dhënia e dërrmës psikologjisë së “mikut” dhe “hatërit”, është pra shprehje e përpjekjes për shndërrim kulturor. Natyrisht, nuk mund të mendohet se një shndërrim i tillë është i lehtë, sepse nuk ka gjë më inerciale se kultura. Sidoqoftë, kjo më duket diçka së cilës duhet t’i gëzohemi dhe e cila duhet festuar.
Në notë vetjake, më ka bërë përshtypje se sa e vështirë është përcjellja e ngjarjes pa shtrembërime dhe se si nuk shkohet pas një vije të drejtë, si rruga më e shkurtër që lidh dy pika, por duhen ndërmarrë lakore aspak të domosdoshme. Për shembull, për mua u tha se “inxhinieri i kompjuterëve” fitoi Çmimin Kadare, në një kohë kur nuk jam i tillë. Unë kam mbaruar Fakultetin e Agronomisë në Shqipëri; më pas kam mbrojtur doktoraturën dhe kryer masterin në Universitetin e Georgias, në SHBA, përkatësisht në Kimi mjedisi e Statistikë, dhe punoj prej shume vitesh si statisticien në korporatën amerikane. Pra, kishte një bollëk profesionesh për të më përshkruar.
Pastaj, shumëkush nuk më trajtoi si shkrimtar, ndërsa unë kam botuar jo pak libra, madje dy prej tyre janë vlerësuar nga Ministria e Kulturës si ndër pesë librat më të mirë të viteve përkatëse… Çfarë do të duhej më shumë për t’u cilësuar “shkrimtar”? U diskutua deri edhe pse thuhet “autor i ri”, kur ai nuk është i ri në moshë etj. etj., gjëra tejet anësore pra, si me kast për të mos diskutuar kryesoren: Çfarë i sjell letërsisë shqipe, nëse i sjell, libri “Embriologji” që e fitoi Çmimin Kadare? Pati në shtyp disa shkrime kritike, por jehona ishte, në mendimin tim, e dobët. Ndoshta nuk u gjet diçka drejt për drejt denigruese për librin, për të cilën do të ishte shpejtuar të shkruhej menjëherë dhe pa përtim, siç ka ndodhur në tjetër rast.
Dhe e fundit, por jo më e parëndësishmja: Marrja e çmimit nuk u shoqërua me ndonjë ndryshim në sjelljen e botuesit shqiptar ndaj meje si autor. Kjo më dëften sa e mpirë është situata kulturore në Shqipëri përballë të tilla sinjaleve dhe realiteteve si rasti i Çmimit në fjalë. Uroj që kjo të jetë një dukuri kalimtare dhe në të ardhmen botuesi shqiptar të reagojë më fort ndaj valës se re që vjen nga autorët shqiptarë.
Qe behen gara letrare,veç mire ka kultura shqiptare.Rendesi ,mbi te gjitha, ka vepra artistike. Jo i ri e jo vjeter,keto debate per mua nuk vlejne.Veprat e mira,te autoreve shqiptare,e ka per detyre Ministria e Kultures,t’i promovoje.Para e pakta t’i adresoje per autoret vendas,e jo per perkthyeist,qe po na nxjerrin ne treg perkthime nga google translate.I uroj sukse te metejshme fituesit Musa Ramadani.
Libri i Sh.Celes Embriologji eshte nje mediokritet ideor e letrar njekohesisht, nje porkeri e sterzgjatur